Posta Shqiptare në ndihmë të “Shtëpisë së të Moshuarve” në 104-vjetorin e saj

69

 

Posta
Shqiptare organizoi ne 104- vjetorin e  krijimit, një aktivitet në
mbështetje të “Shtëpisë së të Moshuarve”, një institucion, i cili ofron
akomodim në mbështetje të moshës së tretë.

Aktiviteti i zhvilluar në
ambientet e “Shtëpia e të Moshuarve”, kishte si qëllim përmbushjen e disa
nevojave bazike të këtij institucioni, përmes një donacioni, me paisje të
ndryshme elektro-shtëpiake.

Gjatë aktivitetit, Drejtori i
Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, tha se këtë vit kishin
vendosur ta festonin ndryshe 104 vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare, duke
ju ardhur në ndihmë moshës së tretë. “Këtë vit vendosëm të mos e festonim me
ekspozita, por zgjodhëm që si lajtmotiv të festës tonë të kishim mbështetjen
ndaj një shtresë e cila ka nevojë për kujdesje, siç janë të moshuarit, ndaj
vendosëm që të kontribuonim sado pak për të ndihmuar në nevojat që ka ky
institucion social”, tha Lazimi.

Lazimi theksoi me tej se “Ne si
Postë Shqiptare nuk duam të shikohemi thjeshtë në planin e një kompanie publike
tregtare, ku gjatë gjithë vitit krijojmë mundësinë që t’ju shërbejmë klientëve
tanë, por ti shikojmë pikërisht disa shtresa të shoqërisë siç janë të
moshuarit, jo thjeshtë si klientë që marrin çdo fund muaji pensionin e tyre,
por mbi të gjitha duam të shpërblejmë pikërisht këtë përkrahje të tyre, këtë
besim të tyre tek Posta Shqiptare, në këtë ditë jubilare për ne, siç është
përvjetori i 104-t i Postës Shqiptare. Në fakt jo vetëm në Tiranë, por në të
gjithë filialet tona, kemi shprehur interesin që Posta Shqiptare sipas
mundësive që ka, të kontribuojë dhe të shprehë këtë përgjegjësi sociale në
institucione të ndryshme siç janë jetimoret, institucionet e fëmijëve me aftësi
të kufizuar, etj.”

Ndër të
tjera, Lazimi shtoi “jam shumë i lumtur që patëm mundësi të bashkëpunomin, dhe
pse jo t’ju rikthejmë sado pak buzëqeshjen këtyre të moshuarve, pavarësisht
vështirësive ekonomike dhe sociale që secili prej tyre ka.”

Në fund të fjalës së tij, Lazimi
theksoi faktin se Posta Shqiptare nuk do të shfrytëzojë vetëm ditët e rëndësishme
siç është kjo e sotmja, por gjatë gjithë vitit do të ketë ndjeshmërinë dhe
sensitivitetin për të qenë sa më afër shtresave në nevojë.

Gjithashtu gjatë këtij
aktiviteti, Drejtoresha e “Shtëpia e të Moshuarve”, znj, Anila Peçi, falenderoi
Postën Shqiptare në emrin e të gjithë të moshuarve për ndihmën dhe donacionin
utilitar që Posta Shqiptare kontribuoi sot.