Plagosen 3 minatorë të Bulqizës, heshtin policia dhe punëdhënësit

517
Sigal

BULQIZË/ Aksidenti i dytë brenda një jave. Pas ndihmës së parë në Spitalin e Bulqizës, të plagosurit u çuan në Spitalin e Peshkopisë

Tre minatorë janë plagosur rëndë në galeritë e minierës së Bulqizës dhe ndodhen nën përkujdesjen e mjekëve në spitalin e Peshkopisë, ndërkohë, ashtu si dhe në raste të tjera, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga ana e policisë lokale dhe punëdhënësit. “Është një ngjarje e rëndë, ashtu si dhe shumë të tjera që punëdhënësit mundohen që ta mbajnë të fshehur. Por Bulqiza është e vogël e ngjarja e rëndë e radhës ndodhi në prani dhe të minatorëve të tjerë, e kështu nuk mund të mbahet fshehur. Fatmirësisht, tre shokët tanë të aksidentuar shpëtuan nga vdekja, por kushtet në të cilat punohet nën tokë lënë për të dëshiruar e fatkeqësitë janë të paralajmëruara. Duhet pa tjetër që shteti të marrë nën kontroll të plotë shfrytëzimin e galerive këtu në Bulqizë, jo vetëm për faktin se ajo është pasuri kombëtare, por dhe se jeta e minatorëve është në rrezik. Të tjerë, të lidhur me funksionarë shtetëror, kanë vite që majmen me djersën dhe gjakun e minatorëve të varfër të Bulqizës”,pohon për ‘Telegraf’, Dilaver Përkozhaj, Kryetar i Konfederatës së Minatorëve të Bulqizës, i pushuar nga puna një javë më parë nga punëdhënësi pasi refuzoi të firmosë kontratën individuale, të cilën e quan diskriminuese.

NGJARJA NË GALERI

Burime të besueshme për gazetën “Telegraf” pohojnë se, aksidenti i radhës ka ndodhur në orën 14:00 të ditës së mërkurë në Nivelin 16, Pusi 2, në një thellësi 800 metra nën tokë. Në këto çaste, minatorët Ilir Jani, Hysni Mera dhe Saba Alla ndodheshin nën tokë duke punuar.

“Të tre minatorët po vendosnin një mburojë katrore metalike për të siguruar veten nga shkarjet e tunelit e për të vazhduar punën më tej. Pikërisht, në këtë moment, nga tavani i galerisë ndodh shkëputja e masivit të gurëve minerarë duke i plagosur që të tre. Ata kanë marr plagë të ndryshme në kokë, këmbë dhe shpatulla. Të përgjakur dhe me ndihmën e shokëve ata janë nxjerrë në sipërfaqe dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit të Bulqizës. Gjatë aksidentit, në galeri me ‘ta nuk ka qenë as inxhinieri i turnit as përgjegjësi i sektorit”,- shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”.

TË PLAGOSURIT

Të plagosurve u është dhënë ndihma e parë në Spitalin e Bulqizës. Por për shkak të mungesës së personelit mjekësor e kirurgëve, ata janë dërguar për ndihmë të kualifikuar në spitalin e qytetit të Bulqizës.

“Spitali i Bulqizës, është kthyer si ambulancë. Aty mungojnë mjekët specialist, përfshi kirurgun që është i domosdoshëm, pasi në minierë ndodhin aksidente të shumta dhe kirurgu është i domosdoshëm”- shtojnë burimet e mësipërme për “Telegraf”. Për këtë shkak, dhe tre minatorët e aksidentuar, u nisën për në spitalin e qytetit të Peshkopisë. Burime nga ky spital pohojnë se të plagosurve u është dhënë ndihma mjekësore e nevojshme, e aktualisht,. Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.

REAGIMET

Mësohet se për aksidentin e radhës, nuk ka pasur asnjë komunikatë zyrtare, ndërsa interesimi i punëdhënësve ka qenë deri në konstatimin se në galeri nuk ka viktima e se tre të aksidentuarit janë jashtë rrezikut për jetën. “Minatorët, dhe këtë radhë, nga ky aksident, janë revoltuar, por ndjehen të kërcënuar. Nëse ata hapin gojën, punëdhënësi i dërgon në shtëpi. Por puna legale dhe ilegale nën tokë, është burim i të ardhurave për jetesë në Bulqizë. Kushtet në minierë janë të vështira. Mungojnë deri mjetet më elementare të punës, mungojnë (nuk sigurohet) dalje e dytë rezervë në galeri, etj.. Shteti ka filluar të lëvizë, por ende nëntokën e Bulqizës e kanë në dorë matrapazët dhe spekulatorët që majmen me djersën dhe gjakun e minatorëve. Duhet që shteti të ndërhyjë, e mos të ndjehet vetëm kur ndodhin viktima”,- shtoi për “Telegraf”, Përgoxhaj.