Riorganizimi i policisë së shtetit në nivelin vendor, domosdoshmëri

739
Adriatik AGO
Ish-Këshilltar i Drejtorit të Policisë së Shtetit
Miratimi i paketës së ligjeve për reformën në drejtësi, detyrat që janë sanksionuar tashmë në shumë dokumente të Ministrisë së Brendshme apo Policisë së Shtetit, si dhe nismat e reja të ndërmarra në drejtim të përmirësimit të elementëve të sigurisë në vend si, operacioni “Forca e Ligjit” apo krijimi i strukturave të Task Forcës në qendër e në bazë, kanë krijuar një taban të fuqishëm për riorganizimin e shërbimeve policore në tërësi, e kryesisht në nivelin vendor. Këto nisma të materializuara në programe e plane vjetore e afat mesme, kanë hapur horizont për të përzgjedhur për kushtet e vendit tonë, modelin më të mirë të mundshëm të policisë, si për strukturat që merret me shërbimet parandaluese, ashtu dhe për ato të hetimeve paraprake, por të evidentuar tashmë si ndër hallkat më të dobëta në tëre organigramën strukturore të saj . Evidentimi i nivelit të ulët është bërë jo vetëm nga auditet e brendshme të vet policisë së shtetit, por dhe të aktoreve të tjerë të jashtëm, që në analizat e vlerësimit të përfomancës së sigurisë, kanë arritur në këto konkluzione. Në lidhje me këtë objektiv, është realizuar në vitin 2015, studimi me objekt, “Organizimi i Policisë së Shtetit në Nivelin Vendor”, studim i kryer në bashkëpunim me asistencën e ndërkombëtareve, i cili fatkeqësisht, vendimmarrja e asaj kohe nuk e implementoi. Aty janë argumentuar, modeli i organizimit të policisë, si faza e parë në nivelin vendor, duke i dhënë përparësi modelimit të strukturave të reja, modelimit të shërbimeve parandaluese të kontrollit të territorit, e në veçanti modelimit të strukturave të policisë gjyqësore. Ky studim që u mbështet në shifra, argumente të administruara nga një observim i detajuar i skemës së funksionimit të saj deri në atë kohe, u ndërmor midis të tjerave edhe për shkak të përfundimit të reformës administrative territoriale në shkallë vendi. Në tërësinë e tyre evidentimi i mangësive, tregonte për modelime shumëngjyrëshe të trashëguara, pa vizion, të kryera për interesa të çasti dhe për mos kuptim të misionit profilaktik të policisë në komunitet, të mos kuptimit të misionit të policisë gjyqësore, sidomos i “atributit të policisë gjyqësore”, që ligji i njeh policisë së shtetit, dhe për pasojë, diku kishte struktura normale, diku jo. Nuk është rastësi, por disa prej indikatorëve të evidentuara në studim, janë prezentë edhe sot dhe që kanë sensin pozitiv për të ndërmarrë nismën e riorganizimit të policisë në nivelin vendor. Të tillë indikatorë të loguara si shanse, do të shërbejnë për të qartësuar organizatën e policisë, eliminuar pengesat dhe reflektuar për gabimet e bëra ndër vite në çështjet e arritjes së standardeve. Shanset mund të përmbledhim si, prezenca e vullnetit të shumëpritur politik të qeverise, të shprehura këto në programe e plane veprimi ku mbështeten fortë reformat policore, paketa ligjore e reformës në drejtësi e deri te prania e misioneve ndërkombëtare, për vlerat dhe eksperiencat e tyre policore perëndimore. Në raport me këto shanse, në arsyetojmë se kësaj radhe është momenti i duhur që nismat për të kryer reformat, të vlerësohen serioze, të mos ngelet përgjysmë, të mos bëhen të njëanshme, të cunguara, me interesa sektoriale, duke mos lejuar që të fusin duart çdo subjekt i pa autorizuar apo pa kulturën e duhur administrative e profesionale, por të jetë gjithë përfshirës në elementet e përbërës të tij, për të sjelle organizim të