Luftëtari ndërkombëtar, Asim Vokshi

1523
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 80 vjetorit të rënies)

Arsimimi i Asimit
Kishte dy vjet që zhvillohej Lufta e Parë Botërore dhe në janar të vitit 1916 ushtritë austro-hungareze, duke ndjekur forcat serbo-malazeze për qëllimet e tyre imperialiste, pushtuan pothuajse gjithë vendin. Pushtuesi i ri, për interesat e veta politike e për të lehtësuar mbajtjen e pushtimit dha disa liri të pjesshme, lejoi hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Për tre vjet, nga 1916 deri më 1919, të pushtimit austro-hungarez, u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Në shtëpinë e Vokshit, në shkollën e hapur, u mblodhën 925 fëmijë. Mësuesi i parë ishte Ibrahim Fehmiu. Shqiptari kishte luftuar edhe për shkollën, të mësonte gjuhën e tij, të bëhej më i ditur. Në qytetin e Gjakovës u hapën dy shkolla fillore me gjashtë klasa. Njërës iu vu emri i Heroit Kombëtar, “Skënderbeg”. Ishte viti 1916. Kjo ngjarje e madhe pati ndikim të fortë, si në çdo vatër kosovare, edhe në familjen e Vokshëve të Gjakovës. Më 17 tetor të vitit 1922 u hap shkolla e parë shqipe 6-vjeçare dhe me konvikt, nën kujdesin e Bajram Currit e shokëve të tij patriotë. Konvikti i shkollës në fillim ishte në Kolgecaj dhe më pas u vendos në Krumë. Asimi në vitin shkollor 1926-1927 shkoi në një shkollë më të lartë, në gjimnazin shtetëror të qytetit të Shkodrës dhe u sistemuan në konvikti “Malet tona”. Në vitin 1929, Asimi fitoi një bursë shtetërore për të studiuar në auditorët e Akademisë Ushtarake të Këmbësorisë, Kavalerisë dhe Shkollës së Aplikacionit të Këmbësorisë në Modena të Italisë. Studimet zgjatën për dy vjet, në harkun kohor 1929-1930 dhe 1930-1931. Së bashku me Asim Vokshin, në grupin (kursin) e tij, studionin edhe 37 djem të tjerë nga treva të ndryshme të Shqipërisë. Mes studentëve dhe oficerëve të Akademisë, ekzistonin dy rryma, njëra monarkiste dhe tjetra fashiste. Asimi arriti t’i njohë dhe i shfrytëzoi këto për të kuptuar drejt dhe thellë të vërtetën e shkollës që përgatiste ushtarakë të molepsur nga ideologjia fashiste, shtypës për popullin italian dhe mish për top për pushtimin e Shqipërisë e të popujve të tjerë.

Detyrat ushtarake në Shqipëri
Studimet përfunduan në fund të vitit 1931 dhe, më 1 shtator të këtij viti Asimi, me gradën nëntoger, u kthye në Shqipëri dhe u emërua në Pogradec në detyrën zëvendëskomandant i xhandarmërisë së rrethit. Brenda vitit Asimi u transferua përkohësisht adjutant i qarkut të xhandarmërisë në Gjirokastër. Më gjatë se kudo Asimi shërbeu në Delvinë. Në korrik të vitit 1934, Asimi mori njoftimin për një transferim të ri. Këtë radhë në Tiranë, ikte nga baza dhe shkonte në qendër. Midis Shqipërisë dhe Italisë fashiste, gjatë vitit 1934, marrëdhëniet u acaruan së tepërmi. Roma e donte ta kishte sa më parë Shqipërinë koloni të plotë të saj. Ajo i bënte presion dhe e kërcënonte. Më 22 qershor dërgoi pa asnjë paralajmërim dhe leje 22 luftanije në portin e Durrësit. Këtë kërcënim regjimi e quajti vizitë “miqësore”. Gjithë politika e tij antikombëtare, e brendshme dhe e jashtme, ngjalli zemërim të thellë në radhët e popullit. Mbi këtë bazë, në rrethet përparimtare, që në pranverë të vitit 1934, u shtrua si detyrë e ditës organizimi i një kryengritjeje të armatosur kundër regjimit. Qysh më parë, por sidomos gjatë viteve 1932-1935, Asimi u njoh dhe u lidh me udhëheqës të së majtës në Shqipëri dhe jashtë saj. Madje, në Tiranë ai krijoi dhe kryesonte një organizatë të njohur në historinë e Shqipërisë me emrin “Grupi Komunist i Oficerëve”. Në këtë grup bënin pjesë shumë ushtarakë shqiptarë, mes tyre disa shumë të njohur si Bedri Spahiu, Tahir Kadare, Hulusi Spahiu, Dali Ndreu, Prenk Uli, Veli Dedi etj. Asim Vokshi ishte ndër organizatorët e Kryengritjes së Fierit të vitit 1935, në prag të së cilës u arrestua dhe u dënua me burgim. 

