Në Shqipëri çmimi i energjisë është më i shtrenjti në Ballkan, çmimi i ujit pritet të rritet 3-4 herë

610
Sigal

Jakup B. GJOÇA


Ministri i Energjisë greke njoftoi se qeveria greke do të ulë çmimin e energjisë elektrike 15 %, duke filluar që nga 1 korriku i 2016-ës, për gjithë konsumatorët që deri tani paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike. Kjo është një nga masat e ndihmesës ekonomike, që qeveria greke ndërmerr në ndihmë të qytetarëve, për të përballuar krizën e madhe ekonomike, ndërkohë, që do të zgjatet edhe më shumë në një kohë më të gjatë programin i ndihmesës ekonomike të quajtur “Ndihma ekonomik-sociale ndaj krizës”, ku familjet dhe qytetarët që kanë të ardhura shumë të pakta, deri në nivelin e minimumit të nivelit të jetesës përfitojnë ndihma ekonomike çdo muaj, sipas pjesëtarëve të familjes, për pagimin e qirasë, për të blerë ushqime, si edhe falas 300 kliovatorë energji elektrike çdo muaj. Krahas këtyre ndihmesave ekonomike, qeveria greke këto ditë miratoi në Parlament edhe një program tjetër të ndihmesës ekonomike, për familjet që nuk përfitojnë nga “Ndihma ekonomik-sociale ndaj krizës”, e cila kjo do të përcaktohet nga bashkitë përkatëse, për qytetarët e tjerë. Në Greqi, vërtet mund të miratohen nga qeveria dhe Parlamenti ligje për rritjen e taksave për shkak të kushtëzimeve të Trojkës, për shkurtimet e pensioneve të mëdha, për shkurtimet buxhetore, për ngrirjen e rrogave, por, njëkohësisht, shteti u jep ndihmën e nevojshme

Në Shqipëri, çmimi i energjisë elektrike u rrit 25 %, ndërkohë që kompensimi nuk u dha

Premtimi elektoral i 23 qershorit 2013 i Partisë Socialiste ishte që do të ulte çmimin e energjisë elektrike, duke ulur në 6 % TVSH, pasi, deri atëherë, çmimi i kilovatorit që paguante konsumatori shqiptar ishte më i shtrenjti në Ballkan. Gjithashtu, qeveria e Ramës, u zotua se do të luftonte vjedhjen dhe abuzimet që bëheshin ne OSHEE, dhe kjo do të ndikonte edhe në uljen e mëtejshme të çmimit të kilovatorit. Mirëpo, në janar 2014 qeveria e Edi Ramës e rriti çmimin e energjisë elektrike në 95 lekë për kilovatorë, nga 74 lekë për kilovatorë, hoqi fashën mbrojtëse të 300 kilovatorëve, që qytetarët paguanin me çmim më të lirë. Qeveria e Ramës premtoi, se për familjet në nevojë, për pensionistët, për të papunët, do të jepte një kompensim të çmimit. Ndërsa çmimi u rrit, qeveria socialiste kushtëzoi dhënien e kompensimit, duke e bërë, de fakto, të pamundur marrjen e kompensimit të energjisë elektrike as për pensionistët, as për familjet në nevojë, as për të papunët. Në Shqipëri ka 3 vjet që janë ngrirë rrogat dhe pensionet, kushtëzime këto nga FMN, për shkak të marrjes së huave, ndërsa çmimet e mallrave të përdorimit të gjerë, karburantet, uji, kilovatori i energjisë elektrike çdo vit shënojnë rritje të mëdha, duke shtrenjtësuar nivelin e jetesës të popullit. 

Të ardhurat nga OSHEE u rritën, por qytetarët nuk përfituan ulje çmimi

Qeveria socialiste publikon periodikisht të dhëna, ku dëshmohet se të ardhurat nga OSHEE janë rritur në progres gjeometrik, janë minimizuar në maksimum vjedhjet dhe abuzimet ndaj energjisë elektrike, qytetarët janë detyruar që ta paguajnë, jo vetëm rregullisht energjinë elektrike, por të paguajnë edhe borxhet e akumuluara nga dhjetëvjeçarët e shkuar. Mirëpo, qeveria, njëkohësisht, “ka harruar” premtimet elektorale, uljen e energjisë elektrike. Pyetja është: Ku shkojnë milionat euro fitime të OSHEE? 

