Poligoni i Tërpanit në Berat i rrezikshëm, nuk u izolua pas mbylljes së demontimeve

637
Sigal

SHQETËSIM/ Poligoni u mbyll pas ankesave të banorëve se shpërthimet po u shkatërronin shtëpitë

Edhe pse poligoni i Tërpanit në rrethin e Beratit nuk po përdoret më për demontimin e municioneve, zona përreth tij përbën një rrezik serioz për jetën e banorëve. Ky poligon, i përdorur për disa vite me radhë për asgjësimin e municioneve është mbyllur pas shqetësimeve të përcjella nga banorët në lidhje me dëmtimet në banesat e tyre për shkak të shpërthimeve, por kjo nuk mjafton për të siguruar jetën e tyre. I cilësuar si “Hotspot” dhe një zonë me rrezikshmëri të lartë, pritet që ky poligon t’i nënshtrohet procedurave të specializuara të pastrimit nga municionet e mundshme të paplasura, por ende nuk është marrë asnjë masë për eliminimin e rrezikut që mbart ky vend, ende i pa izoluar. Në këto kushte, ai është shndërruar në një rrezik evident për të gjithë banorët e fshatit Tërpan, pjesa më e madhe e të cilëve e nxjerrin bukën e gojës duke mbledhur skrap në këtë territor, duke mos marrë parasysh rrezikun që u kanoset për jetën nga granatat e municionet e pashpërthyera që ndodhen në territorin e poligonit. Banorët shprehen se disa fëmijë që kishin shkuar për të mbledhur hekurishte kanë gjetur dhe granata të pa shpërthyera në afërsi të poligonit, fëmijët pasi e kanë parë, i janë larguar asaj pasi e kanë kuptuar rrezikun. Banorët e zonës shprehen që duhet kryer një kontroll i kësaj zonë nga specialistë me aparaturat përkatëse, pasi ka ende municione të pa shpërthyera. Banorët shprehen se dihet që poligoni i Tërpanit është një nga më të vjetrit në Qarkun e Beratit. Kjo zonë njihet dhe si një zonë e armatimeve, pasi të gjitha magazinat e armatimit kanë qenë në këto zona dhe si të tilla shumë municione dhe armatime të vjedhura nga depot në vitet e trazirave, janë të fshehura në këtë zonë për të shmangur dhe zbulimit të organeve të policisë. Banorët shprehen se fëmijët që dalin për të mbledhur hekurishte apo kullosin bagëtitë, një ditë do të përballen me këto rreziqe, siç ndodhi disa kohë më parë në Repartin Ushtarak të Bigasit në Skrapar, ku një 42-vjeçar gjeti vdekjen nga shpërthimi i një diegoreje që e kishte mbledhur së bashku me materialet për skrap.