Myftinia e Tiranës, iftar me të afërmit e dëshmorit Ibrahim Basha

767
TIRANE- Myftinia Tiranë mblodhi sot në sofrën e iftarit familjarë e të afërm të dëshmorit të atdheut, Ibrahim Basha, i vrarë në Lazarat rreth tre javë më parë. Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, falënderoi të pranishmit për përgjigjen e ftesës dhe foli për disa nga vlerat e muajit të Ramazanit, në të cilin njerëzit mblidhen dhe ndajnë së bashku gëzimin e kryerjes së një adhurimi dedikuar Zotit. 
Ai shtoi se iftari i sotëm ishte më i veçanti, sepse shtrohej në familjen e dëshmorit Basha. Babai dhe nëna e efektivit të rënë në krye të detyrës shprehën vlerësimin e tyre për Myftiun Gurra, i cili edhe në këtë muaj të begatë u gjend pranë familjes Basha dhe së bashku me familjen e të afërmit e tyre u ulën në sofrën e Ramazanit, sofër të cilën djali i tyre e përjetonte shumë me ardhjen e muajit të agjërimit, deri në momentin kur një plumb i pabesisë nga nje grup te amratosuritsh e mori nga kjo jetë.
Myftiu Ylli Gurra u lut për shpirtin e oficerit Ibrahim Basha dhe për të gjithë kolegët e tij të rënë në krye të detyrës, duke u shprehur se ata meritojnë respektin dhe mirënjohjen e secilit prej nesh, sepse sakrifikuan jetën e tyre për të mirën dhe sigurinë tonë.
“Dëshmorët janë pasuesit e parë të profetëve dhe krenaria e të gjithëve për ata që dhanë rininë, gjakun, jetën dhe gjithçka të shtrenjtë për të shenjtin Atdhe”, tha Myftiu Gurra.
Efektivi ibrahim Basha ishte një besimtar praktikant. Pak ditë para se të vritej ai uronte të gjithë bashkëfetarët e tij myslimanë me rastin e fillimit të Ramazanit, duke u lutur dhe shpresuar për ta një agjërim të lehtë dhe sakrificë të shpërblyer nga Zoti.
Sigal