NATO/ Samiti i Asamblesë parlamentare organizon seminar në Prishtinë

548
Sigal

Gjatë takimit
treditor do të diskutohet mbi perspektivën e Kosovës në lidhje me Bashkimin
Europian dhe rolin në zhvillim të NATO-s në rajon, pas samitit të krerëve të
shtetit dhe qeverive të vendeve aleate të mbajtur në korrik në Varshavë.
Gjithashtu do të shqyrtohet edhe progresi i dialogut Beograd-Prishtinë, duke
dëgjuar edhe adresimet e shefave negociatorë të të dy vendeve, Edita Tahiri dhe
Marko Djuriç.

Ligjvënësit e aleancës atlantiko-veriore do të ekzaminojnë
gjithashtu zhvillimet politike, social-ekonomike dhe ato të sigurisë në Kosovë,
perspektivën për bashkëpunim të mëtejshëm rajonal, sikurse edhe përgjigjen e
Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave të krijuara prej terrorizmit ndërkombëtar dhe
menaxhimi i fluksit të emigrantëve përmes Europës.

Seminari organizohet në bashkëpunim me Parlamentin e
Kosovës, nën udhëheqjen e kreut të delegacionit parlamentar kosovar në
Asamblenë e NATO-s, Xhavit Haliti, si dhe me mbështetjen e çmuar të qeverisë
zvicerane.

Asambleja parlamentare e NATO-s ka zhvilluar 19 seminare të
quajtura “Rose Roth” në vendet e Ballkanit Perëndimor, që prej nisjes së këtij
programi në vitin 1991. E para është zhvilluar në Ohër në vitin 1997, ndërsa në
Prishtinë do të organizohet seminari i 93-të, por i pari për Kosovën.

Në këtë ngjarje do të mblidhen mbi 100 pjesëmarrës, përfshi
rreth 70 deputetë parlamentesh nga 21 vendet anëtare dhe ato partnere. Në
seminar do të flasin edhe krerët më të lartë të Kosovës, duke nisur nga Hashim
Thaçi dhe Isa Mustafa, komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, kreu i EULEX-it,
Alexandra Papadopoulou, kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, si
dhe një sërë ekspertësh të nivelit lokale dhe ndërkombëtar.Gazeta Telegraf/