Luftëtar dhe komandant në Spanjë
Kur fashistët goditën pabesisht Republikën Spanjolle ai u inkuadrua në rreshtat e Brigadës Internacionaliste “Garibaldi” si ushtar i thjeshtë. Grupi i oficerëve ishte nismëtari dhe dërgoi për të marrë pjesë në Luftën e Spanjës të viteve 1936-1939. Zotësia që tregonte Asimi në fushën e betejës, përfundimet që nxirrte nga veprimi edhe i ushtarit të thjeshtë, këshillat dhe ndihma për shokët, shumë shpejt i bindën luftëtarët e batalionit të tretë, të Brigadës “Garibaldi” se kishin të bënin me një njeri që njihte luftën dhe armët e saj, njeri që kishte të bashkuara mirë shpirtin e papërkulur me mjeshtërinë e përdorimit të armëve. Ata kishin vënë re se Asimi hidhej në zjarrin e betejave i papërmbajtur, dhe kjo ua rriste moralin shokëve, që të mos i lëshonin llogoret e luftës. Asimi fliste rrallë dhe ashtu i heshtur, më tepër dëgjonte. Shembulli i tij personal në sulm u bë mjet edukues për të tjerët dhe lavdi për popullin shqiptar, që e përfaqësonte denjësisht në arenën luftarake ndërkombëtare. Ai u tregua i pjekur, luftëtar i papërkulur kundër fashizmit dhe mjeshtër i armës. Kur nisnin betejat, komandanti i ngarkonte Asim Vokshit detyrat më të vështira. Ata dhe shokët e tij kishin besim te ai, se ishte ushtar me disiplinë të hekurt i asaj ushtrie ku merrnin pjesë luftëtarë nga pesëdhjetë e tre kombe, zbatonte urdhrat dhe e plotësonte detyrën deri në fund. Asimi i kryente detyrat, mbasi njihte artin e luftës, dinte të përdorte me mjeshtëri armët, kishte guxim dhe ishte gjakftohtë. Kështu, në mes të njëqind e njëzet luftëtarëve, aq sa kishte një kompani, komandant u bë Asim Vokshi. Ai përherë ishte shquar në cilësitë e mrekullueshme për të komunikuar shpejt me njerëzit, me shokët, për t’ua fituar atyre besimin dhe dashurinë. Por më shumë se kudo, kjo duhej bërë në fushën e betejës, me shokët e luftës. I deshi luftëtarët e kombësive të ndryshme, të cilët po aq e deshën, si vëlla, si luftëtar, si komandant. Te komandanti shqiptar ata kishin besim të pakufi, sepse ai ishte i sakrificës, jepte gjithçka për shokun e luftës. Ku ishte rreziku më i madh, aty gjendej me parë komandanti. Aq i ëmbël ishte në pushim, aq i egër bëhej në vijën e zjarrit, kur shënonte në llogoret e armikut. Asim Vokshi, si ushtarak i talentuar, kishte bërë emër në brigadën “Garibaldi”. Duke njohur aftësitë e tij organizuese dhe përgatitjen e lartë si ushtarak, u thirr në shtatmadhori, e cila e caktoi në shtabin e Brigadës “Garibaldi” oficer të shtabit, për të dhënë edhe ai mendime e për të marrë pjesë në diskutimin e çështjeve të ndryshme të organizimit të trupave e të luftimit. Në mendimin e komandës së Brigadës, Asim Vokshi ishte tashmë një ushtarak i pjekur, luftëtar i vendosur e besnik dhe kishte perspektivë për një detyrë më të rëndësishme, komandant kompanie në batalionin e tretë të Brigadës së 12-të “Garibaldi”. Në fund të gushtit të vitit 1937, republikanët kaluan në mësymje në frontin e Aragonit në drejtim të Saragosës, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës fashiste, e cila ishte hedhur me forcat kryesore në frontin e veriut, duke kërcënuar qytetin e Santanderit në tokën baske. Veprimet luftarake ishin shumë të ashpra e të përgjakshme, të cilat në këtë front, vazhduan deri më tej nga gjysma e muajit tetor. Asimi mori pjesë në luftimet e ashpra të Fuento del Ebros, ku ra dëshmor, në luftimet e datës 4 Tetor të vitit 1937, kur ishte vetëm 27 vjeçar. Në korrik të vitit 1943, vëllai i dytë i Asimit, Derguti, u pushkatua nga fashistët italianë, në Landrovicë të Gjakovës. Hallë Bije Vokshi i tregon të vërtetën të vëllait, Aliut, babait të Asimit: “Të rrosh vetë vëlla, Dergutin e vranë sot fashistët italianë, Asimin e kanë vra para gjashtë vjetësh në Spanjë!”.

Në memorie të popullit shqiptar, kosovar dhe spanjoll
Asim Vokshi, Heroi i Popullit nuk ka varr. Populli këtij biri të vet të pavdekshëm, në vend të varrit, i ka ngritur monumente bronzi, i ka thurur këngë, shumë shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij, si dhe janë shkruar libra dhe monografi për jetën e tij. Për meritat e tij revolucionare në luftën për lirinë Atdheu e ka dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut të Klasit II” dhe më 10 korrik 1949 Kuvendi Popullor i dha titullin e lartë “Hero i Popullit”. Asim Vokshi është çmuar dhe dekoruar nga shteti spanjoll në nderim të veprës së tij si dëshmor. Monumente janë ngritur në brigjet e Ebros së përgjakur. Dita e madhe e lirisë është mbjellë cep më cep në të gjithë tokën spanjolle. Në të gjitha betejat më të ashpra, sidomos ato të Madridit, Haramës, Guadalajarës, Brunetës, Teruelit, Aragonit, Ebros dhe Katalonjës morën pjesë edhe vullnetarët shqiptarë, të cilët nuk mbetën aspak prapa trimave më të mirë të Luftës së Spanjës. Populli spanjoll kurrë s’i ka harruar luftëtarët ndërkombëtarë që u vranë për lirinë e tij.
Sigal