Sigal

Në ditën e 8-të të protestës së tyre, studentëve u ka ardhur dhe një mbështetje nga SHBA.

 ‘Rinia Shqiptare e SHBA’ përmes një komunikate ka mbështetur studentët dhe u bën thirrje që të qëndrojnë të fortë deri në fund për kërkesat e tyre.

“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare, që nëse pretendon se nuk e ka buxhetin për ta bërë arsimin falas, të kursejë nga paratë që shpërdoron për fasada dhe për tendera të panevojshëm”, thuhet në reagim.

Komunikatë mbi protestën nga rinia shqiptare SHBA

Ne, si lëvizje rinore, shprehim hapur përkrahjen tonë me studentët në Shqipëri. E drejta e edukimit dhe e drejta e shëndetit, janë baza e njerëzisë dhe dy shtyllat kryesore të shoqërisë. Si të tilla, kanë nevojë për trajtim të veçantë. Shteti duhet të investojë sa më shumë në këto dy shtylla, për ta bërë vendin të jetueshëm. Kushdo që jeton këtu në Amerikë, e di shumë mirë, që edhe pse këto dy shtylla paguhen (shtrenjtë), prap së prapë çalojnë dukshëm. Është logjike përderisa, dija dhe shëndeti blihen me para, ajo fushë kthehet në biznes. Ndaj, mos bëni biznes me studentët. Dija as shitet, as blihet. Dhurohet!

I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare, që nëse pretendon se nuk e ka buxhetin për ta bërë arsimin falas, të kursejë nga paratë që shpërdoron për fasada dhe për tendera të panevojshëm. Studentët kanë të drejtë në ato që kërkojnë dhe kanë nevojë për mbështetje.

U bëjmë thirrje, gjithashtu, studentëve, të mos pranojnë ftesën për negociata. Kërkesat ua keni bërë të qarta. Nëse afroheni për negociata, ka rrezik t’ju manipulojnë, t’ju ofrojnë shpërblime në këmbim të qetësisë tuaj, t’ju përçajnë. Atyre u ngelet vetëm të pranojnë ose jo kërkesat tuaja.

Jemi me ju, jemi Rinia, e ardhmja. Pa ne, nuk ka zhvillim, nuk ka Bashkim Europian, nuk ka emancipim. Nëse ne nuk duam, nuk ndodh. Qëndroni të fortë, deri në fund! Për arsimin falas, për të drejtat e studentëve, për të drejtat njerëzore.

Stafi i Rinia Shqiptare në SHBA