Prokuroria e Tiranës/ Vdekja e gruas së portierit Alban Hoxha: 5 vite burg për 2 mjekët

678
Sigal

Gazeta Telegraf/

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot 5 vite burg për dy
mjekët që kishin në ngarkim rastin e gruas së portierit të Partizanit, Alban
Hoxha, Dorjana Haka, e cila humbi jetën pas lindjes, duke i deklaruar ata
fajtorë.

Gjatë pretencës së dhënë sot, organi i akuzës ka
deklaruar fajtorë Petrit Rexhepin dhe Elona Burbën, duke kërkuar që ata të
dënohen. Sakaq, prokuroria kërkoi që mjekët ndër të tjera mos të ushtrojnë
profesionin. Burba, anestezite dhe Petrit Rexhepi, mjek obseter-gjenekolog,
akuzohen për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.

Aktakuza


Prokuroria theksoi se hetimi për vdekjen e Dorjana Hakës nisi në 4 dhjetor
2014, pas kallëzimit të bërë nga ana e babait të saj, Enver Haka. Ai u ka thënë
hetuesve se e bija, e cila priste të sillte në jetë fëmijën e parë, që në fakt
lindi një djalë që gëzon shëndet të plotë, nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim
shëndetësor, as para dhe as në momentin kur u dërgua në maternitet. Në dosjen e
prokurorisë thuhet se në maternitet Dorjana është shoqëruar nga bashkëshorti, Alban
Hoxha, prindërit dhe vjehrra e saj. Para se të shtrohej në maternitet –
theksohet në dosje – vjehrra e Dorjanës kishte biseduar me një miken e saj,
konkretisht anestezisten Burba të maternitetit “Koço Gliozheni”, të cilat
kishin planifikuar datën dhe orën e shtrimit për lindje. Theksohet në dosje
gjithashtu se Dorjana Haka ka mbërritur në maternitet në orën 09:00 të datës 4
nëntor 2014. Fillimisht gjithçka dukej sikur shkonte më së miri, por pas
lindjes tek Dorjana Haka janë vërejtur probleme shëndetësore dhe disa ditë më
vonë e reja ka ndërruar jetë.