Nderim dy shokëve partizanë që suleshin në Luftë si luanë…

195
Nga Sevo Tarifa 
Kur afrohet 26 janari i çdo viti, që përkon këtë herë me 74-vjetorin e krijimit të Brigadës VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”, sytë na kërkojnë shokët që mungojnë: Ata 205 dëshmorë që ranë në fushën e nderit, dhjetëra invalidë që lanë në Luftë kush këmbën e kush krahun, syrin apo nofullën dhe ata qindra e qindra partizanë, ndarë nga jeta pas çlirimit. Janë shumë e nuk i përmendim dot emër për emër, por të gjithë i kemi në zemër. Do të veçonim dy prej tyre, të cilët çdo vit ishin edhe organizatorë të festës së Brigadës sonë. 


I- Resul Bedo, partizani e komisari me dy armë 
Pjesëtar i çetës “Çerçiz Topulli”, i Batalionit “Asim Zeneli” në Brigadën VI Sulmuese 

Arma e tij, mitralozi italian “Breda” e ai gjerman “Sharës”. Me to në duar nga aksioni në aksion; në Pashaliman e në Vajzë. Në Operacionin e Qershorit u pajis me mitraloz anglez, të cilin e shkrepi në Dukaj të Tepelenës. E pashë pas fitores te shkolla me mitraloz në krahë, tyta e të cilit ishte ende e nxehtë. Pas tij, ndihmës/mitraljeri me arkat e fishekëve ngarkuar. Kështu vazhdoi ai, me mitraloz në sup e në sy, që e zbrazte me lehtësi sikur të ishte pushkë. E mbajti në sup mal më mal në Shqipëri e deri në Vishegrad. Arma tjetër e Resulit ishte pena. E kush nuk e ka dëgjuar emrin e tij? Vështirë të gjesh ushtarak, shkrimtar, veteran, familje të dëshmorëve e, në përgjithësi, bashkëkohës të tij, që të mos e ketë lexuar nga krijimtaria e tij. Është bërë i njohur me veprat e shumta që ka shkruar e botuar. E njohin edhe nga brezat e rinj, në duar të të cilëve kanë rënë libra me emrin Resul Bedo. Dritëro Agolli do të thoshte për të: “Asnjë shkrimtar tjetër e as unë s’kemi shkruar libra me temë nga Lufta sa ç’ka shkruar Resul Bedua.” E shihje Resulin me armë dhe çantën e komisarit të kompanisë, ku mbante një blok me shënime Ditari. faqet e të cilit filluan të shkruhen qysh në vitin 1943. Të parat janë këngë, skica, shënime për gazetën e xhepit, për gazetën ”Flaka” të Brigadës, për revistën e Divizionit të Dytë. Pa ditarin do të ishte vështirë të shkruheshin prej tij librat: “Nga Kuçi në Vishegrad”, “Njëqind episode”, “Shqiponja të vogla” etj. Zjarr me mitraloz e zjarr me penë! Fillonte arma e zjarrit, pushonte pena. Vazhdonte pena, pushonte mitralozi. Dy armë që i kishin “detyrat” të ndara, por qëllimi i tyre ishte i njëjtë: Goditja dhe asgjësimi i armikut. Dhe kënga shkonte “zile”! Pa le kur i dëgjoje si në “kor” dhe me armët e tjera partizane, sa bukur vente kënga! Thirrja “Para partizanë!” hidhte në sulm të gjithë luftëtarët e lirisë….Vend me rëndësi zë letërsia artistike e dokumentare për Epopenë e madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shkruar në disa gjini; romane, drama, tregime, novela, skica, poezi, monografi, biografi të letrarizuara etj, të cilat për cilësinë dhe bukurinë e tyre kanë marrë miratimin dhe mirënjohjen e lexuesve. Resuli ka bërë një punë të