Mbi 180 foshnje nuk kanë bërë vaksinat, rrezikohen nga sëmundjet

503
Sigal

Ministria e Shëndetësisë ose siç pretendon dhe preferon ta quajnë vetë kreu i saj “e mirëqenies shëndetësore”, pasi në 3 vjet e gjysmë u ka siguruar shqiptarëve shërbim shëndetësor të rilindur”, rrezikon të lërë Elbasanin, edhe pa vaksina. Për pasojë afro 180 foshnje të lindura në 2-3 muajt e fundit në shkallë qarku, rrezikojnë të preken nga sëmundjet e rrezikshme. Alarmin e ka dhënë një mjeke dhe disa prindër, të cilët i deklaruan “Telegraf” se “kemi afro 1 muaj që porositim vaksinat në Maqedoni ose Itali e Greqi, tek të afërmit tanë, sepse në Maternitet dhe Qendrat Shëndetësore, na thonë se “duhet mik të bëjë fëmija vaksinën, sepse nuk ka sjellë Ministria e Shëndetësisë”. Ky skandal që po tentohet të mbahet i fshehtë, po stimulohet nga vetë kreu i dikasterit zoti Beqja, i cili e njeh fare mirë situatën, e cila ka mbi 20 ditë që i bëhet prezent nga drejtuesit e Shërbimit Parësor, por deri sot asnjë përgjigje. I njëjti burim tha se “presim të kthehet ministri nga pushimet, ose ndonjë zëvendës i tij, të shkojmë nga data 1 ose 2 Shtator të mundësojmë marrjen e të paktën 1 mijë copë vaksinave”. Fakti është se zona të tilla në qarkun e Elbasanit, si Librazhdi, Përrenjasi ose edhe Gramshi, kanë disa muaj që dërgojnë lindjet e foshnjave në Maqedoni dhe kjo për faktin sepse atje ku ata banojnë mungon totalisht mjeku, mamia, qendrat shëndetësore dhe gjithçka tjetër që lidhet me ndihmën ndaj nënës dhe fëmijës. Kjo situatë e krijuar ka vënë në alarm ata që nuk kanë asnjë mundësi financiare të porositin vaksinat e foshnjave të tyre në Maqedoni dhe aq më tepër në Itali dhe Greqi. 

Farsa e propagandës

Dhjetëra e dhjetëra foshnje që lindin në shkallë qarku në Elbasan, në rast se nuk marrin vaksinat e nevojshme sipas grafikut të përcaktuar nga shërbimi mjekësor, rrezikojnë jetën, por kjo duket se nuk e ka shqetësuar dhe nuk po e shqetëson shumë ministrin e “mirëqenies shëndetësore”, që trumbeton me të madhe “ngritjen e qendrave të reja nga Shkodra në Sarandë, apo pajisjen e tyre me mjetet moderne të kohës”. Propaganda e Ministrisë Shëndetësisë dhe e kreut të saj, bie poshtë dhe venitet, kur prek nga afër realitetin e dhjetëra fshatrave në qarkun e Elbasanit, kur prek nga afër realitetin e mungesës së plotë të shërbimeve mjekësore, e qendrave shëndetësore dhe së fundit edhe e vaksinave, të cilat po jepen me “mik”. Nuk ka realitet më të dhimbshëm se sa të shikosh se si nënat dhe baballarët e foshnjave, turren nga të mundin për të gjetur “mik” për vaksinat e bebeve, për të gjetur dike tu blejë dhe tu dërgojë vaksinat e bebeve të tyre nga Maqedonia, Greqia dhe Italia, duke hyrë edhe në borxhe. Kjo nuk është “mirëqenie shëndetësore”, kjo është situatë alarmante, e cila duhet ta shkundë nga themelet Ministrinë e Shëndetësisë, kreun e saj dhe këdo që ka pak ndjenja njerëzore dhe jo të gënjejnë dhe mashtrojnë njerëzit. Nuk mashtrohet njeri sot nga kronikat e disa ekraneve ku ministri del dhe bën propagandë, pasi shumica e tyre sot po e vuajnë në kurrizin e tyre “Rilindjen e Shëndetësisë”, madje po e vuajnë së fundi, edhe bebet e sapolindura, ato krijesa të pafajshme që nuk meritojnë të trajtohen kështu, qysh ditët e para të jetës!