qëndrueshëm, afatgjatë, në interes të garantimit të sigurisë publike. Konkluzioni kryesor i nxjerre në studim dhe që mendoj se është i dobishëm, ishte se; “Organizimi aktual nuk është konsideruar si një nder elementet kryesor të menaxhimit, ai nuk ka pasur në qendër të vëmendjes, njohjen dhe respektimin e parimeve baze të saj, ndërkohe që dhe zbatimi i parimeve të veprimtarisë policore, sidomos ai i kontrollit të territorit, është cenuar pikërisht nga modelet e ndërtimit strukturor jo efektiv, formulimit të përgjegjësive dhe realizimit faktit pa vizion. Pasojat e ardhura ndër vite, kanë bërë që organizimi të karakterizohet nga skema që nuk ofrojnë shërbime policore me cilësi në komunitet, nga funksionimi i policisë gjyqësore me modele të shumta dhe jo eficentë, nga mos formatimi i përgjegjësive të rolit te menaxhereve të vijës së parë, nga vështirësia në funksionim dhe në zinxhirin e komandimit, nga kushte të punës larg standardeve, nga mosha e madhe (45 vjeç) e vijës së parë të policimit e deri te niveli i arsimimit, kualifikimit, specializimit, motivimit, ende të pa zgjidhura si duhet. Të gjithë duhet të kuptojmë se për rreth tre dekada, në institucionin e policisë nuk është marrë njeri me “organizimin”, si aspekt menaxherial i institucionit me anën e së cilës materializohet përmbushja e detyrave ligjore. Në këtë institucionin “organizimi”, nuk është caktuar si prioritet, dhe është ndjekur nga sektorë të burimeve njerëzore në mënyre sporadike, pa asnjë planifikim strategjik. Lënia “trashëgim” nga njëri ekip drejtues tek tjetri, i çështjeve të pa zgjidhura të organizimit në çdo nivel të policisë, ka bërë që strukturat e burimeve njerëzore të merren me zgjidhjen e limiteve organike, në emra konkrete, me interesin e çeljes së vendeve të punës, në bërjen e ndonjë rregullimi apo heqjen e ndonjë pengese ligjore, pa e parë organizimin në kompleks, si element i drejtimit, në analize me faktorë të brendshëm dhe mjedisit ku policia operon. Edhe sot, nuk kemi asnjë strukture te mirëfilltë të profilizuar dhe përgjegjëse që të merret me organizimin e institucionit të policisë, pra, me gjetjen dhe zbatimin e mënyrave me efektive për realizimin e objektivave, edhe pse një gjë tillë është shprehur në Rregulloren e Brendshme të saj. Ai është procesi me anë të cilit bëhet sistemimi i personelit të policisë, përcaktohen strukturat drejtuese, vartësitë, komunikimi, detyrat dhe përgjegjësitë etj. Organizimi, shpesh ngatërrohet me formatimin e strukturave, dhe kjo ndodh pasi nuk njihen si duhet tërësia e elementeve të tij dhe kryesisht “Sistemet e funksionimit strukturor”. Nga kjo pikëpamje, përparësi i është dhënë veprimtarisë se parë, formatimit te strukturave, pasi këto lidhen me krijimin e një baze të shëndoshë për gjetjen vend të faktorëve të tjerë organizativ. Në këtë çështje merr një rendësi të veçantë, parashikimi për herë të pare për vendosja e koeficienteve Matës të Punës, për çdo funksion, shërbim e përgjegjësi që përmbushet. Aktualisht, nuk kemi standarde matës të punës se kryer, nuk kemi të kostuar veprimtarinë policore, ndërkohë që shpenzojmë si kosto të shtuar, forca të shumta, kohë, energji, mjete motorike, financa etj, për një sërë veprimtarish të pa listuara, dhe që për mungese të rregullimit ligjor kanë ngelur si përgjegjësi policore. Këtu, përmendim përballimin e aktiviteteve politike, kulturore sportive, mbështetja e institucioneve publike e private, etj. Matja e kohës se punës për veprimtaritë informative, procedurale penale e administrative e policisë, është faktor kyç në llogaritjen e formatimit të strukturave dhe të limiteve organike

