Marsi, muaji i miliardave për kryebashkiakët

530
Është një informacion, i marrë prej një investigimi të bërë nga Organizata “AIS”, nëpërmjet projektit të saj “Open Local Government Procurement OpenLGP”, ku flitet për zbardhjen e fondeve të prokuruar në sektorin e ndërtim-rikosntruksionit të objekteve sociale të familjeve e personave në nevojë, të cilët trajtohen me programe sociale strehimi shtetërore. Konkretisht, bëhet fajlë për monitorimin e të gjitha prokurimeve publike të njësive të qeverisjes vendore në të 61 bashkitë e Shqipërisë, lidhur me evidentimin dhe zbardhjen e çdo tenderi dhe kontrate publike (me çdo lloj vlere), të realizuar nga muaji korrik 2015 e deri sot. Kujtojmë, që këto fonde publike janë akorduar e prokuruar dhe sipas “letrave” të firmosura nga “bajraktarët” e disa bashkive “prototipe” për “esnfallëk në punë vjedhjesh me tenderët”, fondet rezultojnë se janë dhënë për ndërtimin dhe rikontruksionin e banesave sociale për romët e egjiptianët që banojnë në territorin e këtyre bashkive. Sot, po ndalemi në disa prej këtyre tenderëve të zhvilluar nga “agallarët” e bashkive e të disa kontratave publike të lidhura mes tyre dhe përfituesve të këtyre tenderëve. Pa bërë komente, po flasim konkretisht, referuar informacionit të “Open Local Government Procurement OpenLGP”, i cili zbulon skandalin me një tender që zhvillohet sot në Bashkinë e Elbasanit, në logon “Bashkia Elbasan”, por me “procedura” e afate të përcaktuara me marifet prej “çifligarit” të kësaj bashkie, Lal Qazim Sejdini, ose nga pronarët faktikë të kësaj bashkie, pra nga “Sejdinët” e vilave, apartamenteve, trojeve, tokave, llogarive e bizneseve të shumta që kanë në Elbasan e në shumë qytete të tjerë të vendit, madje edhe jashtë shtetit, siç thonë “letrat e hapura” këto ditë prej zyrës së hetimit të krimit ekonomik-financiar në Elbasan e në Tiranë, më detyrimin ligjor për të zbardhur pasuritë që ka vënë kjo “dinasti” e cila siç e di gjithë Elbasani, e nisi pushtetin me “kollare” të blerë tek “Gapi” e me “bukë me listë” dhe tashmë janë të zhytur në pasuri “sheikësh”. Sot, në bashkinë “Sejdini” në Elbasan zhvillohet një tender me procedura që vijnë “erë” abuzim! Kjo bashki ka shpallur një tender, përmes procedurës të klasifikuar “Kërkesë për Propozim”. Ky njoftim për tenderin është botuar në “Buletinin e Prokurimit Publik” nr. 11, të datës 21 mars 2016, ku është tenderi me objekt prokurimi: “Përmirësimi i Kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian, lagjja “5 Maji”, me vlerën limit të tenderit 5.522.096 lekë (pa 20% taksën TVSH), me afat për paraqitjen e dokumentacionit brenda 8 ditëve, ose më saktë tenderi i shpallur në datën 21 mars 2016, do të zhvillohet në datën 29 mars 2016, ditë kur do të shpallet edhe fituesi i tij, që sipas informacioneve thuhet se dihet cili është, madje ka nisur edhe matjet e volumeve të punës që do kryej. Në këtë rast, ndesh një absurd me përmbajtje skandali. Tenderi është njoftuar në datën 21 mars. Në datën 22 mars ka qenë ditë pushimi zyrtar. Ditë pune kanë datat 23, 24 dhe data 25 mars deri në orën 14.00 (si ditë e premte. Datat 26 e 27 mars 2016 kanë qenë pushim fundjave me Kod Pune! Data 28, pra dje ishte pushim festë zyrtare. Tenderi zhvillohet sot në datën 29 mars 2016, në orën 10.00 tek zyrat e bashkisë së Qazos! Sipas llogarisë, aplikuesve për këtë tender, u mbeten vetëm 3 ditë e… 2 orë kohë për të përgatitur dosjet e konkurrimit! A mund të bëhet gati një subjekt për 3 ditë e 2 orë kohë, ose në total për 26 orë?! Kur dihet, që vetëm praktika e kontakteve me zyrat përkatëse të bashkisë së Elbasanit, të sjell vërdallë më ditë të tëra me lloj-lloj burokracisë të shpikura e të urdhëruara qëllimisht prej… Sejdinit! 
