Presidenti Meta vlerëson Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe njësitë e specializuara të kërkim-shpëtimit: Faleminderit Kosovë! Faleminderit shpëtimtarë!

447
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot Forcat e Sigurisë së Kosovës, Njësinë Operacionale të Policisë, Ekipin e Zjarrfikësve të Kosovës, Njësinë K9 si dhe të gjithë ekipet e specializuara që nëpërmjet  gatishmërisë së lartë, profesionalizmit të spikatur dhe sakrificave të pakursyera gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit, treguan një ndjenjë të pashembullt solidariteti vëllazëror pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në Kazermën Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë, në prani të Kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe Komandantit të FSK-së Gjeneral Lejtnant Rrahman Rama, Presidenti Meta në vlerësim të lartë dhe me mirënjohje të thellë shtetërore për solidaritetin njerëzor dhe humanizmin frymëzues çmoi Task Forcën e Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” “Për gatishmërinë e lartë, profesionalizmin e spikatur dhe sakrificat e pakursyera të treguara gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vlerësim të lartë dhe me mirënjohje të thellë shtetërore për solidaritetin njerëzor dhe humanizmin frymëzues.”


Gjithaahtu Presidenti Meta vlerësoi dhe Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Për gatishmërinë, profesionalizmin dhe trimërinë e treguar gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vlerësim dhe me mirënjohje shtetërore për sakrificat humaniste si dhe për aktet e pashembullta frymëzuese të solidaritetit më të lartë qytetar”.

Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës u shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin shtetëror për heroizmin dhe solidaritetin vëllazëror, si dhe në vlerësim e me mirënjohje për sakrificat e pashembullta të bëra gjatë kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019: Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike,  Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh:
“Shumë i nderuar kryeministri i Republikës së Kosovës z.Ramush Haradinaj, shumë i nderuar zëvendëskryeministri Pacolli, të nderuar ministra, deputetë dhe përfaqësues të institucioneve, shumë i dashuri gjeneral Rama!

Të dashur shpëtimtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, policisë së Kosovës dhe gjithë ekipeve të tjera, që u paraqitët në orët e para, në vijën e parë të një beteje midis jetës dhe vdekjes!

Nuk ka emër më të mirë dhe vlerësim më të mirë sesa shpëtimtarë, për të gjithë Ju. Do dëshironim shumë që ta kishim festuar 28 nëntorin me të gjithë madhështinë, që meriton kjo ditë e bekuar për mbarë kombin tonë.

Këtë ditë që ia kemi borxh Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit dhe të gjithë patriotëve tanë do donim ta festonim si gjithmonë bashkë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë e Prizren, në Shkup e Nju-Jork. Por ja që nuk ishte e thënë!
E megjithatë edhe ky 28 nëntor që sapo lamë pas, na gjeti të bashkuar si asnjëherë tjetër në historinë tonë. Të gjithë shqiptarët kudo janë u bënë bashkë për t’u përballur me pasojat katastrofike që shkaktoi tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit në Shqipëri.

Në këtë betejë, tashmë me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike dhe partnere bënë më të mirën e mundur, për të na u gjendur pranë sa më shpejt të ishte e mundur.

Por, Kosova ishte e para që u ndodh atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës.

Ekipet tuaja nuk ishin atje vetëm fizikisht dhe profesionalisht, por në radhë të parë njerëzisht, vëllazërisht dhe shqiptarisht duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë të tjera.

Populli shqiptar do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Togës së Kërkim-Shpëtimit, Ekipit Mjekësor, Ekipit të Kompanisë për Operacionet Civile, Ekipit për Kiminë, Policisë Ushtarake, Njësisë për Komunikimin, Ekipit për Mbështetjen në Vlerësim të Ndërtimit të Ndërtesave dhe të Rrezikshmërisë, Çetës së Shpëtimit të Trepçës dhe Artanës, Njësisë Zjarrfikëse, Koorporatës Energjetike të Kosovës, që treguan maksimalisht solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri të jashtëzakonshme.

