Pallati tek liqeni, protestuesit: Nëse s’ndalen punimet do nisim grevën

61

TIRANE – Përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë por edhe shumë qytetarë të tjerë kanë protestuar sot kundër ndërtimit në kodrat e Liqenit. Ata kërcënuan se do të nisin një grevë urie në rast se qeveria nuk merr masa për të ndalur punimet për ndërtimin e kompleksit.
 
Ata kanë hartuar një rezolutë të nënshkruar nga ekspertët më të mirë të digave të cilën e dorëzuan në kryeministri dhe në presidencë.
 
Sipas tyre, ky është institucioni i vetëm që ka kompetencën për të ndalur këto punime, të cilat vijojnë intensivisht. Në rast se edhe qeveria nuk ndërhyn, protestuesit thonë se janë të gatshëm të ndërmarrin hapa të mëtejshëm deri në ndjekjen e një rruge ligjore për ndalimin e betonizimit të mëtejshëm të Tiranës. 

Ambientalisti Sazan Guri citoi rezolutën e hartuar nga ekspertë të njohur si Kristo Gogo, Engjëll Cici, Aleksandër Moisiu e të tjerë të përmbledhur në 4 pika kryesore:
1. Hapësirat publike duhet të ruhen si kufinj të shenjtë.
2. Të ruhet statusi zonë e veçantë për parkun e Tiranës.
3. Të abrogohet një vendim i KKTRSH-së 2006 ku thuhet se ‘zonat sportive të kthehen në zonë urbane’.
4. Të respektohet vendimi i vitit 2013: ‘Parku të kthehet në zonë argëtuese’

 
Hapësirat publike të përcaktuara në Tiranë do ruhen nga plani i përgjithshëm urban i 2013-tës, do ruhen si kufinj të shenjtë. Të ruhet statusi zonë e veçantë e parkut të Tiranës. Zonat sportive dhe terrenet sportive qe janë të shpërndara në Tiranë, një nga këto është dhe zona sportive e kompleksit Dinamo, të kthehen në zonë urbane. Në 2013 plani i përgjithshëm urban prevalon ose bën nul cdo lloj vendimi të mëparshëm ku i cili ka thënë që zonat të tilla do jënë zona publike, zona të gjelbra, zona kreative, zona argëtuese”- tha Sazan Guri

Nëse kërkesat e tyre bien në vesh të shurdhër, aktivisti Eljan Tanini tha se do të vijojnë me protestat përpara kryeministrisë dhe tek vendi ku po ndërtohet.
 
Nëse kryeministri nuk na përgjigjet edhe këtë herë, çadrat e kampingjeve të të rinjve të Tiranës do të jenë këtu përpara ndërtesës së kryeministrisë dhe tek vendi ku po ndërtohet. Nëse vazhdojnë të bëhen akoma pallate, liqeni do të pushtohet nga pallatetet. Ka ardhur koha të flasim më shumë për gjërat që na takojnë.”- tha Tanini.

Rezoluta u dorëzua sot në kryeministri dhe në zyrën e presidentit i cili përgjigjet për sigurinë kombëtare. Kryeministria, sipas aktivistëve është institucioni i vetëm që ka kompetencën për të ndalur këto punime që ditët e fundit kanë vijuar intensivisht. Protestuesit thonë se ndërtimi i pallateve jo vetëm krijon premisat për tharjen e liqenit, por edhe çarjen e digës, duke rrezikuar kështu jetën e banorëve përreth. 
 
Një tjetër protestues u shpreh se nuk duhet që të lejohet ndërtimi tek diga e Liqenit pasi aktualisht janë 10 mijë apartamente stok dhe nuk ka nevojë për ndërtime të tjera. “Kryeministri duhet ta ndalojë atë ndërtim, edhe natën atje punohet, do të mbështesim këtë lëvizje konservatore për të ruajtur parkun e liqenit. Parku është mushkëria e kryeqytetit, zoti kryeministër ndaloje me VKM, bëjë një vendim dhe vazhdo programin e rilindjes.

Ne do të vazhdojmë protestat me qytetarët para bashkisë. Do grumbullojmë 1131 emra pasi nga çdo shtëpi do zgjedhim një person për të protestuar kundër ndërtimit të kompleksit,”- thotë ai.