palodhur kërkuese, hulumtuese e studiuese, duke shkruar me nivel që nga: “Grusht çelik Brigad’e Gjashtë” e deri te 20 vëllimet “Yje të pashuar”, që janë gjithandej, në Shqipëri e në duart e shqiptarëve larg Atdheut, në trojet e tyre dhe në diasporë. Portretet e dëshmorëve, shkruar me stil letrar të këndshëm, na i sjellin ata të gjallë në sofrën familjare, në mbledhje e veprimtari atdhetare dhe kurdoherë i shohim ashtu siç kanë qenë; të bukur e të mirë, me sy që u lëshojnë xixa, të dashur me popullin e të rreptë me armiqtë, jetë pakursyer e shumë të vyer, modestë si e vërteta, që s’u mburrën e s’flisnin kurrë për veten e tyre, deri sa dhanë jetën në lulen e rinisë. “Yje të pashuar” ndriçojnë veprën dhe gjurmët e tyre, cilësitë e larta politiko-morale të tyre. Librat me tematikë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare përbëjnë një korpus tjetër cilësor e voluminoz të botuara prej tij. Kanë bërë jehonë romanet: “Edhe ne luftuam”,“Ditë me furtunë”, “Goditje”, “Gjurmë të ndezura”, “Ndëshkimi i korbave”, “Birbilenjtë”, “Operacioni Nepërka”, “Latifeja”. ”Furtuna”, e cila edhe u ribotua etj. Ka shkruar e botuar një sërë vëllimesh me tregime e novela, si “Shqiponjat e vogla”, “Gryka e Zarelit”, “Bjeshka”, “Armë të pathyera”, “Prapa ekranit”, “Lule në vezme”, “Ky vend ka zot”, “Ushtari i pushkatuar”, “Lal Gjoni dhe sototenenti”, “Porta”, “Rrëfimi i një emigranti”, “Dada”, “Shqiponjat dhe kryqthyerit” etj. Një pjesë e këtyre veprave kanë fituar çmime të para. Literatura artistike e Resulit nuk mban erë parfum, por erë barut. Në faqet e botimeve letrare dalin figura te heronjve e të dëshmorëve, të partizanëve e të komisarëve, të komandantëve e të kuadrove të tjerë luftarakë, që kanë treguar trimëri e heroizëm dhe me veprën e tyre atdhetare frymëzojnë brezat e rinj: me atdhedashuri, trimëri, mençuri, urtësi, dinjitet, dashuri e respekt për njëri- tjetrin. Libra e artikuj dokumentarë e artistikë janë botuar nga jeta dhe veprimtaria e Ushtrisë Popullore. Meritë të veçantë ka shkrimtari Resul Bedo për krijimin dhe funksionimin për shumë vjet të gazetës periodike “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar. Në faqet e kësaj gazete dhe të organeve të tjera të përditshme e periodike, gjenden shkrime me firmën e tij. Profesori Nexhip P. Alpani, ndër të tjera shkruante: “Miku im i shtrenjtë dhe shkrimtari i “Yjeve të pashuar” Z. Resul Bedo, pati mirësinë të më bënte zemrën mal në mërgimin e shkretë, duke më dërguar gazetën patriotike asnjanëse “Për Mëmëdhenë” Ky numër përmban shkrime prekëse dhe është i pajisur me poema, kujtime, mbresa, letra, figura patriotike…Leximi më ngushëllon zemrën e zhuritur në kurbet…Dëshmorët përbëjnë themelin e ekzistencës së kombeve të një populli e vendi…Nuk duhet harruar se Populli shqiptar është më i hershmi i viseve të Ballkanit, tërë jetën e ka kaluar në luftë, asnjë popull tjetër në Ballkan e kontinent s’ka dhënë kaq dëshmorë, sa kombi shqiptar. Popullin shqiptar dëshmorët e kanë bërë komb!”

