Presidenti Meta pret avokatin e Popullit të Kosovës: Të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e sigurt në atdheun e tyre

215
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka pritur në sot në takim avokatin e popullit të Kosovës Naim Qelaj dhe zëvendësen e tij Marija Raduloviç.

Meta shprehet se gjatë takimit kanë diskutuar mbi domosdoshmërinë e respektimit të plotë të lirive dhe të të drejtave të njeriut në të dy vendet tona.

Kreu i shtetit shton se Shqipëria i gëzohet arritjeve të deritanishme të Kosovës, por duhet të kujdesemi më shumë që të rinjtë të mos largohen, por të ndërtojnë të ardhmen e sigurt në atdheun e tyre.

Postimi i plotë
Prita sot në takim Avokatin e Popullit të Republikës së Kosovës, z.Naim Qelaj dhe zëvendësen e tij, znj. Marija Raduloviç, me të cilët pata kënaqësinë të diskutonim hapur mbi domosdoshmërinë e respektimit të plotë të lirive dhe të të drejtave të njeriut në të dy vendet tona.
Vlerësova bashkëpunimin shumë të mirë me Avokatin e Popullit të Shqipërisë dhe inkurajova intesifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy institucioneve, në dobi të forcimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë, respektimit të pakicave etnike, konsolidimit të rolit të Kosovës si faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajonin tonë, si dhe të përshpejtimit të proceseve integruese të vendeve tona, me qëllim anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Shqipëria i gëzohet arritjeve të deritanishme të Kosovës, por duhet të kujdesemi më shumë që të rinjtë të mos largohen, por të ndërtojnë të ardhmen e sigurt në Atdheun e tyre.
Garanci bazë për këtë është vetëm respektimi i të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. 🇦🇱❤️🇽🇰