Pakujdesi skandaloze

282
Nga Viktor BAKILLARI
(Gjergj Kastrioti dhe Aleksandër Xhuvani në Elbasan)
Para disa ditësh isha në kërthizë të Shqipërisë, në…Elbasan. Të gjithë e dimë: Qytet me shtrirje të gjerë,me kulturë të madhe, që i ka dhënë vendit shkencëtarë e dijetarë në çdo lëmë të dijes, me njerëz të mrekullueshëm, qytet që, kush ka lindur përpara viteve 1990 nuk ka se si të mos kujtojë këngën “Elbasan i bukur” (Vajzat si sorkadhe, djemtë o si petrita… Elbasan i bukur, Elbasan). I rashë kryq e tërthor, thjesht për kënaqësinë time. Nga Kalaja, mora udhën që të çon tek Universiteti. Për të soditur. U futa në Rrugën “Vasil Taja”. (Kjo rrugë e rregullt pritet nga disa rrugë të tjera që të nxirrnin te paralelja e saj, rruga “Janaq Kilica”.)

Në krye, te rruga “Ismail Zyma”, mbanë saj, ngrihet ndërtesa e Universitetit.
Ato që më bënë përshtypje gjatë kësaj vizite ishin:
1. Rruga “Skënderbej” (Jo siç ishte shkruar gabim “Skenderbej”).
2. Universiteti. Emërtimi i tij.
Le t’i marrim një e nga një.
Shkëlqesia e Tij, z. Kryeministër Edi Rama, në një mbledhje të kohëve të fundit të qeverisë
vendosi shpalljen e vitit 2018 “Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.
Chapeau, Monsieur le Premier ministre!

Nismë e shkëlqyer, që vjen bash në kohën kur edhe segmente të caktuara antikombëtare – dumbabiste s’po lënë gur pa lëvizur që të përbaltin figurën madhështore të Gjergj Kastriotit.

Por, duke ecur për tek Universiteti i qytetit (ky universitet është pasuri e madhe kombëtare që ka nxjerrë gjatë veprimtarisë së tij kuadro shumë të aftë), sytë i zgurdullon si buf kur shikon rrugën “Skenderbej”. Na e tregon kjo tabelë e shëmtuar, e zbërdhylët, e lodhur, e masakruar (shih foton!). Mjedisi rreth e rreth, përballë kësaj tabele është luks i vërtetë. Ndërtesa moderne shumëkatëshe, shkëlqim gati-gati evropian. Ndërsa tabela dhe muri ku varet, të dy të lodhur e të rrëgjuar, në pikë të hallit. Bashkisë, e cila duhet të kujdeset ligjërisht, duke parë se në ç’gjendje janë tabela dhe muri, duket qartë se i ka shpëtuar syrit prej skifteri të saj. Ende nuk duam të mendojmë keq për të. Nëse nuk e ka ndrequr nga që mungojnë fondet, kjo është e përvajshme (në fakt, gjithë ajo bashki ta lërë në këtë gjendje këtë rrugë, këtë copë tabelë me emrin që i jep identitet çdo shiptari, kjo është e ububushme); nëse, pastaj, larg qoftë! dhe seriozisht e pabesueshme, është lënë qëllimisht një degradim i tillë, kjo s’ka emër tjetër, përveçse krim i shëmtuar.

Vazhdojmë: I zoti i atij muri, (nuk e di nëse shtëpia është e banueshme apo jo, besoj se jo) ka një farë përgjegjësie. Kudo, nëse ti ngjit një pllakat në murin rrethues të një shtëpie , i zoti i saj bën namin, madje njofton bashkinë dhe/apo policinë. Por, në një rast të tillë, i zoti duhet ta quajë veten me fat të madh që ka qëlluar që tabela me emrin e Heroit Kombëtar të ngjitet tek muri rrethues i shtëpisë së tij. Andaj edhe duhet të kujdeset veçanërisht për të. Tjetër: Banorët e atyshëm gjithashtu duhej ta ngrinin si problem në bashki, apo në njësinë bashkiake që mbulon këtë zonë për atë gjendje mjerane të tabelës me emrin e Heroit. Tjetër: Sipas kodit të sjelljeve të pëlqyeshme, ndërtuesi i gjithë atij pallati modern përballë, nuk do të binte nga kapitali, nëse do të bënte ato dy metër mur dhe të vendoste vetë (duke marrë leje në bashki) një tabelë dinjitoze, sipas udhëzimeve të saj, përderisa kemi të bëjmë me një rast vërtet të veçantë.

