Problemet më të shumta të adoleshentëve

Xhulia Marashi 
Psikologe

Adoleshentët e sotëm modernë kanë të theksuar prirjet për cigaren dhe lëndët psikotrope. Si duhet të sillemi me një adoleshent në rastet kur ai është i dhunshëm e me prirje për përdorim duhani, alkooli apo lëndësh narkotike? Parandalimi është me i lehtë se shërimi… 

1-Tregojeni me fjalë dhe shembuj konkretë që përballimi i situatave të vështira dhe i problemeve që nisin në jetën e një adoleshenti për arsye të ndryshme nuk zgjidhen duke përdorur alkool, duhan apo lëndë narkotike. Sqaroje me durim e kujdes, se gjithkush që i ka hyrë asaj rruge. përfundimi i tij ka qenë dështimi në jetë, në familje, karrierë, madje shpesh-herë dhe në dashuri… 

2-Nëse nuk ka motive të vlefshme dhe ka rënie në mësime, probleme në familje apo gjendet nën një plogështi totale, kjo situatë duhet të merret si sirenë alarmi e, nëse do identifikoheshin në kohën e duhur, problemi juaj do jetë më i lehtë për t’u zgjidhur. 

3-Kontrolloni mënyrën si fëmija juaj në adoleshencë i shpenzon paratë dhe, nëse ke nuhatur që përdor duhan apo lëndë narkotike është momenti t’i reduktoni shpenzimet dhe të i ndryshoni në mënyrë të menjëhershme ritmin e veprimeve ditore, e të konsultoheni me specialistë. Shpesh prindërit për të mbuluar mungesat e tyre pranë adoleshentëve, maskohen nën petkun e parasë për t’i kompensuar deri diku kohën e munguar pranë tij, dhe në vend që ta ndihmojnë i kanë dhënë stimul për çorientim. 

4-Mos u bëj në mënyre kategorike aleat me adoleshentin, nëse ke zbuluar qe ai është konsumator i duhanit apo lëndëve narkotike edhe kur përpiqet të gjejë njëmijë e një justifikime që nuk është e tij, element që adoleshentët e përdorin në mënyrë sistematike për të dalë nga situata. Ata për të dalë nga kjo gjendje përdorin shprehjet, “Kam botën time dhe shoqëria ime të njëjtën gjë bën” “nuk është fundi botës” tani jam i rritur’’ etj, slogane të tilla të kohëve që jetojmë. Prindërit me adoleshentë në mënyrë absolute nuk duhet ta tolerojnë as të bëhen palë në gabimin e bërë….toleranca në këtë rast duhet të jetë zero. 

5-Bashkëbisedo me fëmijën në këtë periudhe tranzicioni të adoleshencës, konsultohu, bëji pyetje dhe merri mendimin e tij. Bëji të ditur që edhe mendimi i tij është i rëndësishëm në vendimmarrjet e familjes. Përfshirje e tillë ndikon pozitivisht në marrëdhënie. Një marrëdhënie e shëndetshme sjell pasoja të shëndetshme. Adoleshenti ndihet mirë hera herës kur prindin mund ta konsideroje edhe si shok. 

6-Vendos kufij të prerë dhe mos kini frikë nga kundërveprimi i tyre, pasi vetëm në këtë mënyrë po e mbron nga rreziku, në rast se tregohesh tolerant do rrezikosh më së shumti. 

7-Krijo me të motiv të ri, që ta largosh sa më parë nga rreziku, nxite për një sport të ri apo ndrysho format e argëtimit që të shpenzojë energji të tjera shtesë e mos t’i referohet vesit drejt të cilit mundet të ketë rendur dhe për arsye nga më të ndryshmet; si shoqëria jo e duhur, tepri e kohës së lirë të adoleshentit dhe mos vëmendjes së prindërve për shkak të jetës së ngarkuar. 

8-Ndërto një test të fëmijës tënd për të zbuluar tipin e tij që pastaj të marrësh masat e duhura, p.sh…a ka prirje fëmija juaj për të pasur… 

a- Autokoshiencë 
b- Menaxhim të emocioneve të momentit 
c- Menaxhim i situatave stresante 
d- Sensi i tij kritik ndaj gjithçkaje që ë rrethon 
e- Për vendimmarrje 
f- Në zgjidhjen e problemeve 
g- Aftësia komunikative 
h- Aftësia për të dëgjuar dhe mësuar nga gabimet 
i- A është mjaftueshëm social dhe integrohet në shoqëri të reja lehtë apo me vështirësi… 

9- Nëse do punoni me vëmendje rreth kësaj situate që ti ndërtove me fëmijën tënd në adoleshencë ka gjasa që ta parandalosh rrezikun e përdorimit të lëndëve psikotrope si dhe dëshirën për të përdorur cigaren në moshë shumë të vogël. 

10- Nëse ka ndodhur që fëmija juaj në adoleshencë është i përfshirë në grackën që i ofron përdorimi i tyre, atëherë drejtoju sa më parë qendrave të rehabilitimit dhe qendrave psikologjike pa hezituar, se problemi do ekspozohet, sepse tashmë nuk ke çfarë të presësh më tepër nga këshillat apo sugjerimet, në këtë rast ti nuk je më efikas me rregulla receta apo çfarëdo mjeti apo mënyre tjetër, tashmë trupi dhe truri i adoleshentit është i tëri nën presionin e varësisë e rrugëdaljet janë pothuaj të limituara.