Kosova duhet të jetë krenare për Forcat e Sigurisë së saj, por edhe të Policisë, të cilat demonstruan një profesionalizëm tejet të lartë dhe bashkëkohor që do të nderonin edhe vendet më të zhvilluara të botës!

Jam i sigurt që çdo vend i NATO-s do të ishte krenar për atë që ju keni shfaqur gjatë ditëve dhe netëve pa ndalim, pa u lodhur, me qëllimin e vetëm për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish dhe për të ndihmuar të lënduarit dhe të prekurit nga kjo fatkeqësi e rëndë natyrore.

‘Kush shpëton një jetë, shpëton një botë të tërë,’ – ka thënë Shenjtorja Nënë Tereza.

Ju shpëtuat shumë jetë. Ju  ndihmuat shumë të lënduar dhe na u gjendët pranë në momentet më të vështira dhe për këtë ju jemi thellësisht mirënjohës!

Të gjithë qytetarët tanë shprehin mirënjohjen më të thellë e më të përzemërt të mbarë popullit tonë, dhe sidomos të komuniteteve më të goditura për këtë solidaritet shembullor dhe për këtë ndihmë vëllazërore.

Me këtë kurajë të pashembullt ju na dhatë forcë edhe ne të gjithëve.

Shfrytëzoj këtë rast sot të shpreh një mirënjohje të thellë për të gjithë popullin e Kosovës që dha një ndihmë të pakursyer dhe tregoi një gatishmëri të pashoqe, duke dëshmuar edhe një herë zemrën e madhe që e ka karakterizuar gjithmonë.

Falënderoj Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj për mobilizimin e menjëhershëm! Dua të falënderoj të gjithë udhëheqësit politikë: zotin Albin Kurti, zotin Isa Mustafa, zotin Kadri Veseli dhe gjithë të tjerët për mesazhet e tyre të solidaritetit, si edhe Qeverinë e Kosovës për punën dhe gadishmërinë, por edhe për kontributin e parë financiar që shteti i Kosovës dha, duke nxitur kështu edhe mbështetjen e jashtëzakonshme brenda Kosovës dhe në mbarë botën.

Marrëdhënia jonë me Kosovën është e fortë dhe e patundur si në kohë të mira, ashtu edhe në momente dramatike.

Kosova ka një zemër bujare!

Në këtë fatkeqësi edhe njerëzit më të thjeshtë e me mundësi më të pakta ekonomike shprehën gatishmërinë t‘iu dalin në krah motrave e vëllezërve shqiptarë me ndihma nga më të ndryshmet e deri në strehimin e tyre, duke ndarë edhe varfërinë e tyre.

Kosova me zemër të madhe, ka edhe bij e bija  trima, të përkushtuar dhe profesionistë siç janë të gjithë ekipet, të cilat kam privilegjin t’i takoj dhe t’i nderoj sot këtu.

Falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush!

Puna dhe solidariteti juaj nuk ka për t’u harruar kurrë!

Është e vërtetë se tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e mijëra e mijëra ndërtesave në Shqipëri dhe madje i rrëzoi shumë keq shumë prej tyre. Por është po kaq e vërtetë se ai provoi se themelet e solidaritetit tonë mbarëkombëtar dhe mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

Ndaj dhe një herë faleminderit shumë shtetit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për solidaritetin e tyre të jashtëzakonshëm!
E puth në ballë qenin hero të Kosovës!”
Më pas, në përfundim të ceremonisë solemne, Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj i shprehu mirënjohjen e veçantë Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duke theksuar se: “Kam nderin që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju nderoj me medaljen “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

“Duke ju uruar shëndet, suksese dhe prosperitet, shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim edhe në të ardhmen për të mirën e popujve të të dy vendeve tona.” – tha kryeministri Haradinaj.