Mafia e ISSH dhe heshtja e Kuvendit dhe qeverisë/ Kreu i sindikatës së minatorëve denoncon pezullimin e pastrimit të skemës së pensioneve nga abuzimet të cilat i kushtojnë shtetit 4 milionë euro në muaj. Të respektohet VKM për “statusin e minatorëve dhe naftëtarve” dhe të nisin hetimet për administratën e ISSH-së

872
Sigal

Kryetari Sindikatës së Minatorëve Fiqiri XIBRI denoncon pezullimin e pastrimit skemës së pensioneve nga abuzimet

MAFIAN e ISSH dhe heshtja e fajshme të Kuvendit dhe qeverisë

 Kryetari Sindikatës së Minatorëve Fiqiri XIBRI me anë të një letre të hapur u është drejtuar të gjithë krerëve të institucioneve shtetërore dhe kushtetuese, Kryeministrit, ministrave, Kryeparlamentarit, Kryeprokurores, Avokates së Popullit, ambasadorit të BE në Tiranë Soreca, duke denoncuar abuzimet e Institutit të Sigurimeve Shoqëroe, duke e cilësuar si “Mafie” me bashkëfajtor qeverinë.

Drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore

Ju vazhdoni të mos u jepni asnjë përgjigje shkresore kërkesave të panumërta të SMSH në lidhje me legjendën”Statusi i Minatorit” dhe me zallamahinë e pensioneve false në sistemin e pensioneve të punonjësve të nëntokës, por sipas indicieve shumë më gjerë sesa kaq. Ndonëse me shumë vonesë, (duhej të kish filluar para dt. 05 korrik 2019), në modularin që më në fund nxorët për suplementimin e pensioneve sipas ligjit nr. 29/2019, keni imituar pjesërisht me sukses “formularin-veting” që ne si SMSH kishim kërkuar të plotësohej nga minatorët e vërtetë për “Statusin e Minatorit” me vetëdeklarimin e të dhënave që i mundësojnë sindikatës filtrimin e kërkesave dhe eliminimin e përfituesve abuzivë. Plotësimi i formularit alla ISSH nga pretenduesit përfitues sipas ligjit nr. 29/2019, shoqëruar me verifikimin e të dhënave në bazën arshivore të ISSH, teorikisht pamundëson përfitimet abuzive në aplikim të ligjit 29/2019. Ka vetëm një problem madhor, se kjo procedurë e urdhëruar të ndiqet nga ju, nuk krijon kushte për pastrimin e skemës së pensioneve të minatorëve nga dhjetëra mijë abuzimet që janë tashmë prezent dhe që i kushtojnë buxhetit së paku 4 milionë euro/muaj. Kjo për arsyen e thjeshtë, se përfituesit aktualë abuzivë, duke parë rrjetën e ngrehur për të kapur pikërisht ata, nuk do të paraqiten e të kërkojnë përfitime sipas ligjit 29/2019, por do vazhdojnë të gëzojnë atë pension që kanë sajuar me abuzim dhe që duke qenë pensione të sajuar, janë edhe të lartë. Ka edhe një problem. Akoma nëpër zyrat e degëve të ISSH janë një shumicë nëpunësish nga po ata, të cilët kanë lejuar në të shkuarën të ngarkohet skema me abuzime aq të skajshme, e që si vijim logjik, nuk kemi garanci se pikërisht këta do jenë verifikues/filtrues të devotshëm dhe nuk do lejojnë abuzuesit e vjetër të përfitojnë edhe nga ky ligj. Ju si ISSH, MEF dhe Kryeministri zgjodhët të ndërprisnit bashkëpunimin me ne në pastrimin e skemës nga abuzimet. Nuk na vjen mirë, por tek e fundit ky lloj bashkëpunimi nuk është detyrim ligjor dhe nuk kemi te drejtë të protestojmë.

Korrupsioni i ISSH

Pavarësisht se në mënyrë tepër të qartë ligjet shqiptare ju detyrojnë të bëni transparencë dhe të na jepni informacionin e kërkuar nga ne, me qëllimin për ta luftuar ne, atë gangrenë gjigante korrupsioni që keni mbjellë ju më keq se kanabisi në Lazarat, ju hiqeni si të marrë dhe nxirrni pretendime absurde, sikur dhënia e informacionit të kërkuar nga ne nuk ju lejohet, sepse “qenka i mbrojtur” nga ligji për të dhënat personale.

