Pagesa e përmbytjeve, do të bëhet me 10 faza evidentim-verifikimi dhe me 6 formularë banorësh e biznesesh

83
Vjollca KUTA
Nuk dihet afati kohor për shlyerjen e dëmtimeve, por deklarohet vetëm premtimi i qeverisë: Likujdim në masën 100% 
Nuk do të jetë thjesht, një listë emërore sipas deklarimeve të dëmeve, që do të bëjnë banorët dhe bizneset, por një proces i organizuar, i cili do të kalojë në disa faza, duke filmuar, regjistruar, vlerësuar dhe kaluar në filtër çdo dëmtim apo humbje pasurie. Me këtë proces, synohet të evitohen abuzimet që kanë ndodhur në akt-regjistrimet dhe vlerësimet e bëra në përmbytjet e viteve të kaluara

Dëmtimet që shkaktuan përmbytjet e shiut në banesat, bizneset, fermat, tufat e bagëtive, bazën ushqimore, të mbjellat e në gjithçka që “mbuloi” e vuri përpara uji, janë të shumta. Banorët e zonave që u përmbytën nga reshjet dhe lumenjtë, po qëndrojnë me “sytë dhe veshët” nga qeveria, prej së cilës presin ndonjë lajm për pagesat e dëmeve që pësuan. Kryeministri Rama, deklaroi se do të paguhen të gjitha dëmtimet, për çdo familje dhe biznes, duke u paguar plotësisht nga qeveria. Tre ditë më parë, deputeti Taulant Balla, deklaroi po të njëjtën gjë, madje shtoi se qeveria ka bërë gati skemën për pagesat e dëmeve, duke aplikuar formularët që do të plotësohen nga banorët dhe bizneset, si vetë-deklarim. Burime nga qeveria, kanë bërë me dije për “Telegraf”, se skema e dëmshpërblimit të përmbytjeve, nuk do të jetë thjesht një listë emërore sipas deklarimeve të dëmeve, që do të bëjnë banorët dhe bizneset, por një proces i organizuar, i cili do të kalojë në disa faza, duke filmuar, regjistruar, vlerësuar dhe kaluar në filtër çdo dëmtim apo humbje pasurie. Me këtë proces, synohet të evitohen abuzimet që kanë ndodhur në akt-regjistrimet dhe vlerësimet e bëra në përmbytjet e viteve të kaluara, shumica të sajuara nga drejtuesit lokalë e rajonalë, në bashkëveprim me banorët dhe bizneset. Sipas informacionit, thuhet se pagesat për përmbytjet, qeveria do t’i kalojë në 10 faza verifikim-evidentimi dhe në 6 formularë, që do të plotësohen për banesat, orenditë familjare, bizneset, makineritë, bagëtitë, të mbjellat. 

Si do të veprohet?
FAZA E PARË, do të jetë verifikimi dëmeve nga njësitë administrative dhe bashkitë, të cilat do të evidentojnë çdo dëmtim në terren, duke vrojtuar, filmuar dhe regjistruara pasojat konkrete, të cilët do të firmosen, si të pranuara ose jo prej banorëve dhe bizneseve.

FAZA E DYTË, do të jetë verifikimi i prefekturave, për verifikimet dhe regjistrimet e bëra nga bashkitë dhe njësitë administrative, duke dërguar ekipet e tyre në çdo familje dhe biznes, fazë, e cila nuk do të quhet përfundimtare.

FAZA E TRETË, do të jetë, verifikimi prej Këshillit të Qarkut, i të dhënave të dëmeve, që kanë regjistruar, konkluduar e deklaruar bashkitë dhe prefekturat në terren, verifikim që po kështu do të bëhet në terren dhe me deklarime personale të familjarëve e bizneseve.

FAZA E KATËRT, do të jetë verifikimi, evidentimi, filmimi dhe deklarimi zyrtar, që do të bëhet prej Emergjencave Civile si shërbimi që ka ndjekur dhe administruar situatën në çdo zonë, fshat, qytet, familje e biznes, duke ballafaquar të dhënat me deklarimet që kanë bërë bashkitë, prefekturat dhe Këshillat e Qarqeve dhe dorëzimi i tyre në shtabin e posaçëm të përbashkët ndër-institucional, që është ngritur në çdo qark. 

