Protestë ndaj ndotjes: “Të largohet KURUM”

660
Rritja e nivelit të ndotjes dhe mungesa e kujdesit dhe vëmendjes nga pushteti vendor dhe qendror, ka detyruar dje banorët e fshatrave Bradashesh, Katundi Ri, Kusarth, e Shijon, të paralajmërojnë bllokimin e aksit rrugor nacional Elbasan-Tiranë deri tek tuneli, në rast se nuk marren masa urgjente për të ndaluar ndotjen alarmante që u shkakton atyre KURUM. Uzina e çelikut dhe impiantet e tjera të shkrirjes së metaleve, të kompanisë KURUM, prej vitesh po helmojnë mbi 1500 familjet e këtyre fshatrave, duke krijuar stres dhe duke u shkaktuar atyre dëmtime të rënda në shëndet. Banorët e fshatrave të kësaj komune, të indinjuar shprehen, se “prej vitesh ne jemi të vetmuar, asnjeri nuk na përkrah, as komuna as Prefektura, as qeveritë, as deputetët, KURUM po helmon banesat tona, ne dhe fëmijët tanë, bagëtinë dhe të mbjellat tona, dhe asnjeri nuk vjen të ndalojë këtë tmerr që po përjetojmë ne”. Gjatë fushatës së fundit elektorale, deputetët dhe ministrat e kësaj qeverie, u premtuan atyre se, “do të ndalim ndotjen, do ta detyrojmë KURUM të vendosë sistemin e filtrave, ndryshe do të bllokojmë aktivitetin e tij”. Por duket se KURUM, ka sfiduar ligjet, ministrat e qeverisë, deputetët, dhe nuk po pyet për jetën e mijëra banorëve. Në marsin e këtij viti, për herën e dytë, banorët e 5 fshatrave, duke parë mashtrimet dhe heshtjen vrastare të qeverisë, paguan një avokat dhe hapën edhe një çështje penale ndaj KURUM, dosje e cila nuk u hetua kurrë nga Prokuroria, por edhe as u gjykua ndonjëherë. Në Maternitetin e Elbasanit, shprehen se “në çdo 5 lindje që vijnë nga fshatrat e Bradasheshit, 2 prej tyre dalin me probleme, dhe kjo si shkak i ndotjes nga KURUM, i cili sipas raporteve dhe matjeve mjedisore rezulton se shkakton ndotje afro 10 herë mbi normat e lejuara në ato fshatra”. Banorët e 5 fshatrave të Bradasheshit, që ndoten keqazi nga uzinat e KURUM, sërish janë ngritur në protesta dje për ndotjen alarmante, e cila po helmon gjithçka që ata kanë. Helmet dhe gazrat po mbulojnë ditën e natën banesat, duke mos i lejuar të hapin dyert dhe dritaret, po u helmon bagëtinë, dhe kjo duket se refuzimi banorëve të Elbasanit për të mos blerë qumështin dhe bulmetin e tyre. Po helmon ajrin, duke sëmurur burra, gra dhe fëmijë të atyre fshatrave, si dhe po dëmton dhe ndikon tek lindjet e reja. Por si të mos mjaftonte kjo situatë alarmante, banorët u shprehën, se “ndjehemi të braktisur edhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, kurse inspektorët e saj as që duken në Bradashesh, ndoshta janë kompromentuar, ashtu siç janë kompromentuar edhe të tjerët nga KURUM, pra janë blerë”. ARM duhej të ishte gjendur vazhdimisht në uzinat e KURUM, të kryente matjet dhe të monitoronte ndotjen e ajrit në zonat e banuara të komunës së Bradasheshit, ndërkohë që inspektorët e saj ose nuk e njohin detyrën ose nuk duan ta kryejnë atë. Ndotja e KURUM, ka qenë dhe është problemi kryesor jetësor për banorët e komunës së Bradasheshit. Dje një banor i fshatit Katundi Ri, u shpreh për “Telegraf”, se “ne kemi vendosur të bllokojmë aksin nacional Elbasan-Tiranë, do të mblidhemi dhe do të bllokojmë rrugën, por edhe portën kryesore të KURUM-it, situata është më shumë se alarmante, në fushatë na thanë se do të detyrojmë turqit të vendosin sistemin e filtrave, na thanë se kemi investuar miliona dollarë, ndërkohë që ne nuk hapim dot dyert dhe dritaret dhe po na helmohen tokat, bagëtitë, fëmijët”. Paralajmërimi banorëve ka ardhur edhe për deputetët socialistë, të cilët u premtuan atyre ndryshimin e situatës pasi të vinin në pushtet, por që realisht situata është rënduar më shumë prej 2 vitesh. Ligji dhe Agjencia e Mjedisit, duhet ta detyrojnë KURUM-in të mbajë 24 orë në punë sistemin e filtrave, kur furrat e shkrirjes janë të ndezura, dhe ti fikë ato kur procesi ka përfunduar. Në çdo shtet tjetër europian ose jo, KURUM do të ishte gjobitur dhe larguar prej kohësh, por dhe nuk do të guxonte të luante me ligjet e shtetit, dhe jetën e qytetarëve, por tek ne duket se blihen lehtë dhe lirë qeveritarët.
Sigal