Shqipëria, kryeqendra e hashashit në Evropë

950
Sigal

Raporti i fundit
i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Drogën

Shqipëria, kryeqendra
e hashashit në Evropë

Dezdemona Porja

Raporti i fundit
i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Drogën e klasifikon Shqipërinë si vend
kryesor të prodhimit të kanabisit. Të dhënat e përpunuara në raportin e vitit
2016 i referohen vitit 2014. Atë vit, sipas të dhënave të bëra publike nga
Guardia Di Finanza para disa ditësh, në Shqipëri u zbuluan 16 hektarë të
mbjella me kanabis, të ndara në 815 ngastra, të gjetura nga 39 fluturime që
zgjatën në total 79 orë e 45 minuta. Që prej asaj kohe situata ka ndryshuar.
Vetëm për periudhën fund qershori – shtator 2016, sipas Guardia Di Finanza janë
zbuluar 213.4 hektarë kanabis në 2086 ngastra, me 42 fluturime që zgjatën 105
orë e 53 minuta, ose gati 1 ditë më shumë fluturime të avionëve italianë që
kanë monitoruar territorin nga ajri. Janë 194 hektarë kanabis më shumë ose 1271
ngastra më shumë se në vitin 2014. Dhe këto krahasime nuk janë përgjatë gjithë
vitit. Përpara nisjes së monitorimit, sipas vetë policisë, narkotrafikantët
kanë patur mundësi të korrin plantacione me kanabis, të një fare vietnameze që
hyn në prodhim për 3 deri në 5 javë. Autoritetet italiane dhe greke po
raportojnë vazhdimisht kapjen e sasive të mëdha të drogës. “Al –Canabistan” e
quante Shqipërinë një shkrim i gazetës italiane “Il Fatto Quotidiano”.
Gazetarja Tiziana Colluto udhëtoi në Shqipëri – në Vlorë e Krujë, si dy
kryeqendrat e reja të prodhimit të kanabisit dhe në Kakavi, si një nga portat e
daljes së drogës – dhe solli prova e dëshmi të kanabizimit të Shqipërisë.
“Shqipëria, aty ku marijuana mban në këmbë ekonominë”, titullohej shkrimi i
saj. Gazetarja solli dëshmi të qytetarëve të Vlorës, të cilët blinin me lista
nëpër dyqane me premtimin se do t’i paguanin kur të korrej kanabisi. Dëshmi të
tjera të banorëve të zonës së Leçe-s flisnin për thasë kanabisi që gjenin
fermerët atje, që dilnin në breg pasi hidheshin nga skafistët. Ministri i Brendshëm
Saimir Tahiri, referuar të dhënave të Guardia Di Finanza, vuri theksin tek
asgjësimi i 99.98 % i parcelave të zbuluara. Që pas publikimit të kësaj të
dhëne në vend janë zbuluar dhjetëra plantacione të tjera dhe nga hetimet e
prokurorisë së krimeve të rënda janë gjetur magazina të tharjes dhe paketimit
të hashashit. Janë kapur disa ton drogë.

 

Në Greqi janë kapur mbi 1.5 ton dhe mbi 3 ton në
Itali.

 

