Majko e nis detyrën si ministër, me “diasporën” e “Rilindjes”, thërret në Tiranë kryetarët e PS në emigracion

607
Përparim HALILI
Skandali / Edhe Kosovën e quan “Diasporë”, kjo ministri nuk ka synim integrimin e shqiptarëve në botë dhe aktivizimin e kontributit të tyre në shërbim të vendit, por është vetëm demagogji
Duke përdorur emrin e kryeministrit, ka urdhëruar ambasadorët dhe konsujt, që të krijojnë “Komitete të Diasporës” me të afërm të tyre, me të besuar dhe militantë të partisë, duke i porositur, që në këto komitete, të mos ketë asnjë pinjoll të “familjeve kolaboracioniste”
Siç dihet, Pandeli Majko njihet për iniciativa e veprime të guximshme para-ligjore, si rasti me taksën e “Rrugës së Kombit”, të cilën nisi ta mblidhte me dhunë pa u miratuar ligji. Siç veproi me nxjerrjen për skrap të tankeve në gjendje të plotë teknike dhe shitjen e tyre në Serbi, si gjoja të copëtuar, pa dalë akoma VKM-ja dhe pa u dhënë “OK” nga NATO. Siç veproi me lëndët kimike, që gjendeshin në depot ushtarake në periferi të Tiranës, duke hartuar raportin e “suksesit” të asgjësimit të tyre, pa nisur ende projekti 20 milionë dollarësh i asgjësimit. Siç veproi me demontimin e predhave të armatimit të rëndë në Uzinën e Mjekësit-Elbasan, proces, të cilin e nisi pa asnjë vendim qeverie dhe në kundërshtim të plotë me rekomandimin e NATO-s. “CV” e tij prej ish-shtetari, tregon se ai ka qenë përherë pararendës i ligjit! Rasti i fundit ka lidhje me detyrën e re si “Ministër për Diasporën”, detyrë për të cilën kryeministri i tha Asamblesë së PS: – “Besoj e kuptoni vetë, se përse e vendosa Pandin në këtë detyrë”! Mirëpo Pandi, duke qenë ende “energjik dhe trim” si në rininë e tij studentore në vitin 1990, kur me porosi të shefit të sigurimit të Universitetit Politeknik grisi teserën e kandidatit të PPSH, braktisi detyrën e Sekretarit të Rinisë dhe u vendos në krye të lëvizjes për të “përmbysur” diktaturën komuniste, me po atë energji e ka nisur edhe detyrën e re të ministrit, tani që po bëhet gjysh! Megjithëse akoma nuk është dekretuar si “Ministër për Diasporën”, burime nga brenda kupolës së PS, thonë se ai ka nisur aktivitetin si i tillë, duke vendosur “kontakte pune”, me shqiptarë që ndodhen jashtë vendit. Për të qenë sa më në rregull me normat e partisë dhe me shijet e udhëheqësit të tij, ka kërkuar nga zyra e kryeministrit, listën me emrat e emigrantëve shqiptarë, që kryeministri i ftoi në Tiranë si “përfaqësues të diasporës” shqiptare në botë, por që faktikisht ishin militantë të PS dhe familjarë, shokë, miq e të afërm të shefave të “Rilindjes”! Sepse Pandi nuk është aq budalla, sa të dalë kundër ideve të kryetarit të partisë! Gjithashtu, në degën e organizimit të partisë, ka marrë listën me kryetarët dhe të zgjedhurit e PS në Greqi, Itali e në disa shtete të tjera, për të vendosur kontakte! Sipas një emigranti, drejtues i PS në Athinë, Pandeli Majko ka ftuar gjithë kryetarët e PS në emigracion dhe të shoqatave që mbajnë linjën e “Rilindjes”, në një “takim pune” në Tiranë, për të krijuar me ta, strukturën drejtuese të “diasporës”, që sipas platformës “Majko” duhet të kontrollohet nga persona që mbështesin ‘Rilindjen”. Sipas këtij informacioni, kandidat-ministri ka bërë edhe disa lëvizje të tjera paraprake, për t’i vënë punët “në vijë” e të jetë i nderuar, siç ka qenë përherë. Ai do t’i ngarkojë të zgjedhurit e PS në emigracion, që të rekomandojnë emra të njohurish e të afërmish të tyre emigrantë në shtete të tjerë, sidomos në vendet kryesore të BE, në SHBA, Kanada, Australi e deri në Azi, Afrikë dhe vendet e Arabe, të cilët duhet të jenë të besuar dhe propagandues të “arritjeve të mëdha” të pushtetit të “Rilindjes”. Po kështu, ka kërkuar nga ambasadorët dhe konsujt shqiptarë nëpër botë, që për të “për rregulluar biografinë” para kryeministrit, duhet të krijojnë me urgjencë “grupe nismëtare” me emigrantë shqiptarë që ata i njohin ose i kanë të afërm apo qoftë edhe sekserë në shtetet e tyre, duke i paraqitur si “Komitete të Diasporës Shqiptare”! Sipas porosisë që ka dhënë Pandi, prioritet do të kenë ish-komunistë, ish-sigurimsa, gjykatës, prokurorë, hetues, xhelatë burgjesh e funksionarë politikë të pushtetit të para vitit 1990 ose pasardhës të tyre, të cilët kanë përfituar shtetësi në vendet perëndimore, duke u pajisur me dosje false, si “ish-të persekutuar, internuar e të burgosur politikë”! Pas krijimit të këtyre Komiteteve të Diasporës me përbërje familjarë, të zgjedhur, militantë, të besuar, propagandues dhe mbështetës të PS, ministër Pandi do të nisë udhëtimet, në çdo shtet ku do të ngrihen komitete të tilla, për të organizuar konferencat zgjedhore të diasporës. Pas konferencave nëpër shtete, do të organizohet Kongresi i Mbarëkombëtar i Diasporës në Tiranë! Skandali i radhës me të cilin kandidat-ministri Majko e ka nisur edhe këtë detyrë, qëndron në faktin se në projektin e tij ka futur edhe shqiptarët e Kosovës, mbasi Kosovën e cilëson si “Diasporë”! Drejtuesit e PS në emigracion, ambasadorët e konsujt dhe shefat e sigurisë pranë tyre (ish-sigurimsa), janë porositur të jenë “tepër vigjilentë”, me synim që në grupet nismëtare për komitetet drejtuese dhe në konferencat e diasporës, të mos “desantohen” pinjollë të “familjeve të bashkëpunëtorëve”, ballisto-zogistë, qofshin edhe të brezit të katërt, por as familjarë të “tradhtarëve të atdheut”, të arratisur gjatë viteve të “ndritura të socializmit”! Në këta aspekt, Pandeli Majko ka plotësisht të drejtë, mbasi i përmbahet bindjes së tij personale e familjare, se “antikomunistët janë armiq të përjetshëm të Shqipërisë”, siç i ka cilësuar edhe vetë në takimet që ka zhvilluar me shqiptarët jashtë Atdheut, duke i etiketuar si “kolaboracionistë” apo ”surretër”! 
Sigal