Duke milituar në radhët e në drejtim të Ushtrisë Popullore, në rrethe e në Ministrinë e Mbrojtjes, në frontin e kulturës e të shtypit, në drejtim të luftimeve kundër provokacioneve greke në 1949, Resul Bedoja ka vazhduar të mbajë në duar si në kohën e luftës të dy armët: pushkën dhe penën. Vëllimet e tij letrare janë me rendësi ushtarake, kulturore, jetësore e aktuale për një ushtri moderne. I dalluar në luftë kundër provokacioneve greke, emri i tij përmendej edhe në shtypin e kohës krahas emrit të Heroit të Popullit Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës dhe i dëshmorëve të tjerë, që dhanë jetën për mbrojtjen e Atdheut. Me rëndësi të veçantë politike e patriotike janë shkrimet e Resulit për Kosovën martire: Libra me skica e portrete luftëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare, si libri: “Po ku je Adem Jashari?!”, skica “Gjurmë në kujtesë”. Janë shkrime reale dhe letrare, që ngrënë peshë dhe prekin zemra të lexuesve shqiptarë në Kosovë, në vendin-amë të tyre dhe në shqiptarë të tjerë që jetojnë në trojet e veta ose janë në emigracion. Autori ka skalitur bukur me penë, si skulptori me daltë monumentin e bukur, figurën e komandantit legjendar Adem Jasharit. Jep gjurmë jete të tij, që i gjeti në Drenicën e kuqe, në vendlindjen e Jasharit, në fshatin Prekaz, te kulla e Jasharëve, ku lindi me pushkë, se atje “gjarpri i zi qe mbështjellë kular rreth kullës”. E përshkruan heroin ashtu siç ishte: me trup e mendje të lartë e të zjarrtë, simbol të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar trim, atëherë kur gjithkund Kosova ishte mbuluar me vellon e zezë dhe vëllezërit kosovarë ecnin nëpër plumba, pa u bënë dredha. Resul Bedoja ishte i njohur edhe ne detyrën e kryetarit të Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar, zgjedhur që nga fillimi, më 11 prill, në prag të 5 Majit 1991, dhe vazhdoi për një kohë të gjatë në krye të kësaj shoqate, e cila ka në aktivin e saj një veprimtari të gjerë cilësore e të larmishme patriotike si sesione shkencore, sesione jubilare, mbledhje përkujtimore kushtuar heronjve e dëshmorëve, simpozium kombëtar e promovim të vëllimeve të serisë “Yje të pashuar”, Memorandum për Çështjen Kombëtare Shqiptare etj. 


II- U hap varri i dymbëdhjetë, por Arif Bizhga u kthye në jetë!
Shtator 1944. Në Labinot, tri ditë lufton Brigada VI Sulmuese. Kaparjelasi Arif Bizhga zbret gërxhit dhe del në shteg-kyç, ku do të kalonin gjermanët. Zuri pozicion. Automatiku i tij ia mori “këngës”, mitralozi i Bajram Hysenit nga Arrëza e Tepelenës “ia kthente me grykë”, “iso” mbanin qindra armë partizanësh. Nazistët binin përtokë. Buçet zëri i Arifit: “Para partizanë!”