Hajduti është kapur me presh në dorë

Me shkresën 1278 Prot, dt.03.09.2019, nga autoriteti suprem, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi ju ka sqaruar e udhëzuar, se kërkesat e sindikatës janë konform ligjit dhe se ISSH duhet të na japë informacionin e kërkuar. Por ju nuk doni të demaskohet hajduti, sepse hajdutët janë brenda në ISSH dhe kapobandat janë në qeveri. Por nuk ka djall që do ju shpëtojë nga forca e ligjit. Sepse hajduti është aty, është me presh në duar dhe nuk ikën dot në drejtim të paditur. Sepse ju as nuk e zhbëni dot e as e mbuloni dot katrahurën që keni gatuar, edhe sikur t’i vini flakën ISSH apo arkivës siç keni djegur dokumentet e Valiasit dhe ca ndërmarrjeve të tjera dhe që për këtë arsye sillen gjyqeve pensionistët e shkretë, me bukë apo pa bukë në darkë.

Ministres së Financave, Denaj!

Ju ende nuk na keni kthyer përgjigje shkresës sonë nr. 1/7 prot dt. 11.07.2019, pa folur për sa e sa shkresa të mëparshme me të njëjtin fat, ku ne kërkonim shpjegime për heshtjen tuaj të gjatë, për mosveprimet tuaja, për mosmbajtjen e premtimeve të qeverisë për statusin e minatorit dhe shkeljen e marrëveshjes, për mos uljen e MEF në tavolinë me sindikatën etj.

Zbatoni ligjin:

-Kërkoni nga ISSH të zbatojnë urgjentisht shkresën 1278 Prot, dt.03.09.2019 të Komisionerit Dervishi!

-Urgjentisht listat e të gjithë shtetasve që përfitojnë pension si punonjës nëntokë!

-Të merrni masa dhe ndëshkime administrative për sabotimin që ISSH, me kryeneçësinë e fajtorit i ka bërë transparencës për 12 vjet e sidomos që prej Urdhrit dyministror nr. 158, dt. 28.05.2019 nga MEF dhe MIE. dhe sidomos që nga mbërritja jua si ministre.

Kërkojmë nga ju gjithashtu shpjegime se përse që nga nëntori 2019 nuk është mbledhur më Grupi i Punës për evidentimin dhe verifikimin e pensioneve false, ngritur me urdhrin e më lart cituar nr. 158, dt. 28.05.2019 dhe kryesuar nga zv. ministre zj. Dajna Sorensen.

Të na jepet përgjigje në lidhje me arsyet, se përse MEF nuk ka shtruar për zgjidhje, madje as për këshillim kërkesat e evidentuara në projekt-statusin e minatorit.

Ministres së Industrisë, zj. Balluku!

Ju nuk trajtoni çështjen e statusit të minatorit dhe kërkesat e shtruara për zgjidhje, por flisni vetëm për lëmoshën e dhënë me ligjin nr.29 dt.23.05.2019, ligj i cili vetëm sa e thelloi më tej anarkinë në sistemin e pensioneve të nëntokës dhe nuk zgjidhi asgjë. Gjithashtu duhet doemos të theksojmë fort e më fort, se ju nuk e prekni fare çështjen akute të pensioneve false, ku ministria juaj, nëpërmjet vërtetimeve false, ka një pjesë mjaft të madhe të fajit në prodhimin bashkë me ISSH të dhjetra mijë pensioneve false si punonjës nëntokë. Nëpërmjet Grupit të Punës që u ngrit për evidentimin dhe verifikimin e pensioneve false, unë pata kërkuar nga MIE sa vijon:

  1. Evidentimi i sasisë vërtetimeve për vjetërsinë e punës miniera nëntokë lëshuara nga MIE
  2. Dokumentacioni ku janë bazuar këto vërtetime.
  3. Autoriteti (nëpunësi, drejtoria) që i ka lëshuar, a janë regjistruar me datë dhe nr. prot.
  4. A është mbajtur një regjistër i veçantë?

Zbatoni ligjin:

  1. Të na jepet përgjigje për sa kemi ngritur pyetjet e më lart cituara në grupin e punës dy-ministror.
  2. Të na jepet përgjigje në lidhje me arsyet se përse MIE nuk ka shtruar për zgjidhje, madje as për këshillim kërkesat e evidentuara në projekt-statusin e minatorit.

Ministres së SHMS, zj. Manastirliu !

Copëtimi i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale ishte një nga gabimet më të rënda të PS dhe kryeministrit Rama, MSHMS të thotë fjalën e vet për rihapjen e repartit spitalor të sëmundjeve profesionale dhe për diferencime përmirësuese shtesë në mbulim të kostove të shërbimit shëndetësor për minatorët.

Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz RUÇI

Ne kemi denoncuar me forcë faktin ulëritës se Mafia e ISSH po pengon me çdo mjet demaskimin e dhjetra mijë pensioneve false. Ju kemi kërkuar të ngrini komisione hetimore për skandalin e llahtarshëm të pensioneve false. Ose të paktën të bëhen interpelanca parlamentare. Por ju heshtni. Përse heshtni zonja dhe zotërinj ?! Keni frikë nga MAFIA e ISSH apo jeni bashkëfajtorë?