Ministri i
Brendshëm dhe një pjesë e qeverisë refuzojnë të pranojnë situatën alarmante. Dy
ministra, Tahiri e Kodheli iu “vërsulën” ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani
që vjen nga LSI, pasi ai kërkoi që në luftën kundër drogës të angazhohej edhe
ushtria. Por bashkë me daljen e tonelatave me kanabis në vend po hyjnë sasi të
mëdha kokaine dhe heroine. 700 gramë kokainë e pastër e ardhur nga Holanda u
kap në mes të muajit në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Sasia nuk është domethënëse,
por pastërtia e saj shton dyshimet se ajo kishte ardhur në Shqipëri për t’u
përpunuar dhe për t’u tregtuar më pas në vend. Në Kalabri, mediat italiane
raportuan sot për kapjen e 19 kilogramëve kokaine të pastër në një kontejner me
pula të destinuara për në Durrës. Droga vinte nga Paranagua e Brazilit. Vlera e
saj në treg arrinte në 4 milionë euro. Antimafia në Itali po heton për zbuluar
rrjetin e trafikantëve. Dyshohet se kokaina do të përpunohej në Shqipëri për
t’u tregtuar më pas në vende të BE. Arsyeja përse një ngarkesë kaq e madhe
kokaine ishte destinuar për Shqipërinë qëndron në faktin se kontrollet në
dogana besohet se janë më të pakta se në vendet e tjera përreth dhe se në
Shqipëri ekzistojnë laboratorë të përpunimit të kokainës. Vendi ynë në disa
raporte ndërkombëtare konsiderohet edhe si transit i heroinës që vjen kryesisht
nga Turqia. Pasi përpunohet, një pjesë trafikohet drejt BE dhe një pjesë është
e destinuar për në tregun vendas. Të dhënat zyrtare flasin për afro 65 mijë
përdorues të drogave të forta dhe 83 përqind e tyre marrin heroinë. Një prej
laboratorëve më të mëdhenj të përpunimit të kokainës u zbulua vitin e kaluar në
Xibrakë të Elbasanit. Narkotrafikantët kishin punësuar dy kolumbianë për
përpunimin e drogës. Shqipëria është shndërruar kështu në qendër edhe për drogat
e forta. Kjo për shkak të lidhjeve të grupeve shqiptare të trafikimit të
lëndëve narkotike dhe ato të vendeve të tjera në Itali, Greqi e Turqi. “Marijuana
që vjen nga Shqipëria u dërgohet tre grupeve mafioze italiane, Ndrangheta,
Camorra e Sacra Corona Unita, që e shpërndajnë në zonat e tyre të influencës.
Kokaina dërgohet me kamionët e traportit të peshkut dhe agrumeve” shkruan “Il Fatto Quotidiano” në një artikull të
gazetarit Andrea Tornago të 20 shtatorit, referuar arrestimeve të grupit të
drejtuar nga dy shqiptarët, Dhimitër e Xhevahir Poti, bashkëpunëtorë të Kelmend
Balilit, që kërkohet në Greqi për trafikimin e marijuanës, pas kapjes së një
ngarkese prej 700 kilogramësh. Në Shqipëri qeveria deklaron se është në betejë
të vazhdueshme me narkotrafikantët. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i brendshëm,
Saimir Tahiri e krahasojnë gjendjen me vitin elektoral 2013 dhe flasin për
shifra të fshehura nga qeveria e asaj kohe. Por në tre vjet qeverisje kjo është
e para herë që ata u referohen “të dhënave të mbajtura sekrete nga qeveria
Berisha”, që sipas tyre tregojnë se kanabisi është mbjellë në mbarë vendin edhe
në atë kohë. Këtyre të dhënave, që askush nuk i ka parë në shkresa zyrtare, por
vetëm në video të prodhuara nëpër zyrat qeveritare me harta e punime grafike,
kryeministri dhe ministri i tij i brendshëm iu qasën vetëm pasi kanabisi u
mboll në të katër anët. Për herë të parë nëpër media ka dëshmi banorësh në
fshat e qytet që pranojnë se janë të punësuar në plantacionet me kanabis apo në
magazinat e tharjes dhe paketimit. Për herë të parë pas kaq vitesh, përfshirë
edhe 3 vjetët e qeverisë Rama, të arrestuar janë dhjetëra persona që janë të
punësuar në këtë aktivitet të paligjshëm, përkundrejt pagesave prej 20 – 30
mijë lekësh në ditë. Mediat ndërkombëtare po flasin gjithnjë e më shumë për
përkeqësim të situatës. Dhe kjo jo vetëm referuar denoncimeve dhe akuzave të
opozitës, por edhe shifrave të tonelatave me drogë të kapura jashtë Shqipërisë.