. Dhe lufta ashpërsohet. Bien dëshmorë Balil Peçi nga Kuçi, Lufto e Riza Çani nga Mashkullora, Xhezo Proda nga Fushëbardha e 7 të tjerë. Ndizen gjakrat e partizanëve. Hakmarrje! Zjarri partizan, s’pushon. Pushon udhëtimi i makinave gjermane. Luftë e rreptë nga të dy palët. Një predhë e artilerisë së tyre, plagos rëndë komisarin e kompanisë, Arifin. Copa metalike të përziera me gurë e goditin nga koka te këmbët. Nga buza iu këput një copë, e cila iu var poshtë mjekrës. Ra pa ndjenja. Rrezik jete. Infermierja Bibo Gjoliku mori të gjitha masat për t’i ndalur gjakun. Partizanëve me lot në sy po u ikte nga sytë komisari. Po hapeshin varret për të 11 dëshmorët. Kalon aty komandanti i Divizionit të Dytë, Tahir Kadareja, i cili me hidhërim dhe nderim po shihte partizanët e rënë në fushën e nderit. Pa edhe një partizan të plagosur rëndë, të mbytur në gjak, shtrirë e symbyllur, mbuluar me batanije. E njohu se ishte Arifi dhe me keqardhje në zemër tha: “Na iku dhe ky, o djem. Lart zemrat! Ishte djalë trim!”. Dhe porositi: “Të përgatitet varri dhe për të dymbëdhjetin!”. Por jo! Ai do të shpëtonte… “Jetëgjati s’bëhet jetëshkurtër”. E çuan urgjent në shtëpinë e Sami Bahollit. Këtu shërbente mjeku italian, Mario, i cili e pa “të vrarin” dhe tha: “Rëndë është, por do bëjmë çmos ta shpëtojmë”. E operoi në buzë, i qepi me gjilpërë copën e shkëputur prej saj. Iu hoqën edhe copat e tjera metalike të mbetura në trup, por një copë e futur thellë në kokë, afër veshit, nuk iu hoq dhe mjeku këshilloi që të mos i hiqet as më vonë. Arifi e ndiente tërë jetën dhimbjen e asaj cope dhe humbi dëgjimin e veshit të djathtë. Paskëtaj u shtrua në spitalin partizan të Shën Gjergjit. Invalidi i papërkulur e mori veten. Mendja iu kthjellua. Menjëherë kërkoi të shkonte te shokët, të vazhdonte luftën. Por komanda mendonte ndryshe: “Në gjendjen që është të mos dërgohet në Brigadë, por të qëndrojë afër e të jetë nën kujdesin mjekësor”. Por hajde të bindej Arifi! Ai ngulte këmbë për të shkuar pa tjetër te partizanët. Dhe u nis…I gjeti shokët në Iballë. Ishte kjo një surprizë për shokët bashkëluftëtarë, të cilët e dinin se kishte mbaruar dhe ishte varrosur. Dhe gëzimi i tyre ishte në kulm. E takonin e nuk çmalleshin dot me të. Mbërriti shpejt motër Shanoja, partizania 14-vjeçare. Arifi, nuk po u besonte syve! Tani shpirti i Arifit ishte në Brigadë. Ai vazhdoi rrugën e saj të luftës për çlirimin e vendit, drejt Malit të Zi, bashkë me shokë, nga beteja në betejë. Vetëm dy ditë pushim në qytetin e Plevies. Andej përsëri duke vijuar luftën deri në Bosnjë. Merrte hak për shokët që u vranë para syve të tij në Labinot. Deri në qershor 1945 qëndruan në krahinën e Kosovës, në Ohër e Maqedoni. Andej Brigada u kthye në Korçë. Arifi mori kompaninë që drejtonte dhe u dërgua në Dishnicë. Në nëntor 1947 u emërua në Tiranë, me shërbim pranë udhëheqjes së Partisë. Punoi rreth 40 vjet. Kuadër i përkushtuar, i besueshëm, i saktë i palodhur, i pakorruptuar. Trimëria e Arifit nuk është e rastit. Ajo i ka rrënjët në fisin e tij trimëror, i mirënjohur në Kurvelesh, Labëri e më gjerë. Kaparjeli është një fshat mes malesh. Me një “shoshë” qiell, por me njerëz të fortë si shkëmbinjtë që e rrethojnë. Me trima. Në këtë fshat të vogël ka pasur 25 shtëpi, shtëpi kala, shtëpi pushke. Të lidhur ngushtë me LANÇ qysh në 1942. Kaparjeli ka pasur një karakteristikë të rrallë: unitetin. Kaparjeli ka merituar tri dekorata: të Trimërisë, të Kujtimit