Ndalimi i Haradinajt/ Rama: Skandaloze! Absurde që në kompjuterat e BE janë urdhër-arrestet e Serbisë

167

Kryeministri Edi Rama e
ka cilësuar si një absurditet ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.

“Ndalimi i Haradinajt, një absurditet! E pabesueshme që urdhër-arrestet e
Serbisë s’janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së”, shkroi Rama në Twitter.

Haradinaj është i ndaluar në një burg në Francë, ndërkohë që autoritetet
franceze kanë njoftuar ato kosovare për arrestimin e tij. Ai është arrestuar në
bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Lajmi për arrestimin e liderit të AAK-së, është konfirmuar për mediat kosovare
nga familja Haradinaj e më pas edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Mësohet se Haradinaj u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse, në
pjesën franceze të tij. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, AAK ka dënuar
arrestimin e Kryetarit të saj duke e quajtur atë një veprim krejtësisht të
padrejtë dhe të papranueshëm.

Ne 2015-ën, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni,
arrestim ky i bazuar po në fletë arrestin e Interpolit, lëshuar nga policia e
Serbisë në vitin 2006. Haradinaj, asokohe po udhëtonte tranzit drejt Kosovës,
nga Gjermania dhe u ndalua në aeroportin e Lubjanës.