FAZA E PESTË, do të jetë mbledhja e gjithë të dhënave prej Ministrisë së Brendshme, të deklaruara nga bashkitë, këshillat e qarqeve, prefekturat dhe Emergjencat civile, duke i paraqitur në shtabin e emergjencave ndër-ministror (Ushtria-Policia), për të hartuar raportin paraprak të dëmeve në shkallë vendi. 

FAZA E GJASHTË, do të jetë paraqitja e këtij raporti dëmesh, në Ministrinë e Financa-Ekonomisë, për të përllogaritur vlerën e dëmeve që do të paguhen sipas prefekturave, duke kaluar në filtër, çdo deklarim që kanë bërë institucionet e verifikimit në terren.

FAZA E SHTATË, do të jetë depozitimi i një raporti ekonomik-financiar për dëmet totale, i cili do t’i paraqitet këshillit të Ministrave për vendimmarrje, lidhur me shumën totale që do të paguajë shteti si dëmshpërblim financiar, duke veçuar vlerën për bizneset, vlerën për fermerët dhe vlerën për familjet e dëmtuara.

FAZA E TETË, do të jetë paraqitja e këtij raporti dëmshpërblimesh në Komisionin Parlamentar të Ekonomi-Financës, për ta kaluar më pas në seancë plenare, duke u debatuar mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, me referues raporti, Arben Ahmetaj, Ministër i Ekonomi-Financës.

FAZA E NËNTË, do të jetë shtimi i fondit të emergjencave, duke ndërhyrë në Buxhetin e 2018-s, për të shtuar vlerën e dëmshpërblimeve, që do të akordohen.

FAZA E DHJETË, do të jetë verifikimi i çdo biznesi, fermeri dhe familjari, nëse kanë detyrime financiare ndaj shtetit si gjoba, taksa, detyrime doganore, pagesa energjie elektrike, uji dhe kreditime të pashlyera, me qëllim ndalesat sipas vlerave përkatëse, siç u veprua 1 vit më parë, me të përmbyturit e qarqeve, Shkodër-Lezhë! 
Ja 5 formularët që do të plotësohen ngatë dëmtuarit
Sipas skemës së dëmshpërblimeve që ka ideuar dhe vendosur qeveria, pagesat do të bëhen, mbështetur në formularët përfundimtar që do të plotësojnë të dëmtuarit nga përmbytjet, sipas dëmeve që janë konkluduar nga raporti përfundimtar për çdo familje dhe biznes. Në fund të çdo formulari, do të ketë një aneks, ku të dëmtuarit mund të shënojnë pasaktësitë që mund të jenë bërë nga ekipet e evidentimit të dëmeve në terren. parashikohet të jenë këta 6 formularë që duhet të plotësohen: 
1. Formulari për dëmtimet në biznes 
2. Formulari për dëmtimet orenditë familjare, 
3. Formulari për dëmtimet në biznese (mallra-produkte)
4. Formulari për dëmtimet në makineri-pajisje, 
5. Formulari për dëmtimet në blegtori
6. Formulari për dëmtimet në të mbjellat
Bilanci paraprak i përmbytjeve, sipas bashkive
1. Gjithsej janë 507 familje të evakuara dhe 1594 persona të shpëtuar. 
2. Janë përmbytur 3193 banesa, në 35% prej t cilave nuk mund të banohet pa ndërhyrje fizike
3. Sipërfaqja e tokës së përmbytur dhe futur nën ujë është 7874 hektarë
4. Janë dëmtuar e kanë dalë jashtë funksionit 49 shkolla, në të cilat nuk do të filloj mësimi ditën e hënë. 
5. Këtë vit, numri i shtëpive të përmbytura është 7 herë më i madh, nga përmbytja e ndodhur 2 vite më parë.
6. Afro 1300 familje, janë larguar nga banesat e tyre, për shkak të ujit prezent
7. Afro 110 ferma bujqësore janë përmbytur, duke shkatërruar krejt të mbjellat brenda tyre
8. Jan shkatërruar afro 13 kilometër kanale dytësore në tokat dhe zonat rurale
9. Janë shkatërruar 45 ferma blegtorale, me pasojë mbytje të bagëtive
10. Janë shkatërruar 300 hektarë, të mbjella me drithëra buke e bazë ushqimore për blegtorinë