SARANDË/Reagimi pas shkrimit të botuar dje në ‘Telegraf’, “Sarandë, rikthehet ngërçi në mbledhjet e Këshillit Bashkiak”
Ka reaguar dje Luftar Hasanllari, përfaqësues i LSI-së, Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Sarandës pas botimit në gazetën “Telegraf” të shkrimit “Sarandë, rikthehet ngërçi në mbledhjet e Këshillit Bashkiak”, duke mos qenë dakord me mënyrën dhe miratimin e vendimeve në mbledhjen e fundit (të kontestuar dhe nga Nënprefekti) nga kolegët e majtë që janë në shumicë në këtë forum vendim marrës vendor. Ja reagimi i tij: “Qeverisja vendore ushtrohet nga struktura të zgjedhura në mënyrë demokratike, të lirë dhe me votim të fshehtë e të drejtpërdrejtë nga qytetarët e njësive përkatëse zgjedhore, dhe këto janë institucionet e Kryetarit të Njësisë dhe ai i Këshillit Komunal apo Bashkiak. Në nenin 3 të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, e cila është guri i themelit të qeverisjes vendore, roli i këshilltarëve si pjesë e pa zëvendësueshme e kësaj qeverisje përmendet qartë: Autonomia Vendore realizohet nga këshillat apo asambletë e përbëra nga anëtarë të zgjedhur me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë, e të drejtpërdrejtë. Gjithashtu edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 109 të sajë parashikon se organet përfaqësuese të Bashkive apo Komunave janë Këshillat vendor. Të nderuar qytetarë të njësisë vendore, Bashkia Sarandë. Këto sqarime të mësipërme i bëra me qëllim që secili nga ju lexues të këtij shkrimi të keni pak a shumë të qartë se si zgjidhen, çfarë roli kanë, dhe si duhet të sillen këshilltarët e Bashkisë tuaj që ju me votën tuaj të fshehtë dhe të pa varur i keni votuar për t’iu përfaqësuar në zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011, apo çdo herë që ka zgjedhje për pushtetin lokal. Roli dhe veprimtaria e këshilltarëve është shumë e qjerë. Sigurisht që, problemet e përditshme zgjidhen nga administrata e Bashkisë, por këshilli dhe anëtarët e tij, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike, luajnë një rol vendimtar apo të thënë ndryshe kyç në të gjithë hallkat e veprimtarisë së përditshme të Bashkisë tonë. Duke kuptuar qartë se mbarëvajtja e punës së qeverisjes në Bashkinë tonë është e varur krejtësisht nga serioziteti i punës së Këshillit Bashkiak dhe anëtarëve të tij. Por arsyeja e vërtetë përse mora iniciativën të shkruaj këto rreshta është se sa dhe si po funksionon ky Këshill në Bashkinë tonë për një periudhë disa mujore.
Ashtu si jam munduar edhe më lartë të sqaroj opinionin publik për bazën ligjore që i jep fuqinë dhe rëndësinë e veçantë Këshillit, por në veçanti funksionimit të tij, duke dashur edhe shpresuar si anëtar i këtij Këshilli prej dy legjislaturash që edhe Këshilli i Bashkisë Sarandë të funksionojë sipas ligjeve në fuqi dhe rregullores së brendshme të tij. Por të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se, prej datës 08.07.2013 edhe në vazhdim puna e Këshillit të Bashkisë Sarandë është paralizuar totalisht për arsyen e vetme të një procedure jo korrekte të gjetur si e paligjshme nga N/Prefektura Sarandë, më saktë bëhet fjalë për Projekt Vendimin me Nr.39, i cili shkarkon nga detyra Kryetarin aktual të Këshillit deri në këtë datë dhe Projekt-vendimin me Nr.40, i cili zgjedh Kryetarin e ri të Këshillit, i cili pas koalicionit të bërë nga dy forcat e majta PS dhe LSI në prill të këtij viti dhe kalimit të maxhorancës në këshill nga e djathta në të majtë, si dhe marrëveshjes lokale po të këtyre dy forcave tashmë qeverisëse PS dhe LSI, Kryetari i takon Partisë Socialiste. N/Prefektura Sarandë me argumentin se mocioni për shkarkim ndaj Kryetarit aktual nuk ishte në rendin mbledhjen e kryesisë së këshillit, e cila i parapriu mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak, i ktheu këto dy projektvendime (pra 39 dhe 40) si të paligjshme. Bazuar në ligjin 8652 datë 31.07.2000, neni 33, pika b, ku thuhet se çdo akt që del nga një njësi administrative, (e theksoj çdo akt) dërgohet në Prefekturë për të marrë ligjshmërinë e nevojshme për t’u zbatuar në praktik. Në rastin tonë N/Prefektura e kthen të paligjshëm këtë akt, atëherë Këshilli Bashkiak është i detyruar ta marri edhe një herë për shqyrtim këtë(akt)ose projektvendim, në raste se ndodh kështu akti merr fuqi ligjore dhe hyn në zbatim. Pra vetëm pas kësaj procedure mund të themi se ky akt është i ligjshëm pa patur nevojë t’i drejtohemi sërish N/Prefekturës. Dhe kështu në këtë mënyrë zgjidhen edhe ngërçet ligjore dhe fillon funksionimin normal i Këshillit dhe për pasojë edhe i punëve të mbetura pezull nga ky mosfunksionim. Por pyetja është, a ka ndodhur kështu në rastin tonë konkret! Me keqardhje konstatojmë se nuk ka ndodhur, edhe pse me kërkesën e vazhdueshme të këshilltarëve të LSI dhe të vetë N/Prefektit të sapo zgjedhur të Sarandës përsëri vazhdohet me kokëfortësi dhe papërgjegjshmëri duke vazhduar të bëjnë shou në mbledhjet e Këshillit duke bërë mbledhje Këshilli pa kuorumin e nevojshëm apo më keq akoma me vota të deleguara jashtë çdo norme ligjore duke bërë sikur miratojnë Projekt Vendime të ndryshme me interes për qytetarët si ndihma ekonomike apo kreditë e buta për qytetarët e pa strehë, bursa për studentët apo edhe për investime që i prêt infrastruktura e rënduar e qytetit, por duke mos pasur parasysh faktin se nga data 08.07.2013 edhe në vazhdim asnjëri prej këtyre projektvendimeve të gjoja miratuara nga ky Këshill nuk ka marrë ligjshmërinë e nevojshme për zbatim, gjë e cila vë në vështirësi jo vetëm qytetarët dhe bizneset, por paralizon kryerjen e funksionit të njësisë vendore Bashkia Sarandë. Të nderuar bashkëqytetar ndodhemi në fund të vitit 2013 prag festash, por edhe pranë momentesh shumë deçizive për ne këshilltarët, për administratën e bashkisë, por edhe për ju qytetarë edhe banorë të kësaj bashkie. Për vetë faktin se në këtë periudhë fund viti bëhen bilancet dhe analizat, por ajo çfarë është edhe më e rëndësishme në këtë periudhë përgatiten aktet më themelorë të funksionimit të administratës së bashkisë, por edhe përcaktohen me detaje të gjitha investimet që do të bëjë për vitin në vazhdim bashkia jonë. Pra, më konkretisht përgatiten Paketa Fiskale, Struktura Organizative e Bashkisë dhe më kryesorja Buxheti i vitit 2014. Duke iu referuar praktikës së deritanishme ku, Këshilli mblidhet me një Kryetar që nuk është njohur i ligjshëm, miraton akte që kthehen si të paligjshme nga N/Prefektura, unë shtroj pyetjen?!” A duhet të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij skenari? A duhet që çdo këshilltar të marrë përgjegjësitë që i jep ligji? A duhet që përgjegjësit e kësaj situate të shikojnë qëndrimin e tyre, pse jo dhe me votëbesim!?
BETIMI: “Betohem në emër të zgjedhësve që përfaqësoj, të mbroj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e saj. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem nga interesit e shtetasve të njësisë që përfaqësoj, dhe do të punoj me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre”.
Ky është betimi që bën çdo këshilltar ditën që merr mandatin…
Njëherësh do i bëja thirrje të gjithë intelektualëve, profesionistëve, shoqatave, subjekteve politike, çdo qytetari sarandjot, të bëhen pjesë e këtyre shqetësimeve dhe diskutimeve, të jenë të interesuara për mbarëvajtjen dhe funksionimin e punëve dhe gjithçkaje tjetër në qytetin tonë, sepse nga këto veprime vare shumë perspektiva europiane dhe turistike afatgjatë për qytetin.
Luftar Hasanllari