E nderuar Avokate e Popullit, zj. Ballanca !

Shteti është bërë palë me MAFIAN e ISSH kundër pensionistëve minatorë dhe përtej. Do kërkonim nga ju një opinion moral dhe ligjor, se çfarë dhe si mendoni ju që mund dhe duhet t’i rekomandoni ISSH dhe qeverisë, në mënyrë që të nxiten (ndjehen të shtrënguar) ata dhe të rezonojnë me ligjin dhe moralin për ta çliruar shoqërinë nga litari i MAFIAS së ISSH.

I nderuar Komisioner i IDP, z. Dervishi !

Shkresa juaj 1278 Prot, dt.03.09.2019, drejtuar ISSH, e ka sqaruar e udhëzuar qartazi ISSH-në, se kërkesat e sindikatës për transparencën janë konform ligjit dhe se ISSH duhet të na japë informacionin e kërkuar. Ka kaluar kohë që nga shkresa juaj, ne nuk kemi konstatuar ende asnjë reagim nga ana e ISSH. Në këto kushte kërkojmë nga ju si IDP, që personat përgjegjës për dhënien e informacionit të kërkuar nga ISSH, në përputhje me kompetencat që ju jep ligji, të gjobiten në masën maksimale. Kërkojmë gjithashtu që një shpjegim ligjor siç të bëhet për ISSH t’i adresohet edhe MEF si organ epror, në mënyrë që, qoftë titullarët apo qoftë specialistët e këtij institucioni të mos teatrojnë kokëtrashin.

I nderuar Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Leskaj !

Ndonëse kanë kaluar thuaj 2 muaj e gjysmë, nuk kemi ende përgjigje apo së paku një sqarim të argumentuar për zvarritjen e procesit. Flasim për më së paku 4 milionë € në muaj që vidhen pa të keq vetëm tek pensionet e minatorëve, pa folur për indicie se problemi nuk kufizohet vetëm tek minatorët, por shtrihet edhe tek ushtarakët, veteranët, medaljet, invalidët etj. Flasim për një qeveri dhe Kuvend, që miratuan para dy vitesh Statusin e Naftëtarit duke pas llogaritur një kosto prej 400 milionë lekësh, por që kur erdhi radha e zbatimit kjo kosto shkoi në 5.5 fish, pra në 2.2 miliardë. Për shkak të anarkisë së ISSH. Flasim për një ISSH, që nga njëra anë pretendon, se nuk i ka të evidentuara se cilat (dosje) pensione ju përkasin minatorëve, ndërsa nga ana tjetër deklaron, se janë 13.200 persona që përfitojnë nga ligji nr. 29/2019. Pra, nga ku del se ISSH, jo vetëm që e di se cilat janë dosjet e pensioneve nëntokë, por edhe i ka seleksionuar tashmë ata që plotësojnë kushtet për të përfituar nga ligji nr. 29/2019 dhe ata që nuk përfitojnë nga ky ligj !! Flasim për një ISSH, ku nën zë e në konfidencë konformiste flasin edhe për pensione, që ata vetë i kanë pagëzuar UFO, për njerëz që nuk ekzistojnë, flasin për arka të “besuara” pensionesh ku levrohen pensionet UFO, për pensione me emra qensh dhe macesh.

Prokurores së Përgjithshme, zj. Marku

Tema e pensioneve false nuk është e panjohur për prokurorinë, janë me mijëra pensione të parregullta (jo në përputhje me ligjin) të evidentuara dhe hequra nga qarkullimi nga vetë ISSH, ku për disa qindra syresh është bërë edhe kallëzim në prokurori, sepse kanë qenë me faj në mashtrim të ligjit. Pra prokuroria e ka tashmë një përvojë të pasur, bazë arsyetimi krahasues, për të mos i parë denoncimet tona si kështjella prej rëre në breg të detit, por si pretendime bindëse që janë të vërtetueshme duke pasur edhe indicie të qarta faktike, edhe precedentë me korenspondim direkt. Mjafton fakti se ka 12 vite, që ISSH nuk bën transparencë dhe të na japë listat e përfituesve të pensioneve nëntokë, mjafton fakti se, edhe pse u krijua një grup pune ndërinstitucional për verifikime, ISSH sabotoi haptazi transparencën dhe akoma edhe sot, në shkelje flagrante të ligjit, nuk e bën transparencën.

Kryeministrit Rama!