Doktrina ku duhet të mbështetet organizimi i policisë në nivelin vendor
Eksperienca e këtyre viteve na mësoi se Shërbimi Policor, është një nga llojet e Shërbimeve Publike, e cila zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe që ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Synimi i organizimit të ri, duhet të jete; ”Të organizohet dhe konsolidohet institucioni i PSH, sipas parimeve të policimit demokratik, për arritjen e standardeve të policimit të vendeve te BE-se, në zbatimin e ligjshmërisë, parandalimin dhe hetimin e krimit dhe mbrojtjen e qytetareve”. Organizimi i policisë, zhvillimi i saj dhe i modelit të policimit, në të ardhmen, do të duhet që të realizohet me filozofinë e policimit në komunitet dhe veprimit proaktiv, realizimi i saj do të bëhet duke kaluar, “nga sistemi i mbyllur e i pandryshueshëm që ruan status-quo-në, e nuk i përgjigjet mjedisit, në atë të hapur, dinamik dhe elastik që mund ti, përshtatet mjedisit dhe të angazhohet në sjelljen e vetorganizimit”. Në ligjin aktual këto çështje janë disi te rregulluara, dhe sot organizata e policisë operon në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim dhe me aktoret e tjerë të shtetit dhe shoqërisë. Shërbimi policor, duhet të ketë në qendër “individin” me të drejtat reale të tij, për jetën, pronën, personalitetin, moralin, etj. Që një organizate policie të ofroje shërbim cilësor në publik, duke e mbrojtur atë nga rreziqet, është e domosdoshme qe ai të krijojë organizimin e tij si dhe të ndërtojë skemën e veprimit më të mirë të mundshme, për ta afruar me komunitetin, të bashkëpunoje me të, duke i dhëne zgjidhje problemeve të shumta të sigurisë publike. Pikërisht, në baze te kësaj doktrine, organizimin e ri do ta paraqesim në dy ndarje të mëdha si; Shërbim të Policimit Parësor dhe Shërbim të Policimit të Specializuar.
I. Shërbimi i policimit parësor
Ndoshta është hera e parë që përdoret ky term, por organizim i shërbimit parësor do te thotë, që brenda juridiksionit ku operon njësia e policisë, me burimet e saj njerëzore, shërbimet mbështetëse, në baze të ligjit në fuqi, në respekt të të drejtave të njeriut, të bëjë tërësisht përballimin e problemeve të sigurisë në nivelin e vijës së parë. Policimi, në vijën e parë të sigurisë, realizohet me strukturat policore pranë qeverisjes vendore, dhe si e tilla duhet të përbëhen kryesisht nga shtyllat bazë me dy elementë thelbësorë;

Së pari, pritshmëria dhe parandalimi i krimeve dhe shqetësimeve që kanë ndikim ndaj qytetarëve, të cilit shpesh i referohemi si të qenit “proaktiv”, simbolizohet nga koncepti i policimit në komunitet dhe i përdorimit të ekipeve “hetimore proaktive” kundër kriminalitetit; 

Së dyti, kapaciteti “reagues” që është në gjendje t’u përgjigjet thirrjeve/kërkesave për asistencë apo për të hetuar krimin të cilit i referohemi si “reagues”. Aplikimi efektiv i të dy përbërësve, është shumë i rëndësishëm në mënyrë që policia të gëzojë besimin e komuniteteve. Sfida qëndron tek gjetja e ekuilibrit të duhur. Kërkesat ndaj strukturave policore, duke pasur parasysh përparimet në sistemet e komunikimit dhe pritshmërinë në rritje të publikut, veçanërisht në qendrat urbane, do të kenë tendencën të rrisin natyrën reaguese të policimit. Me Shërbim të Policimit Parësor, do të kuptojmë sot policinë e organizuar në drejtori/ komisariate/stacione e posta policie, ku policojnë rreth 2/3 e numrit të përgjithshëm të organizatës, me synimin e vetëm, Parandalimin dhe Reagimin ndaj çdo cenimi të