Maqedonia tërhiqet nga bllokimi i prodhimeve bujqësore shqiptare

61
Në kuadër të Marrëveshjes CEFTA, u zhvilluan sot në Chisinau të Moldavisë diskutimet teknike mes vendeve të rajonit, aty ku Shqipëria ngriti çeshtjen e bllokimit të produkteve të freskëta bujqësore nga pala maqedonase. Shqipëria u përfaqësua ‎nga Zv.Ministri i MZHETTS, Ervin Mete i cili mori pjesë në takimin e ministrave të vendeve anëtare të CEFTA., ndërsa mësohet se nga pala maqedonase mori angazhim për zgjidhje permanente sikurse është konfirmuar edhe nga Ministri maqedonas për Ekonominë, Bekim Neziri, pas një bisede telefonike me Ministrin Arben Ahmetaj lidhur me këtë çeshtje.

Zyrtarisht ky angazhim është përcjellë nga pala maqedonase edhe në MPJ të Shqipërisë. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave të Maqedonisë, Lavder Veliu ka njoftuar mbrëmë Ambasdorin se, qeveria maqedonase ka marrë një vendim për të mos ndaluar më në kufi kamionet me importe bujqësore nga Shqipëria, por se to do të lejohen të shkojnë në depon më të afërt të destinacionit, në pritje të përfundimit të analizave fitosanitare.

Kjo gjë ju konfirmua Ambasdorit edhe sot nga Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri, i cili po ashtu ish kontaktuar me z. Arben Ahmetaj për këtë gjë. Neziri shtoi se ky ishte një vendim i marrë këto ditë, por se shumë shpejt, në mbledhjen e radhës së qeverisë, do të konvertohet në vendim me shkrim, për të mos lejuar më përsëritjen e rasteve si deri tani kur kamionet bllokoheshin në kufi. Ambasdori e falenderoi Ministrin Neziri dhe i tha se, megjithatë në mbledhjen e sotme të CEFTA-s në Moldavi, pala shqiptare do ta bënte prezent çëeshtjen.

Sa i takon takimit të Ministrave të CEFTA, kjo çështje u konsiderua e vendosur në rrugën e zgjidhjes ndërkohë që nuk u ngrit asnjë pretendim apo shqetësim nga vendet e rajonit kundrejt Shqipërisë për çështje të lidhura me zbatimin e parimeve të CEFTA për liberalizimin e tregtisë dhe lehtësimin e shkëmbimeve përmes heqjes së barrierave jotarifore.