dhe të Çlirimit. Familjet e këtij fshati kanë qenë vatra të nxehta, jo aq nga zjarri i druve në dimër, por nga shpirti atdhetar, nga prushi i ndezur për liri. Kanë folur me grykën e pushkës. Fisi i Bizhgajve me 15 pushkë. Me luftëtarë të pararojës: Avduli, Arifi, Esati e deri tek Shanishaja 14 vjeçare, që hodhën armën në sup dhe u radhitën me partizanët. Mania, luftëtar për liri e pavarësi, pjesëmarrës në luftë kundër shovinistëve grekë, të cilët në sy të tij i vranë vëllanë; luftëtar në vitin 1920 kundër pushtuesve italianë, i dekoruar me medaljen për patriotizëm. Babai i tij, Rizai nga viti 1942 deri në çlirim kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Në shtëpinë e tij janë pritur e përcjellë Shefqet Peçi, Bedri Spahiu, Mustafa Matohiti e partizanë të shumtë. Filizët e rinj të këtij fisi, ecën në rrugën e paraardhëve të tyre. Ishte kurdoherë në ballë, i nderuar “dëshmor i gjallë”…Vitet e rinisë të këtij luftëtari të lirisë, dallohen për atdhetari, ndershmëri, zgjuarsi, pastërti, shpirt punëtori. Djalosh me karakter të shëndoshë, në marrëdhënie të çiltra me të tjerët. Në moshën e adoleshentit kishte një zhvillim të mirë, trupfortë, dinamik, i ri komunist që në vitin 1942. Ai shihte se familja e tij gumëzhinte nga strehimi i partizanëve, i aktivistëve ilegalë, nga luftëtarë që mjekoheshin, nga ushqime e armatime që grumbulloheshin, nga radiostacioni i ndërlidhjes së Shtabit të Zonës së Parë Operative. Të gjitha këto rriten tek Arifi shpirtin patriotik. Dhe në qershor 1943 ai doli partizan. Nuk ka betejë të Brigadës ku Arifi të mos ketë luftuar me trimëri, me vendosmëri, me shpirt sulmues. Vargu i luftimeve është i gjatë. E kush nuk e pa dhe e dëgjoi luftën trimërore të këtij djaloshi në betejën e Qestoratit në Lunxhëri, “ku u luftua breg më breg, bajonetë më bajonetë” Edhe në jetën qytetare Arif Bizhga mbeti me shpirt të ri. I palodhur sidomos në punë shoqërore. I nderuar veteran dhe invalid aktiv. Për vite më radhë kryetar i degës së invalidëve të kryeqytetit. E shihje në punë çdo ditë. Pensionist, që shkonte në orar sikur të ishte me pagesë. E dinte që e presin invalidët për të biseduar. E takoje Arifin, e dëgjoje me vëmendje, të tërhiqte fjala e tij, thjeshtësia e tij, përzemërsia e tij. Bisedonte dhe buzëqeshte. I qeshnin edhe sytë bojë deti. Ai fliste për të tjerë, jo për vete. Vuajtjet e kishin ndryshuar disi fizikisht, por jo shpirtërisht. Dallohej për urtësi, dashamirësi, shoqëri, fisnikëri, dinjitet. Shembullor në lagje, korrekt në familje. I respektuar dhe i nderuar. Ishte një nga veteranët-invalidë i dalluar. Gjithnjë me dorë në qafë me bashkëluftëtarët e Brigadës. Gëzonte respekt e dashuri. Kujtonte me dhimbje shokët e rënë në krah të tij. 

Të dy këta dy luftëtarë dhe gjithë të tjerët që janë shuar gjatë dhe pas Luftës, janë e do të jenë përherë në Presidiumin e nderit të festave të Brigadës VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”. Mirënjohje të thellë dhe Nderim të lartë bashkëluftëtarëve partizanë, çlirimtarëve fisnikë të Atdheut tonë të dashur!