N/Prefektura Sarandë: Sezoni më i suksesshëm në 23 vite. Bashkia: Kapëm pritshmëritë

69

U thye 10 ditshi i parë i muajit shtator dhe plazhet e Sarandës kanë harruar se, vera mbaroi dhe një tjetër stinë ka trokitur. Jo! Plazhet janë plotë e qyteti i 360 ditëve me diell thith turistë përditë në magjinë e tij. N/prefekti i Sarandës(me kompetenca të zgjeruara), z.Mehmet Nelaj, thotë për gazetën “Telegraf” se, sezoni i këtij viti ka qenë më i miri i 23 viteve për rajonin e Sarandë-Delvinë. Nelaj thotë se, në tri drejtimet e punës parapërgatitore dhe gjatë sezonit si masat ndaj zjarreve, ndotjes akustike dhe kontrollit të ushqimit të konsumatorit, kanë qenë të suksesshme. N/prefektura ka shprehur vlerësimet për institucionet që përballuan sezonin, sidomos kufiri që qe edhe viti i parë i heqjes së moratoriumit të skafeve dhe duhej përballuar situata me mjete lundruese, pasi interesi i turistëve për të eksploruar bukuritë e rralla të jugut shqiptar, është jashtëzakonisht i madh. Por duhet shtuar se DSHP-ja duhet të pajis me disa fletëpalosje pushuesit për kujdesin që duhet të tregojnë në plazh. Është e domosdoshme kjo, pasi patëm tri raste me vdekje nga moskujdesi i vet personit duke u hedhur në ujë me djersë. Gjithsesi ishte sukses i këtij sezoni.

BASHKIA

Ndërsa Bashkia e Sarandës, thotë se periudha e deritanishme soli në qytet mbi 500 mijë turistë. Dhe çudia “BUM” ndodhi në muajin gusht, atëherë kur shpresat u quajtën të humbura dhe solli 20% më shumë të numrit të turistëve që erdhën vitin e kaluar dhe 60 % e tyre ishin vizitorë të huaj. Çudia e gushtit në metropolin turistik shqiptar, arriti deri aty sa ishe fatlumë të gjeje një dhomë hoteli për tu akomoduar. Kjo përmbysi ndjesinë dhe përshtypjen se mund të ishte një sezon turistik i vakët, pasi përkoi me periudhën zgjedhore dhe paszgjedhore që eci deri në muajin korrik, ku nuk u pa rritje e dukshme e turistëve, pasi përveç zgjedhjeve, ishte edhe muaji i Ramazanit, i cili shoqërohet me lëvizje të kufizuara dhe ushqimi është i fundit që u shkon në mendje besimtarëve të këtij sekti, por që janë numër i konsiderueshëm i turistëve në Sarandë. Qyteti, ndryshe nga herët e tjera, qe i përgatitur edhe në infrastrukturë, jo vetëm në atë të dukshme, por tek ajo e padukshmja. Pra, tek e padukshmja, që sjell performancë, etikë, prezencë dhe komunikim me klientin, e cila nuk u përqendrua vetëm tek përdorimi, apo njohja e gjuhës së huaj, por më tej në gjithë kërkesat e shërbimit hotelier dhe servis turistik. Por ky shërbim solli edhe ulje çmimesh deri 20% nga viti i kaluar, kjo me qëllim që të mos humbasë klientela dhe me filozofinë se në kushte krize, çfarë do të bëj unë për veten time, në një kohë që drejtimi ekonomik i qytetit është turizmi. Por edhe Kosova është ndihmësja më e madhe, sidomos qytetet e binjakëzuara me Sarandën dhe aktivitetet e përbashkëta të organizuara, kanë zgjuar dëshirën për të vizituar qytetin, deri aty sa Këshilli Bashkiak i Suharekës ka zhvilluar edhe mbledhje të tij në Sarandë dhe ky qytet organizon edhe festarin e përvitshëm në muajin shtator, ku një ditë i është caktuar Sarandës. Edhe promocioni kulturor ka nxitur rritjen e turistëve, por ambicia e bashkisë është që ditët e Sarandës të marrin statusin “Vit turistik” dhe jo sezon. Pra bashkia, arriti pritshmëritë, por vijon synimin e finalizimit të ambicieve të sajë./ Agron MEMA