Petrit Myrtaj: “Si kam shpëtuar nga Metalurgjiku 370 antikuare”

77

EKSPOZITA NË MUZEUN E SARANDËS/ Dashuria e traditës përballë indiferentizmit të shtetit

Mbrëmjen e së mërkurës, në qytetin e Sarandës është çelur një ekspozitë e rrallë, e domosdoshme dhe tepër akuzonjëse ndaj indiferentizmit dhe moskokëçarjes shtetërore ndaj vlerave të traditës kombëtare. Po atë që nuk e bën shteti, e bën vet populli me dashurinë e pakufishme dhe fanatizmin për ruajtjen e vlerave shekullore të tij.

Ekspozita

Është çelur ekspozita vetjake e antikuarëve të qytetarit Petrit Myrtaj në mjediset e Muzeut të traditës së qytetit. Dhe kanë qenë plot 370 antikuarë, këto të përzgjedhura për ekspozitën mes qindra të tjerave të vendosura në mjediset e familjes së tij, që kanë zgjuar tek vizitorët e shumtë kuriozitetin e të kaluarës së popullit shqiptar mes këtyre antikuarëve, pjesë e jetës së shkuar të shqiptarëve si në gatim, stolisje orendish në mjediset e banesës, armë luftarake të përdorura në shekuj. Ka qenë dashuria për këto vlera shqiptare e Petrit Myrtaj, që këto nuk përfunduan në furrat e shkrirjes së Elbasanit. E themi këtë për vet faktin se Petriti ka gjetur si mënyrë jetese grumbullimin e hekurishteve dhe vjetërsirave të tjera për t’i shituar për skrap. Por në ushtrimin e këtij biznesi, ka ndeshur edhe në këto antikuarë dhe relike me vlera kombëtare dhe ka menduar t’i ruaj dhe mos t’i hedh në furrat e zhdukjes së metalurgjikut, ndonëse ka rënduar ekonominë e tij, por këtu dashuria për popullin e tij, për historinë krenare dhe vlerat kombëtare, ka fituar ndaj përfitimit vetjak dhe sot i kemi këto relike të mbrojtura, të pastruara e të restauruara nga vet Petriti. Thamë vetëm 370 antikuarë u vendosën në muze, se të tjerat heshtin në banesën e Petritit, në një kohë që muzeu i traditës në qytetin e Sarandës nuk i kalon të 50 objektet e inventarizuara. Në natën e parë të çeljes ka marrë pjesë edhe Kryebashkiaku Stefan Çipa, i cili ka mbështetur pa rezerva hapjen e sajë dhe ka vlerësuar së tepërmi kontributin e jashtëzakonshëm e të veçantë të Petrit Myrtaj. Por kjo është edhe një alarm për shtetin dhe sidomos për Ministrinë e Kulturës për t’i marrë në mbrojtje këto vlera kombëtare të pazëvendësueshme, pasi mijëra janë zhdukur në shkrirjen e Elbasanit, por ende është momenti për të ndërtuar politika në mbrojtje të pasurisë kombëtare kulturore dhe historike.