sigurisë publike, por në dallim me funksionimin aktual, këtu nuk do të kemi kufizime, për sa i përket figurave të krimit, për të kryer veprimet e para dhe për të realizuar tagrat e dhëna nga ligji i policisë mbi masat për ruajtjen e rendit apo nga ligji procedural penal. Filozofia e shërbimit të policimit parësor, ka në qendër zbatimin e parimit të kontrollit të territorit, evidentimin e çdo lloj shkelje administrative në fushën e sigurisë, dhe të veprave penale pa asnjë kufizim. Punonjësit e policisë që operojnë në këtë shërbim, kryejnë veprimet sipas përshkrimit të detyrave të funksioneve, bëjnë hedhjen e çdo informacioni me procedura standarde, bëjnë hetime me iniciativë dhe të deleguara nga prokurori, etj. Ai duhet të njohë mirë skemën e tij në përbërje të të cilit vepron vet, dhe të bashkëpunojë me të gjithë strukturat homologe që prodhojnë siguri në shkallë të parë, publike e private qofshin. Shërbimi i Policimit Parësor, është Niveli i Parë i Organizimit në planin vendor. Ai në përmbajtje të tij, duhet të fokusojë mirë përgjegjësitë e veta dhe do të ketë të gjitha llojet e shërbimeve policore, informative, hetime, rendi, qarkullim rrugor, shërbime mbështetëse, polici shkencore, etj, të formatuara këto sipas organigramave përkatëse. Midis shume sektorëve që kërkojnë rishikim të pozicionimit të tyre, po ndalemi tek dy shërbime te veçanta që duan vëmendje dhe qe janë ;
a. Riorganizimi, ndoshta dhe me ndryshime të ligjit organik të Shërbimit të Policisë Gjyqësore
Duhet të kuptohet se flasim për organizimin e policisë gjyqësore të nivelit vendor dhe që do të hetojë veprat penale në volum. Kjo pasi për krimin e organizuar, korrupsionin e krimet e rënda lidhur me to, e kane bazën e tyre ligjore që rrjedhin nga paketa e reformës në drejtësi. Policia e Shtetit në nivelin vendor, ka të dislokuara rreth 70% të numrit të përgjithshëm të saj, ku në mënyre të përmbledhur misioni kryesor, është kontrolli i territorit dhe zbatimi i ligjit në raste të cenimit të tij. Po kështu, në nivelin vendor konsumohen rreth 80% e figurave të krimit me vend ngjarje, që në gjuhën e specialisteve thuhet , “krimit të hapur”, vrasje, vjedhje, krime kundër personit, dëmtime te pronës, krime në fushën e mjedisit, aksidentet, etj. Për pasojë dhe numri me i madh i policisë gjyqësore duhet të operoje në ketë nivel, i dislokuar nëpër strukturat e vijës së parë të kontrollit te territorit. Në studimin e sipër përmendur, është argumentuar modeli i organizimit të policisë gjyqësore. Ky studim ka nxjerre disa indikatorë qe janë ende prezentë dhe sot, dhe konkluzioni ishte se; “Ka keq implementim të shërbimit të policisë gjyqësore, ku diku ky atribut ushtrohet nga funksione që kanë edhe një përgjegjësi tjetër, dhe diku tjetër kryhet nga punonjës të lire, pa detyrë të dytë, (komisariatet e policisë gjyqësore)”. Në kompozimin e modelit, mendoj se duhet të udhëhiqemi nga filozofia se, krimet në volum sjellin shqetësime më të ndjeshme për komunitetin, cenojnë sigurinë në veprimet e përditshme të tyre, paçka se efekti pasojë kriminale, në kuptimin klasik të këtij nocioni juridik, mund të jetë më i pakët në raport me krimin e organizuar ose format e ndryshme të tij. Kësaj filozofie duhet ti përgjigjemi me organizimin e shërbimit policor në nivelin vendor, në radhë të parë me filozofinë e policimit në komunitet dhe veprimit proaktiv, Në raport me organizimin aktual, organizimi i ri, do synojë, ne veçimin e një grupi specialistësh, të aftë për këtë përgjegjësi, pjesë e strukturave të hetimit të krimit, për të ndihmuar e