Mungojnë 2 deputetët e PS-së Akuza: Të sillen në gjyq me policë

542
Sigal

TIRANE – Prokuroria kërkoi këtë të hënë shoqërimin e detyrueshëm me polici të dy deputetëve socialistë Parid Cara dhe Armand Prenga, për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj kolegëve Arben Ndoka, Pjerin Ndreu dhe Gent Strazimiri, ky i fundit në cilësinë e të dëmtuarit.
 
Në seancën e radhës të mbajtur në Gjykatën e Lartë për dhunën ndaj deputetit demokrat në ambientet e Kuvendit në korrik, dy deputetët nuk u paraqitën për të dëshmuar, ndaj në seancën e radhës organi i akuzës kërkoi shoqërimin me policë në rast se është e nevojshme.
 
Për Partinë Demokratike, fakti që deputetët munguan, tregon se ka një tentativë për të zvarritur procesin. Deputeti Eduard Halimi tha se bashkë me kolegë të tjerë demokratë do të monitorojë deri në fund këtë proces.
 
“Zvarritja e procesit po vjen nga mungesa e qëllimshme e disa deputetëve që janë thirrur nga gjykata e ku sot prokuroria me të drejtë kërkoi shoqërimin e tyre të detyrueshëm nëse do të vazhdojnë të zvarrisin këtë proces. PD edhe sot i kërkon gjykatës të procedojë me shpejtësi të zbardhë një orë e më parë vendimin, t’i japë dënimin siç parashikohet nga kushtetuta. Do të monitorojmë procesin deri ditën që do të jepet vendimi. Vetëm deputetët e PS dhe avokatët e tyre nuk e kanë parë atë që panë të gjithë shqiptarët”, u shpreh Halimi.
 
Në seancën e sotme dëshmuan gardisti Eugen Hasanbelliu dhe deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu.
 
Dy deputetet socialist nen akuze per goditjen e Strazimirit
Dy deputetët e Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë nën akuzë se goditën për shkak të detyrës deputetin e opozitës Gent Strazimiri. Hetimi ndaj tyre nisi pas incidentit të ndodhur më korrik të këtij viti në ambientet e korridorit të parlamenti, ndërsa në sallë zhvillohej seanca plenare. Sipas pamjeve nga kamera e sigurisë së Kuvendit, deputetët u përfshinë në një konflikt, ku socialisti Arben Ndoka qëlloi me grusht deputetin demokrat Gent Strazimiri, ndërsa Ndreu e goditi në kokë.
 
Çështja gjykohet në Gjykatën e Lartë për shkak të mandatit të deputetit që kanë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, këta të fundit kanë qenë të pranishëm në seancën e sotme.
 
Pas kësaj ngjarje, opozita nisi bojkotin parlamentar i cili përfundoi me miratimin e rezolutës së përbashkët me negocimin e dy europarlamentarëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.