Odise Çipa: “Politika po shkatërron vlerat dhe traditën sportive”

592
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, ish-trajneri i ekipit të futbollit “Butrinti”, Odise Çipa

Futbolli shqiptar dhe vlerat e traditat e tij po shkatërrohen totalisht,-kështu deklaron në një intervistë për “Telegraf” një nga ikonat e futbollit të Sarandës, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i ekipit të futbollit “Butrinti” në vitet e arta të këtij ekipi, z.Odise Çipa, njëkohësisht edhe i certifikuar nga UEFA si trajner i klasit “B”. Çipa thotë se, në kohën që këndvështrimi është në superiore, abuzimet bëhen në kategoritë e mëposhtme. Merkato zhvat taksapaguesit dhe abuzimi financiar është marramendës, pasi drejtuesit e pushtetit lokal nuk duhet kurrsesi të jenë presidentë të klubeve sportive, pasi i kthejnë në vende pune dhe menaxhues për gjëra që nuk i përkasin zhvillimit të jetës sportive. Dhe faktet vijnë tronditëse me rastin fatkeq që po ndodh me ekipin me emër në futbollin shqiptar e matanë kufijve “Flamurtari” i Vlorës. Çipa jep alarmin si specialist dhe profesionist i licencuar nga UEFA, por edhe me praktikën e tij futbollistike, praktikë karriere, se “viroza” e Flamurtarit,  shpejt do të prekë të gjitha bashkitë në politikat sportive. Ta kapim në kohë se vjelja e pemës së botës nuk ka prodhim vetëm për ty, por ndahet përmes. Ndaj t’i themi ndal politikës së “importit sportiv” dhe të rritim e vlerat e sportit duke shfrytëzuar energjitë dhe mundësitë tona, pasi janë të shumta dhe me kosto shumë herë më të vogla financiare.

-Z.Odise, përshëndetje! Duke qenë se jeni një nga emrat më të spikatur të futbollit sarandjot, si ish-futbollist dhe si ish-trajner i ekipit “Butrinti”, duke marrë shkas nga ajo çka po ndodh në ekipin tradicional të “Flamurtarit” dhe sinjalet alarmante për futbollin e kategorisë së parë, si është situata në Sarandë?

Përshëndetje dhe respekt gazetës suaj! Dua ta them që në fillim, pa përkëdheli e bërje qejfi, pa eufori e ekstaza, pa fluturime po duke ecur në tokë, se që në momentet që sporti është i varur nga politika, nuk mund të marrësh pritshmëritë dhe standardet cilësore. Dhe ajo që ndodh në Vlorë me ekipin e mirënjohur “Flamurtari”, është sinkron i asaj që thash më lart. Politika duhet të heq njëherë e përgjithmonë duart nga sporti dhe vet sporti të funksionojë si në të gjitha vendet e botës me shoqëri aksionere. Nga kjo virozë që preku Vlorën, nuk mund të përjashtohet as Saranda dhe kjo në një të ardhme të shkurtër në qoftë se nuk ndryshojnë mënyrat e funksionimit. Kjo, e lidhur me praktikën dhe rezultatet e vitit që kaloi. E pamë rezultatin e një trajneri të katapultuar dhe të njerëzve të pazareve. Kjo ndodh edhe sivjet. Vitin kalendarik sportiv që kaloi, “Butrinti” rrezikoi seriozisht rënien nga kategoria dhe tri ndeshjet e fundit u shkarkua trajneri dhe u emërua një trajner i sportit të Sarandës dhe mundëm të shpëtojmë rënien, pavarësisht pazareve me ndeshjet. Po shpëtuam dhe mjeti justifikon qëllimin. Po më duket se nga pësimi nuk vumë mend. Efektet e vitit që kaloi, po shfaqen edhe këtë vit: blemë trajner dhe lojtar. Fundi i kampionatit që kaloi, la shenja të këqija abuzive dhe spekulative.

-Thatë pak për blerjet e sivjetshme, por nisur nga fakti se ky fenomen ndodh edhe në ekipet e vendeve të botës, nuk është fenomen shqiptar, pse jeni kundër?

Faleminderit, se është interesim i madh! Fenomeni “Markato” është kthyer në gangrenë vdekjeprurëse në Shqipëri për sportin. Nuk ndodh si në vendet e tjera të botës, jo se atje nuk bëhen pazare të pista, por nuk shkatërrohen vlerat, këtu shkatërrohen vlerat sportive dhe tradita. Me blerjet që bëri bashkia në futboll, unë nuk kam besim se do mbahen premtimet. Nuk e kuptoj këtë politikë sportive në Sarandë se pse nuk respektohen specialistët e vendit, të cilët kanë një CV pozitive dhe të certifikuar nga UEFA si: Milto Gurma, Odise Çipa, Ardi Kolonja, Adriatik Faslliu. Pra të licencuar nga UEFA dhe cilësor në botën sportive të qytetit dhe ironia e fatit, aktualisht si në ekipet zinxhir edhe atë të të rriturve, asnjë nga këto figura sportive të Sarandës nuk është i angazhuar, të gjithë të blerë nga Gjirokastra. Dhe mund ta them me një nuancë humori si për ilustrim, krahasuar me atë që ndodh në bujqësi që prodhimi i vendit mbetet stok për fermerët dhe shkon malli i importit i sjell nga sekserët. Pra dhe ky import sportiv bëhet për efekte përfitimi dhe jo se u qan syri për rritjen e vlerave dhe cilësisë sportive të qytetit. Këtu dua të shtoj faktin se si ka mundësi t’i shpëtoj Kryebashkiakut Stefan Çipa kjo situatë, pasi ka qenë ish-sportist dhe nuk kursen fondet për infrastrukturë dhe performancën sportive të Sarandës, po ata që i servilosen e gënjejnë dhe vjen një situatë e tillë në qytet. Kryetari i bashkisë, ka ardhur koha që t’u tregojë vendin abuzuesve me fondet publike dhe ty kthejë sytë nga kontigjenti vendas, se parë edhe në këndin financiar, një trajner vendas ka gjysmën e shpenzimeve financiare të një trajneri të blerë dhe Gjirokastra nuk ka nivel cilësor më të lartë nga Saranda aktualisht. Mendoj se, z.Stefan si njeri i botës së sportit, si djalë i qytetit, duhet t’u pres rrugën abuzimeve, se nuk është edhe në karakterin e tij, pasi gjithë qyteti ja njeh ndershmërinë, por duhet t’u thotë stop manipulatorëve dhe spekulatorëve.