Prof. Myqerem Tafaj: Retorika e Ramës për pseudoreformën e arsimit të lartë

689
Sigal

Gazeta Telegraf/


E vërteta e
rritjes së pagës së pedagogëve dhe punonjësve shkencorë


Retorika e Ramës
për pseudoreformën e arsimit të lartë


Prof. Myqerem
Tafaj


Siç e ka zakon,
edhe dje Rama i mbajti drejtuesit e universiteteve të vendit tre orë për t’u
shpjeguar, se çfarë ka ndërmend të bëj tani, kur qeverisja e tij po përfundon
pa ndonjë bilanc pozitiv. Merak të madh e ka kryeministri kaosin e pranimeve në
universitete. Qëllimi u arrit. Dy muaj kaos dhe pasiguri detyroi mijëra
maturantë të regjistrohen në degë që kërkojnë shumë më pak pikë, sesa ata
kishin grumbulluar me rezultatet e arritura. Më keq akoma. Shumë maturantë i
detyruan familjet të marrin borxh që të regjistrohen në shkollat e larta
private, nga frika se mos mbeten fare pa shkollë. Akoma degë shumë të kërkuara
kanë kuota të paplotësuara. Kryeministri nuk u tha maturantëve, përse i ndryshoi
rregullat e lojës thuajse në fund të procesit. Por tani e kanë kuptuar të
gjithë qytetarët, se maturantët e këtij viti e pësuan. Prindërit prisnin të
kuptojnë, se çfarë do të bëhet për vitin tjetër. Prapë do të ndryshojnë
rregullat e lojës në marsin e vitit tjetër, 2 muaj para Maturës Shtetërore? Mos
kushedi, na del ndonjë “reformë” tjetër dhe dy tre muaj para përfundimit të
shkollës, maturantët do të përballen me konkurse pranimi dhe Rama do të thotë
“e kërkuan vetë universitetet, sepse janë të (pa)varuara nga qeveria”!

Dyndja e maturantëve drejt shkollave private

Kryeministri nuk
u tha gjimnazistëve në vitin e fundit dhe prindërve të tyre, se rregullat e
lojës nuk do të ndryshojnë. Po u tha: Mendohuni mirë, e keni vetë në dorë! Por
prindërit tani po marrin masa të shpejta: Po heqin fëmijët e tyre nga gjimnazet
më të mira, ku 10 merret me vështirësi dhe po i dërgojnë në gjimnaze, private
dhe publike, ku nota 10 merret më lehtë, sepse mesatarja e shkollës është
paradoksalisht më e rëndësishme se provimet kombëtare, të cilat i vlerëson
gjithë bota! Prindërit, madje edhe ata që nuk kanë mundësi financiare, po
interesohen, që tani, që të dërgojnë fëmijët e tyre për studime jashtë vendit,
sepse nuk kanë asnjë siguri, se mund të studiojnë në Shqipëri. Do të kemi një
largim masiv të të rinjve më të shkolluar për të studiuar jashtë vendit.

Buxheti për arsimin e lartë

Rama u tha
pedagogëve që buxheti për arsimin e lartë aq do mbetet (rreth 0.4-0,5% % e PPB,
ose rreth 450-460 USD për student në vit ose 30 herë më pak se mesatarja e vendeve
të OECD), por do të manaxhohet më mirë. Se çfarë u bë me premtimin që ka bërë
5% e PPB për arsimin në tërësi, të paktën 1% të PPB për arsimin e lartë?

Tarifa e studimeve universitare

Kryeministri nuk
tha asnjë fjalë për tarifat e studimeve universitare, ndërkohë që ato të
masterit janë më të lartat në rajon dhe mijëra të rinj me rezultate të larta,
madje që vijnë edhe nga familje të shtresës së mesme, nuk kanë mundësi të
ndjekim studimet e masterit. Por këtë takim të “ëmbël“ kryeministri e kishte
thirrur për të dhënë sihariqin, se vitin tjetër, tre muaj para zgjedhjeve
parlamentare, pagat e pedagogëve do të rriten vetëm 10%. Në fakt kjo rritje nuk
mbulon as inflacionin e këtyre tre viteve kur pagat në universitete nuk janë
rritur asnjë qindarkë. Drejtuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike, ata të
Universitetit të Korçës, ata të Universitetit të Gjirokastrës dhe ata të
Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave prisnin ndonjë përgjigje nga
Kryeministri, pse ua mori godinat për t‘i përdorur për administratën. Por asnjë
fjalë. Asnjë fjalë nuk tha Kryeministri, se përse shkurtoi me 28% buxhetin e
investimeve në arsimin e lartë publik. Kjo formulë e re e pranimeve është edhe
preludi i zbrazjes së universiteteve publike jashtë Tiranës, si edhe një parapërgatitje
për reformën financiare aq të trumbetuar! Le të presim tani buxhetin e vitit
2017, sa do të jetë ai; a do të ketë bursa për degët prioritare; a do të
fillojë edhe kredia studentore, ku do të kenë akses të barabartë si
universitetet publike edhe ato private!