Temperatura më të ulëta dhe reshje lokale shiu.
Ky pritet të jetë moti për mbrëmjen e sotme dhe ditën e nesërme.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka bërë parashikimin e motit për 24 orët e ardhshme.
Reshjet
Sot pasdite dhe të martën priten reshje të dobëta në shumicën e qarqeve (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në zona të kufizuara të qarqeve, nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë reshje në formë shtrëngate me kohëzgjatje të shkurtër, më e mundshme në terrenet malore (dhe ato pranë tyre) kryesisht gjatë pasditeve.
Temperaturat
Të martën temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 19 / 29 °C
në vendet e ulëta: 17 / 31 °C
në vendet malore: 12 / 28 °C.
Era
Sot pasdite dhe të martën era do të fryjë e lehtë deri mesatare.
Rreziku nga zjarret
Sot pasdite pritet rrezik ‘i moderuar’ në qarqet: Kukës, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa ‘i ulët’ në qarqet Dibër, Fier dhe Vlorë. Pjesa tjetër e territorit ‘s’ka rrezik’ për zjarre në pyje.
Në disa qarqe pritet rrezik ‘i moderuar’ vetëm në zona të kufizuara, konkretisht në qarqet: Dibër (Lindje), Fier (Jug) dhe Vlorë (Veri).
Të martën pritet rrezik ‘i moderuar’ edhe në qarqet: Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë, Fier, Elbasan dhe Vlorë, ndërsa ‘i ulët’ në qarkun Shkodër (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).