Pazaret e drogës/ Morën peng dy vëllezër për 10 mijë euro, ja si do ta paguajnë autorët

88
Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar një grup prej shtatë personash të akuzuar për pengmarrjen e dy vëllezërve në Shkodër, në vitin 2015, për shkak të “pazareve të drogës”.
Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka mbyllur procesin gjyqësor ndaj shtetasve Pllumb Dushku, Pal Dushku, Francesk Vala, Lekë Shkrepa, Tomë Shkrepa dhe Kolë Dushku.
Ata ishin akuzuar nga Prokuroria për kryerjen e veprave penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”, në bashkëpunim, “rrëmbim dhe mbajtje peng e personit”, në bashkëpunim, “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
Gjashtë të pandehurit janë akuzuar nga Prokuroria se kanë marrë e kanë mbajtur peng dy vëllezër pas përplasjeve e konfliktit që kanë pasur me ta për çështje droge. Sipas Prokurorisë, shtetasit Tomë Shkrepa, Lekë Shkrepa dhe Kol Dushku akuzohen për pengmarrje në bashkëpunim dhe kërcënimin me jetë të dy vëllezërve Avni dhe Sulltan Kuçaj, shkruan “Panorama”.
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se Sulltan Kuçaj dhe vëllai i tij, më datë 21 nëntor 2015, janë takuar me shtetasit Pllumb Dushku, Tomë Shkrepa dhe Lekë Shkrepa në një lokal në fshatin Golem.
Aty ka ndodhur një debat i fortë për një shumë prej 10 mijë eurosh që Pëllumb Dushku ua kërkonte dy vëllezërve Kuçaj, njëri prej të cilëve kishte qenë ndërmjetës për blerjen e një sasie droge nga një shtetas malazez. Pllumbi ka marrë peng Sulltanin, ndërsa Avniun e la të lirë si garanci për gjetjen e parave, duke i kërkuar të dorëzonte shumën në fjalë, nëse donte lirimin e të vëllait.
Tre të arrestuarit e tjerë, Tomë e Lekë Shkrepa dhe Kolë Dushku, akuzohen se kanë shoqëruar pengun deri në dorëzimin e tij Pal Dushkut.
Prokuroria ka bërë me dije se në kërkim për këtë ngjarje janë edhe katër persona të tjerë, Pal e Pëllumb Dushku dhe Françesk Vala e Zef Gjergji, të cilët e mbajtën Sulltan Kuçajn të izoluar në një stan në fshatin Plan të Dukagjinit.
DËNIMET
Sipas vendimit të dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, shtetasi Pllumb Dushku është dënuar me 9 vjet e 4 muaj heqje lirie me akuzat e “rrëmbimit të personit”, në bashkëpunim, “heqjes së paligjshme të lirisë”, në bashkëpunim dhe “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.
Ndërkohë, shtetasi tjetër Pal Dushku është dënuar me 8 vjet burg për akuzat e “rrëmbimit të personit”, kryer në bashkëpunim, dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe e municionit”. Gjykata ka dënuar me 8 vjet burg për të njëjtat akuza edhe shtetasin Françesk Vala, i akuzuar për rrëmbim në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Gjashtë vite dënim janë dhënë nga Gjykata për shtetasin Lekë Shkrepa, i cili është fajësuar për akuzat e rrëmbimit të personit, heqje të paligjshme të lirisë. Për të akuzuarin Tomë Shkrepa, Gjykata ka dhënë një dënim prej nëntë vitesh burg me akuzat për rrëmbim personi e heqje të paligjshme të lirisë.
I pandehuri i fundit, shtetasi Kolë Dushku, ka marrë një dënim prej gjashtë vitesh burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Gjatë procesit, avokatët e të pandehurve nuk i kanë pranuar disa prej akuzave të ngritura ndaj klientëve të tyre, duke kërkuar për ta pafajësi.