Ministria e Brendshme merret me punët e jashtme, Ministria e Jashtme… me punët e brendshme!

147
Përparim Halili 
Institucionet kanë nisur të shkelin detyrimet kushtetuese të njëri-tjetrit. Këtë “përzierje” punësh e tregojnë disa qëndrime absurde, që po mbahen prej titullarëve të disa ministrive e shërbimeve publike. Nxitje për ta trajtuar këtë shkelje kompetencash e ndërrim rolesh instticionale, u bë qëndrimi që po mban këto ditë Ministria e Brendshme, lidhur me vendimin e disa qeverive të vendeve të BE, për kthimin e shqiptarëve që kanë shkuar atje, duke kërkuar azil me motive të çdo lloji, shumica prej të cilave janë reale, sidomos kur bëhet fjalë për varfërinë dhe papunësinë ekstreme, pabarazinë sociale, mungesën e drejtësisë, krimin e organizuar me “dispeçeri” segmente të politikës e shtetit, braktisjen e disa komuniteteve, korrupsionin, sundimin e pakicës nepotike e klanore mbi shumicën që nuk përfillet për vendim-marrje! Kujtojmë, që jemi i vetmi vend në Rajon e në Evropë, ku ndalohet referendumi popullor, përveç referendumeve brenda partive politike për mandate kryetarësh dhe statute partiake! Çfarë po ndodh? Pesë ditë më parë, në Rinas u kthyen 55 shqiptarë nga Franca. Pas “marrjes në dorëzim” nga Ministria e Brendshme me shoqërim policor, dëgjuam numrin 2 të kësaj ministrie, që nuk foli si përfaqësues i shërbimit policor me detyrë vetëm pritjen, shoqërimin dhe sistemimin e të kthyerve, por foli si ministër i Jashtëm e si ambasador, duke deklaruar: “Po vazhdon komunikimi ynë diplomatik me vendet e BE, jemi duke biseduar me KiE, me OSBE, me ambasadat e vendeve të BE në Tiranë”! Pak ditë më parë, po kjo ministri, si të ishte Këshilli i Evropës e jo institucion shërbimesh policore dhe fikës zjarresh që nuk fik dot as zjarret, veproi si të ishte Ministri e Jashtme, OSBE apo BE, duke deklaruar: “Njoftojmë, se vendet e BE nuk pranojnë shqiptarë dhe nuk japin azil për ta, për asnjë motiv”! Para 5 ditësh, ministria e Brendshme vendosi 10 kushte bllokuese për lëvizjen e lirë në kufirin shqiptar, vetëm për shqiptarët. Kjo ishte pakete masash ishte 100% me përmbajtje diplomatike dhe sipas detyrimeve kushtetuese e standardeve ndërkombëtare, duhej të shpallej si qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme, por për to foli Ministria e Brendshme që vetëm i zbaton! Çudia është, se me problemin e ikjes masive dhe azilit që po kërkojnë shqiptarët në vendet ku u jepet bukë e punë, nuk po merret Ministria e Jashtme, por ministria e Brendshme! Madje punët kanë shkuar deri në atë farë derexheje, sa problemin e shqiptarëve që kanë marrë “arratinë” nëpër botë, po e trajtojnë edhe këshillat bashkiakë dhe kryepleqtë e lagjeve e fshatrave! Por nuk zë në gojë Ministria e Jashtme, ambasadorët tanë në vendet e BE dhe as vetë ministri i Jashtëm Ditmir Bushat! Këto ditë, dëgjojmë që ministria e Brendshme po flet për rolin e ambasadave shqiptare në botë, për perlat turistike shqiptare, për vlerësimet që bëjnë të huajt për reformat në Shqipëri, për politikat e BE për emigracionin, për përkthimet e guidave turistike shqiptare në botë, për takimet senatorëve amerikanë me shefen e opozitës iraniane dhe muxhahedinët në Shqipëri! Ndërsa Ministria e Jashtme, po flet për masat që ka marrë policia në plazhe, për vendet se ku mund të bëhen vizita turistike, për etikën e policëve rrugorë, për pastrimin e plazheve, për kulinarinë tradicionale në zona e deri për oraret e tragetit në Fierzë! Vetë ministri i Jashtëm, prej disa ditësh po flet për shuarjen e zjarreve, për kanalet vaditës, lyerjen e shkollave, emërimet e reja në administratë, për masat e organizimit të dëgjesave me popullin e në vend të flasë për kërkesat masive të shqiptarëve për azil në BE, del flet për batanijet e reja dhe supën e shijshme në azilin e pleqve të zonës së tij elektorale! Drejtuesit dhe përfaqësuesit e institucioneve, në vend të flasin për punët e sektorëve të tyre, dalin e falsin për punët e njëri-tjetrit, aq sa dëgjuam këto ditë vape gushti, që drejtori i emergjencave foli për rrezikun e tërmeteve, shërbimi sizmologjik foli për shirat, shërbimi meteorologjik foli për vaditjen, universitetet po flasin për strukturën e re të qeverisë, PS po flet për punët e PD!