lehtësuar këtë strukture në fazën e dokumentimit ligjor të veprës penale dhe të autorit të saj. Ky shërbim duhet të jetë strukture me vete dhe si pjesë e organizimit të brendshëm, do të bëje jetë në strukturat e hetimit të krimit, do të marre detyra dhe do përgjigjet për realizimin e tyre, para titullarit të shërbimit të hetimit të krimit. Ky organizim nuk do të jetë sporadik, por i caktuar në limitet organike të miratuara. Funksionimi i policisë gjyqësore, në këtë mënyre, do të kontribuojë për çdo vendngjarje, ankim, denoncim dhe për juridiksion tokësor apo lëndor do të ngarkohet me delegime për hetime të plota. Çelja e këtij funksioni do të çliroje energji tek strukturat aktuale të hetimit të krimit, për tu marrë me çështjen e thithjes se informacionit, dhe realizimin e hetimeve proaktive me indicie të informacionit të ardhur nga burimet e kualifikuara. Nga ky organizim, funksioni i specialistit të hetimit të krimit, nuk zhvishet nga e drejta e gëzimit të atributit të policisë gjyqësore, përkundrazi, ai në çdo kohë i ushtron ato, në përputhje me kërkesat e K.Pr.Penale si në kushtet e flagrancës ashtu dhe në ndjekjen e hetimeve proaktive. Policia gjyqësore e shërbimit parësor, do të delegohet me hetime të plota, kur një gjë e tille arsyetohet dhe vendoset nga organi i prokurorisë. Hetimi i krimit në Shërbimin Parësor të Policimit, nuk kërkon kufizime ne figura krimi. Ai punon horizontalisht dhe vertikalisht për të gjitha shkeljet ligjore ne territor , dhe përgjigjet sipas shkalles së hierarkisë në nivelin vendor a qendror. Kuptimi drejt i këtij organizimi të policimit në nivel vendor, do të sjellë ndryshimin në shërbimin e ofruar tek publiku, dhe në kuptimin e ngushtë, do të jetë forma më e mirë për ti bërë ballë aktivitetit kriminal apo cenimeve të sigurisë. Detyra jonë është, që në tërë organigramën strukturore të policisë të nivelit vendor, të bëjmë implementimin e integruar të aktiviteteve të policisë gjyqësore, ose e kundërta, aktiviteteve të policisë gjyqësore, ti gjejmë strukturën e përshtatshme, duke caktuar se ç’fare roli i takon secilit të kryeje, pa konflikt kompetencash. 
b. Përcaktimi i zonave policore
Shërbimi i Policimit Parësor, kërkon përcaktimin e “Zonave Policore” për çdo juridiksion tokësor ku operojnë strukturat vendore të policisë. Këtu merr rendësi emërtimi i zonës policore, si qeliza baze e kontrollit të territorit, që nga zonat për shërbimin e patrullës të përgjithshme, të inspektorit të hetimit të krimeve, etj. Nga ky proces reformimi, strukturat vendore duhet të jenë përfituesit kryesore, pasi synimi i saj, është forcimi i strukturave policore të nivelit vendor. Teoria e krijimit të zonave policore është e njohur për policinë, rikrijimi i tyre , duhet bërë në raport me ndarjen e re administrative të territori, dhe lëvizjeve demografike të popullsisë duke thyer organizimet shabllone, tabu, të deritanishme. Prioritet duhet t’i jepet vendeve me dendësi më të madhe të popullsisë apo numër më të madh të zërave te kriminalitetit. Reforma në çështjet e zonave policore, synon që mbi bazën e propozimeve të vet strukturave vendore, të bëhet për herë të parë, renditja i tyre në shkallë vendi. Miratimi i zonave policore për specialistët e hetimit të krimeve të nivelit vendor, do të jetë kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku do të realizohet dhe politika e emërimeve, transferimeve, apo lëvizjeve të ndryshme të burimeve njerëzore të këtij niveli, gjithnjë sipas procedurave standarde të rregullores së personelit.

(vijon në numrit të ardhshëm)
Sigal