Romët e Elbasanit denoncojnë Bashkinë e Elbasanit: Nuk kujdeset për punësimin tonë

206
Bashkia e Elbasanit, i ka shpërfillur, e ka injoruar komunitetin rom, dhe e trajton si një shtresë shoqërore të ulët, e të padenjë për shoqërinë tonë. Megjithëkëtë, Bashkia e Elbasanit ka akumuluar edhe fonde të ndryshme, të cilat kanë qenë destinuar për përmirësimin e jetesës dhe të kushteve të komunitetit rom, por Bashkia e Elbasanit, me përgjegjësi të plotë të kryebashkiakut Qazim Sejdini, këto fonde i çojnë në ato tenderë që i leverdisin kryebashkiakut Qazimi. Papunësia pothuajse totale, mungesa e strehimit, mungesa e aksesit në sistemin shëndetësor, në atë të Drejtësisë, problemet e fëmijëve me tekstet shkollore, braktisja e shkollave janë problemet me të cilat përballet komuniteti rom në bashkinë e Elbasanit në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI. Fatkeqësisht të gjitha këto probleme të këtij komuniteti shumë rrallë gjejnë zgjidhje dhe aktualisht ky komunitet mbetet ende i përjashtuar dhe trajtimi ndaj tyre bëhet sikur të jenë qytetarë të dorës së dytë, edhe pse tashmë ka një Ligj të minoriteteve të miratuar nga Parlamenti , Ligj i cili pritet të ndikojë në përmirësimin e jetës së komunitetit rom në Elbasan dhe jo vetëm. Ilirjan Berati, një prej përfaqësuesve të njohur të komunitetit rom në Elbasan ka bërë një panoramë të problematikës me të cilën përballet jeta e tij dhe e komunitetit rom në Elbasan, komunitet që popullon një pjesë të madhe të lagjes “5 Maj” në këtë qytet dhe jo vetëm. “Aktualisht asnjë pjesëtar i komunitetit rom nuk është i punësuar dhe po kaq dramatike është situata edhe për sa i takon rekrutimit të tyre në procesin e formimit profesional. Elbasani ka një Qendër Formimi Profesional ku ndër 879 kursantë nuk ka asnjë rom dhe egjiptian. Më skandaloze se sa kaq situata nuk ka qenë kurrë më parë me pjesëtarët e komunitetit Rom në Elbasan. Më mirë në burg, sepse ke strehim, ushqim e drita, edhe pse nuk punon, për to aty as paguan”- e mbyll rrëfimin Ilirjan Berati, një rom që, edhe pse i sëmurë dhe me 60 vite mbi supe ende vijon të trokasë te zyra e shërbimit kombëtar të punësimit me shpresën, se një ditë dikush do e marrë në punë. Ai sugjeron se të paktën pemë mund të mbjellin romët dhe të pyllëzojnë kodrat e shkrumbuara vitet e fundit. Dhe jo vetëm kaq, por mund të ndërtojnë pritat lumore që të mos përmbyten tokat, të mbjellat e shtëpitë.