Por nuk mjaftohemi vetëm me kaq. Ka edhe më:
Vini re! Përzgjedhja që ka bërë bashkia në emërtimin e rrugëve është qesharake sa nuk ka ku të shkojë. Rruga “Skënderbej” është ngjitur me rrugën “1 Qershori”!!!. Me 1 qershorin – festën e fëmijëve!!!. Vini re emërtimet e rrugëve pranë:
Rruga “7 MARSI”
Rruga “HAMDI ROSENI”
Rruga “ 1 QERSHORI”
Rruga “SKENDERBEJ”
Rruga “10 KORRIKU”
Rruga “8 NENTORI”
Rruga “ISMAIL ZYMA”
Medet! Se ç’do Rruga “Skënderbej” në mes të këtyre udhëve, eja merre vesh! Se ç’mendje “gjeniale” kanë futur Rrug(ic)ën “Skënderbej” në mes të këtyre rrugicave datore, një perëndi e di. Rruga “Skënderbej” nuk duhet të jetë një rrugicë, apo një rruginë periferike, por duhet të jetë një ndër rrugët kryesore të çdo qyteti shqiptar. 
Këtu veç seriozitet nuk ka pasur kur janë vendosur emrat e rrugëve. Pikë.
(Shënim: Të dhënat e rrugëve i kam marrë nga: https://geographic.org/streetview/view.php?place=Rruga%20Skenderbej,%20Elbasan,%20Albania sot në datën 24.09.2017)
Tjetër SKANDAL (do ta quaja unë) lidhet me emrin e Universitetit.

Vini re këto tri fotografi:
1. UNIVERSITETI “A. XHUVANI”
2. 1909 UNIVERSITETI I ELBASANIT 

Dhe nën të:
REPUBLIKA E SHQIPERISE
MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCES
UNIVERSITETI 
“ALEKSANDER XHUVANI”
ELBASAN

Tani, kush më thotë se si quhet zyrtarisht ky universitet:

1. UNIVERSITETI “A.XHUVANI”
2. 1909 UNIVERSITETI I ELBASANIT
3. UNIVERSITETI “ALEKSANDER XHUVANI” ELBASAN
Brenda së njëjtës ndërtesë gjenden tri tabela, tre emërtime të ndryshme!!!
Atëherë, pyesim me të drejtë: Kemi të bëjmë me një apo tre universitete? 
Në formën që e kërkon zyrtaria nuk merret aspak vesh.
Tani, me krijimin e qeverisë Rama 2, emërtimi i saktë sipas të shumtëve do të ishte:

REPUBLIKA E SHQIPËRISE
MINISTRIA E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË
UNIVERSITETI 
“ALEKSANDËR XHUVANI”
ELBASAN
Por edhe kështu që mund ta vendosin nesër një tabelë të këtillë, nuk është krejtësisht e saktë.
Kjo formë që mund t’u duket e drejtë shumë zyrtarëve, fsheh jo pak, por gjashtë gabime.
Tabela e saktë, pa gabime do të ishte:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E ARSIMIT, E SPORTIT DHE E RINISË
UNIVERSITETI 
“ALEKSANDËR XHUVANI”
ELBASAN
Dy tabelat e tjera e kanë vendin te reparti i shkrirjes, pak përtej Namazgjasë.
Dy emërtimet e tjera bëjini top dhe bëni… kosh!
Deri kur dhe kush do t’i ndreqë këto pasaktësi?