Portreti i plantacioneve në Xarë të Konispolit ku grekët porositin prodhimin

395

Fermerët respektojnë ligjet dhe punën, nuk duan t’ia dinë as për Edi Ramën, as për ministrat e deputetët

Sefer Pasha

 

Është privilegj të jesh këto ditë vjeshte në fshatin Xarë të komunës së Konispolit. Fushat kudo mbjellë me mandarina dhe rrush. Thuajse të gjitha tokat të sistemuara mrekullisht. Ndodhem në fermën e xariotit Spiro Bolika, që vendasit i thërrasin shkurt, Leo. Edhe pse thatësira ka bërë punën e saj kjo dukuri nuk ndihet në Xarë. Duke filluar që nga gjiri i Butrintit e deri tutje në kufi, në Qafën e Botës, shtrihen plantacionet me portokalle, mandarina, limona, rrush e ullinj. Vrinasit, xariotët e Mursisë e ata të Shkallës, i kanë  ngulur “thonjtë” edhe në monopatet qysh nga Gryka e Bugazit e deri në Konispol. Mjeshtrit e vreshtave kanë mbjellë shumë drufrutorë, por “mbretëresha” është mandarina. Në këtë kohë të thatë ngjyra e thellë e errët e mandarinës sikur ngjit mbi Udhën e Bufit ca liqene të zinj. Me Spiron kapërcejmë Mullirin e Kolës, ku është një burim e që i thonë Burimi i Butrintit, e futemi në plantacionin e tij prej dhjetëra hektarësh. Xarioti më tregon punën që ka bërë  qysh prej shumë motesh. Me mundime është ngjitur në këtë pikë të admirueshme. I flas në emër tek Stacioni i Pompimit,  i cili e ngjit ujin tek “skifterët”. Më këshillon që t’i flas, Leo, dhe unë kështu bëj. Kur më flasin, Leo, kam më shumë fat, belbëzon ai.  Leoja i ka kaluar të gjashtëdhjetat, por mbahet si lis. Fytyra e djegur nga dielli i jep pamjen e një detari. I kërkoj që ta heqë kapelën për të bërë disa foto, por nuk pranon. Nuk japin prodhim mandarinat, më thotë me të qeshur. Leoja ka punuar shumë. Dheun e thatë të tokës e ka shkërmoqur me duar. E kam amanet nga babai, Mihali, thotë ai. Puna të bën të pasur, qe amaneti i atit tim. Dhe Leoja nuk do t’ia dijë për shtetin. Gjithashtu nuk do t’ia dijë as për Edi Ramën, as për ministrat e deputetët. Ka vetëm një merak dhe sytë i mban nga Qafa e Skërficës nga ku do të zbresë rruga prej Urës së Kardhiqit, në Delvinë e Sarandë. Tregun e mandarinave e ka të siguruar në Durrës e Tiranë. Por të ha qiraja udhës, thotë ai.

Spiro Bolika e ka ngritur këtë “kala” me djersë e me mundime e pagjumësi. Duhet që të isha kthyer edhe më shpejt nga emigracioni, shfryn ai. Me tregtinë e mandarinave ka ngritur një vilë për ta pasur zili bashkë me të shoqen dhe tre djemtë. Pas vilës është garazhi me makina e traktorë të të gjitha markave për të punuar vreshtin e madh. Brenda garazhit ka ngritur gjithashtu dhe një servis modest. Në mes të plantacionit të bukur ka ngritur po ashtu dhe një kasolle alpine, ku vështron me “dylbi”çifligun. Edhe pse ja grabitën stacionin e Pompave të ujit, Leoja, nuk u thye. Gjithçka e filloi nga e para. Pas godinës së Pompave të ujit ka ngritur dhe një rezervat peshku. Asgjë nuk i mungon. Ai po lufton, që edhe të dy djemtë që i ka emigrantë në Gjermani t’i kthejë në Xarë. Po të dish të punosh Xara ia kalon Gjermanisë, thotë me zë të lartë. Rrënjët e mandarinave i lag deti, i pjek dielli e i freskon vesa e Grykës së Bugazit. Qindra turistë që vizitojnë qytetin antik të Butrintit filmojnë dhe fotografojnë pamjet magjike të plantacioneve të vrinasve e xariotëve. Janë të shumtë xariotët që tokat e shenjta të këtyre viseve i qëndisin ditë pas dite me drurë frutorë të rinj. Vetëm kafeja nuk bëhet në fshatrat rrotull Butrintit. Leoja më thotë se edhe një fshatari im nga Kremenari i Mallakstrës ka marrë me qira disa toka dhe po ngre “bahçe” dhe “yrte” me mandarina, limona e ullinj. Por kremenarasin tim unë nuk e gjeta dot në brinjat poshtë Udhës së Bufit.

Me Leon udhëtojmë për në Igumenicë të Greqisë, ku ai tregton mallrat e vreshtit të tij. Në Doganën e Qafës së Botës doganierët grek e përshëndesin Spiro Bolikën me shumë dashamirësi. Ata e respektojnë se tregtari nga komuna e Konispolit nuk merret me drogë e as me ndonjë pisllëk tjetër. Pikërisht për këtë arsye “trari” ngrihet menjëherë, sikur Leoja  të jetë njeriu i shtëpisë së grekëve. Edhe tregtarët brenda në qytetin e Igumenicës e ftojnë për kafe. Miqtë nuk mungojnë kudo për të. Spiro Bolika edhe fjalën e ka me identitet. Një qese me limona ma ka paketuar që unë t’i çoj në muzeun e Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe të Kosovës. Kur ato të vyshken Leoja do të çojë limona të tjerë, që stendat e muzeut të Ukshin Hotit të kundërmojnë nga limonat e Xarës në fund të hartës së Shqipërisë, në Konispol.

Spiro Bolika brenda një caku kohor të admirueshëm në saj të koeficientit të lartë të inteligjencës, me qetësinë e esnafit të vreshtarisë, ka ngritur një fermë vezulluese. Dituria e detajuar i ka dhënë frytet për së mbari. Dora – dorës ai do të marrë dhe një skuadër me vreshtarë. Deri tani parashikimet i kanë dalë.

Shtator: 2019 – Konispol