————————————————
Ja njoftimi zyrtar për tenderin 
BASHKIA ELBASAN 
1- Autoriteti kontraktor: Bashkia Elbasan adresa: Rruga “Qemal Stafa”, nr. tel/fax: (+355)54 400152 
2-Lloji i procedures se prokurimit: Kërkesë për Propozim (prokurim me mjete elektronike). 
3-Objekti i prokurimit (n.q.s. ka lote i ndare sipas loteve): “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian, lagjja 5 Maji”. 
4-Fondi limit (n.q.s. ka lote i ndarë sipas loteve): 5.522.096 (pesë milionë e pesëqind e njëzetë e dy mijë e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH. 
5- Burimi i financimit: Buxheti i Shtetit X të ardhura Grante, donacione etj. 
6- Investim X Shpenzim operativ 
7- Afati për mbarimin e punimeve: 60 ditë nga data e lidhjes se kontratës. 
8-Hapja e ofertave do të bëhet në datën: 29.03.2016, ora 10.00 
——————————-
Tenderë për trajtimin e romëve e egjiptianëve, në disa qytete të vendit
1. Bashkia Sarandë, në datën 24. 08. 2015 ka shpallur tenderin e hapur me Objekti Rikonstruksionin i 6 banesave të Komunitetit Rom dhe Egjiptian. Vlera Fond Limit pa TVSH, për Rikonstruksionin e 6 banesave është 2 750 000 lekë. Bashkia Mirditë, në datën 31. 08. 2015 ka shpallur procedurën e hapur për konkurrim në tenderin me Objekt: Rikonstruksion i 15 (pesëmbëdhjetë) shtëpive të komunitetit Rom dhe Egjiptian, Bashkia Mirditë Rrëshen. Fondi Limit për këtë tender pa TVSH është 4 416 670 lekë. Tenderi është anuluar në fazën e parë pasi asnjë konkurrent nuk ka plotësuar kushtet e pjesëmarrjes në garë. 
2. Bashkia Lezhë në datën 28.12. 2015 ka shpallur se me negocim është lidhur kontrata me vlerë me TVSH 3 815 200 lekë për Ndërtim Banesa sociale për 8 (tetë) familje rome. Operatori Privat i zgjedhur për ndërtim është Junik SHPK.
3. Bashkia Divjakë në datën 4 . 03. 2016 ka shpallur procedurën për tender përmes Kërkesës për Propozim me Objekt: Rikonstruksion i Banesave të Komunitetit Rom dhe Egjiptian në Njësinë Administrative Grabian (18 Familje) , Bashkia Divjakë. Fondi Limit pa TVSH është shpallur 8 514 590 lekë. 
4. Bashkia Rrogozhinë ka shpallur në datën 10. 03. 2015 një procedurë tenderi të hapur me objekt: Ndërtim Banese Sociale, 2(dy) Katëshe, për Komunitetin Rom dhe Egjiptian, në Bashkinë Rrogozhinë. Tenderi do të mbahet në datën 30 Mars, dhe në dokumentacionin e tenderit specifikohet se realizohet me fonde të Bankës Botërore. Ecurinë e Tenderit dhe fituesin e Kontratës Publike do ta gjeni në javët në vijim të përditësuar po tek Prokurime Transparente.
5. Bashkia Krujë ka shpallur në datën 16. 03. 2016, një njoftim për Tender të Hapur me fond limit pa TVSH në vlerën 18 122 330 lekë, dhe objekt: Ndërtim e Rikonstruksion i 35 Banesave të Komunitetit Rome, Fshati Arrameras Fushë-Krujë . Tenderi do të mbahet në datën 8. 04. 2016 dhe afati i përmbylljes së Kontratës është 4 muaj.
Sigal