Ndarja nga jeta e Dritëro Agollit, detajet për homazhet

31
Kolosi i letrave shqipe, Dritëro Agolli u nda sot nga jeta në moshën 85-vjeçare, pas një sëmundje në mushkëri që e shoqëroi gjatë 20 viteve, duke e munduar më së shumti këto 9 ditët e fundit kur edhe u detyrua të qëndronte në spital.
Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme trupi i tij u kthye në banesë, aty ku familjarët, të afërmit e miqtë do ta shohin për të fundit herë, ndërsa është parashikuar edhe një ceremoni homazhesh për ditën e dielë.
Bëhet me dije se homazhet për të do të zhvillohen tek Pallati i Kongreseve në orën 10:30 deri në 13:00 të së dielës.
Më herët, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se pikërisht për ceremoninë e përcjelljes së tij ishte ngritur një komision i posaçëm për të përcjellë me dinjitet shkrimtarin e madh.
“Figuria e Dritëro Agollit, dimensionet e tij janë të shtrira në kohë dhe hapësirë, kërkojnë një organizim të madh. Kemi ngritur një komision të posaçëm në nivelet më të larta që do të realizojë ceremoninë për nder të shkrimtarit tonë të madh. Komisioni është mbledhur me nismë të kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta ndërsa detajet do të bëhen publike shumë shpejt”,- tha ajo.