Gjithë sa u kemi parashtruar këtu institucioneve të ISSH, të MEF, të MIE dhe MSHMS janë pasojat direkt të shkeljes së marrëveshjes që ju vetë si kryetar i PS nënshkruat me sindikatën tonë para ardhjes në pushtet, se ishit në parim dakord me kërkesat e “Statusit të Minatorit” dhe se brenda 6 muajve të parë në pushtet ju do ti’ jepnit zgjidhje. Sa për kujtesë, kur nënshkruam marrëveshjen, njëri nga kolegët e mi sindikalistë ju pyeti, nëse do ta mbani fjalën që po na jepni, ndërkohë që përgjigja juaj ishte se: Nuk është premtim, është marrëveshje, është ligj. Unë nuk mund ta shkel dot, se jam dhe shumë i gjatë e nuk kam si fshihem dot…Ka 12 vite që protestojmë, sepse megjithëse ushtarakët janë një kategori më poshtë se minatorët (minatorët shkalla “A”, ushtarakët shkalla “B”) dhe niveli i pagave/pensioneve të tyre ka qenë 20-25% më i ulët se i joni, ata ka 15 vite që gëzojnë “Status” dhe pensione më të larta sesa ato që kërkojmë ne sot për minatorët. Por Ju dhe “ekselentët” tuaj, në shkelje flagrante të Kushtetutës bëni të shurdhin. Ndërkohë që më në fund, në mars 2018 dakordësuam me Ju, që nëpërmjet bashkëpunimit qeveri-sindikatë ta godisnim hajdutin dhe në prill 2019-s ne deshëm t’i dorëzojmë qeverisë hajdutin e kapur me presh në dorë, por qeveria nuk pranoi ta marrë në dorëzim. Ligji nr. 29/2019, e përsërisim, është ligj paçavure dhe nuk duhet zbatuar. Ndërkohë që u tallët me minatorët nëpërmjet ligjit nr. 29/2019, për ushtarakët përsëri miratuat rritje të dukshme suplementare. Çfarë do të thotë kjo z. Rama?! Na keni shpallur luftë ne minatorëve?! Na urreni, sepse ne kërkojmë djersën, hakun dhe gjakun tonë?! Çfarë po kërkoni të demonstroni?!

Zbatoni ligjin

Zbatoni marrëveshjen që keni me Sindikatën e Minatorëve “Janar 1991”!

Urdhëroni ISSH të zbatojnë urgjentisht shkresën 1278 Prot, dt.03.09.2019 të Komisionerit Dervishi! Urgjentisht listat e të gjithë shtetasve që përfitojnë pension si punonjës nëntokë!

Të merrni masa dhe ndëshkime administrative për sabotimin që ISSH, me kryeneçësinë e fajtorit i ka bërë transparencës për 12 vjet e, sidomos që prej Urdhrit dyministror nr. 158, dt. 28.05.2019 nga MEF dhe MIE.

Të na jepen nga Ju shpjegime, se përse që nga nëntori 2019 nuk është mbledhur më Grupi i Punës për evidentimin dhe verifikimin e pensioneve false, ngritur me urdhrin dyministror Ahmetaj-Gjiknuri nr. 158, dt. 28.05.2019 dhe kryesuar nga zv. ministre zj. Dajna Sorensen. Nëse puna e tij është ndalur zyrtarisht, mbi cilën bazë apo urdhër?

Të na jepet përgjigje në lidhje me arsyet se përse nga MEF, MIE, MSHMS, Kryeministri nuk janë shtruar për zgjidhje, madje as për këshillim a diskutim me ne kërkesat e evidentuara në projekt-statusin e minatorit, me synimin për të dalë në konkluzione dhe kompromise logjike, morale, ekonomike dhe ligjore se në çfarë kuptimi ose në cilin fragment pamundësohet miratimi i statusit të minatorit në këndvështrimet dhe kompetencat përcaktuese të MEF, MIE, MSHMS, Kryeministri.

I nderuar kryetar i Delegacionit të BE, z. Soreca!

Kërkojmë nga ju një përgjigje shkresore për të na qartësuar këto pyetje :

  • A përfshihet në detyrat, programet ose orientimet tuaja që të merrni ndërmjet të tjerash kontakt/partneritet edhe me sindikatat, për të njohur nga këndvështrimet dhe nga përvoja e tyre zhvillimet në Shqipëri?
  • Apo komunikimet dhe këndvështrimet tuaja orientohen vetëm tek partitë politike dhe qeverisja, megjithëse janë pikërisht këto shkaku primar dhe strumbullari i keqfunksionimit të sistemit dhe degradimit të tij ?
  • A do ketë nga ju si Prani e BE një prononcim publik në lidhje me problematikën, që ne po trajtojmë në këtë shkresë apo mendoni se prononcimi publik mbi këtë lloj problematike nuk hyn në sferat e vëmendjes tuaj?
  • A mendoni ju si Prani e BE, se ashtu si për reformën në drejtësi, është i nevojshëm një angazhim konkret dhe me front të gjerë i mekanizmave të BE për influencimin dhe mbështetjen e shoqërisë civile ?