Mashtroi me gradat ushtarake Prokuroria: 6 muaj burg Gërvenit!

91

TIRANE – Ish-komandanti i Flotës Detare njëherësh dhe ish-atasheu jonë në NATO Kristaq Gërveni rrezikon deri në 6 muaj burg. Kjo është pretenca e paraqitur nga Prokuroria e Tiranës e cila i ka kërkuar gjykatës që të dënojë me 6 muaj burg kundëradmiralin Gërveni për akuzen e “përdorimit të gradave të pamerituara”.

Sipas organit të akuzës, ish-kreu i misionit ushtarak shqiptar në NATO, në një takim me drejtues të aleancës politiko-ushtarake, është paraqitur me gradën e “Admiralit”, gradë të cilën Gërveni ende nuk e ka merituar me dekret presidencial.

Pas paraqitjes së pretencës së Prokurorisë, tashmë pritet edhe vendimi nga gjykata e cila do të merret javën e ardhshme.

Kallëzimi ndaj Kristaq Gërvenit është bërë në qershorin e vitit të kaluar nga zyra juridike e Ministrisë së Mbrojtjes, ku sipas informacionit të paraqitur në prokurorinë e Tiranës përdorimi i gradës “Admiral” është zbuluar në rastin e takimit të 170-të të shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të zhvilluar në selinë e Aleancës në Bruksel.

Kundëradmirali Kristaq Gërveni ka qenë edhe një ndër negociatorët e paktit detar me Greqinë, çështje edhe kjo e cila po hetohet nga ana e Prokurorisë