Së pari, qeveria socialiste pranoi të nënshkruante me CEZ një marrëveshje, që t’i paguante CEZ-it dëmshpërblim prej 100 milionë euro, për prishjen e kontratës, ndërkohë, që në programin qeverisës, që u paraqit në Parlament nga kryeministri Edi Rama, për marrjen e votëbesimit të qeverisë, parashikohej që çështja e CEZ do të zgjidhej në Gjykatën e Arbitrazhit ndërkombëtar. Madje, për këtë qëllim, kryeministri Rama pajtoi edhe zyrën e Avokatisë të gruas të Toni Blair. 

Së dyti, edhe pse janë propaganduar investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, që do të ulnin humbjet dhe do të luftonin abuzimet, sërish qytetarët paguajnë më shumë çmimin e energjisë elektrike, duke qenë se çmimi i kilovatorit në Shqipëri është më i shtrenjtë në Ballkan, krahasuar edhe me Greqinë. 

ERE premton se për 2017 nuk do ketë akoma rritje çmimi të energjisë elektrike?

Teknokratët e qeverisë, ndoshta të detyruar, që të gjejnë burimesh të ardhurash për të shlyer borxhet që Shqipëria merr nga FMN, parashikojnë që në të ardhmen duhet të rritet akoma çmimi i energjisë elektrike, për më tepër, që tani qytetarët paguajnë të gjithë dhe rregullisht, edhe pse aktualisht në Shqipëri kilovatori është më i shtrenjti në Europë, pa u bërë merak aspak, që të ardhurat e shqiptarëve janë shumë herë më të pakta se në vendet e tjera. Qeveria, herë pas here, mundohet që të demagojë, për të fshehur të vërtetën, që ndodh me çmimin e energjisë elektrike, duke premtuar, që për 2016 nuk do ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, pa u zotuar, për vitin pasardhësdhe, njëkohësisht, premton, se me investimet që bën, do të ulet çmimi i energjisë, pa dhënë kohën se kur do të ndodhë. 

Mungesa e minimumit të jetesës, alibi e qeverisë për mosdhënien e ndihmesës ekonomike 

Vetëm në Shqipëri ndodh që ndihmesa social-ekonomike e shtetit për familjet në nevojë, për të papunët të kushtëzohet, nëse ato kanë ndonjë frigorifer, ndonjë kafshë pune, ndonjë dynym tokë në përdorim, ku në këto raste, automatikisht, në bazë të ligjit që miratoi qeveria socialiste, familjeve në nevojë dhe të papunëve u ndërpritet jo vetëm ndihma social-ekonomike, por edhe kompensimi i çmimit të energjisë elektrike, që u premtua. Në Shqipëri, akoma nuk ka asnjë tregues ekonomik, që të përcaktojë minimumin e energjisë elektrike të familjeve dhe qytetarëve. Qeveria, qëllimisht, nuk ndërmerr asgjë, që të ketë standarde ekonomike, sociale, shoqërore, që të jenë treguesit zyrtarë të minimumit të nivelit të jetesës. Përkundër kësaj, qeveria sanksionon në ligje për ndihmesën ekonomiko-sociale, dëftuese ekonomikë tepër qesharakë për të mos dhënë familjeve në nevojë dhe të papunëve ndihmesa financiare, sikurse dynymi i tokës që i është dhënë fshatarit në përdorim, përdorimi i pajisjeve shtëpiake, sikurse frigoriferi dhe televizori, apo përdorimi i makinave, apo për pensionistët, nëse jetojnë me fëmijë, u ndërpriten kompensimet, edhe pse kanë pension minimal. Tashmë flitet se do të rritet në 3-4 fish edhe çmimi i ujit të pijshëm, për të bërë të mundur “reformat” (justifikimet që u përdorën edhe për rritjen 25 % të kilovatorit) dhe për të bërë të mundur ndërtimin e një rrjeti ujor që do sigurojë 24 orë ujë për qytetarët. Deri tani, qytetarët paguajnë faturat e ujit të pijshëm, kur asnjëherë uji që mbërrin në familje nuk është i pijshëm dhe shumë herë, as për larje nuk mund të përdoret.