Librazhd, këshilli i Komunës Qendër privatizon ujin e shtetit

486
Sigal

Kryefamiljari, Flori Murrashi: “Kam 5 vjet pa ujë të pijshëm”

Një rast i pa precedentë vihet re në Komunën Qendër të Librazhdit, ku familja e Flori Murrashit nga Arrza e Babjes prej 5 vjetësh endet zyrave të shtetit, për të marrë ujë të pijshëm. Me dhjetëra e qindra kërkesa u janë drejtuar institucioneve shtetërore, Këshillit të Komunës Qendër, por kërkesa e tij ka rënë në veshin e shurdhët të atyre që kanë privatizuar territoret shtetërore. Madje të gjitha kërkesat që ai ka bërë i janë fshehur edhe kur janë bërë me rekomande. Problemi është se ujërat i ka privatizuar punonjësja që punon në këtë komunë, duke ndikuar në këshillin e komunës dhe anëtarët e saj. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Flori Murrashi tregon të gjithë historinë e tij 5-vjeçare.

Z. Murrashi si është problem juaj?

Unë kam pesë vjet që bredh zyrave të shtetit, kërkesa pa fund në Komunën Qendër, herë më japin ujin herë ma heqin, herë më japin shkresa e vula dhe herë mi heqin. Unë nuk kam para (sepse ata duan lek nën dorë) dhe nuk mundet të marr ujë, por komuna ka të drejtë të furnizojë me ujë të pijshëm banorët e saj. Më dhanë njëherë ujë në vitin e kaluar, ku mora dhe miratimin nga Këshilli i Baseneve Elbasan, më pas për çudi ma hoqën duke më thënë do të japim ujë në një vend tjetër. Më pas më thanë se, nuk kemi ku të japim, rri pa ujë. Kam dy fëmijë të vegjël dhe në shtëpi nuk kam pikën e ujit. Duke mos patur ujë, gërmova në një përrua rreth 1 km larg shtëpisë. Më erdhi policia dhe më tha se po bëja gërmime të paligjshme dhe do të fusnin në burg. Më thanë që nuk kam të drejtë të furnizohem me ujë, sepse këtë ujë e ka një tjetër person. Ma shkatërruan tubën, ishte një burim që pikonte sa një kazan rakie.

Shpjegohu më konkretisht?

Para katër vjetësh komuna më dha një ujë në vendin e quajtur “Përroi i lepurit”, 5 km larg shtëpisë, ku u konfirmua dhe nga Prefektura Elbasanit, Këshilli i Baseneve, por kur filluan zgjedhjet ma hoqën duke më thëne që të gjejmë ujë tjetër, se ky burim është larg. Por për çudi asnjë kërkesë e ime nuk u morr parasysh, madje e kam postuar me rekomandim. Kam kërkuar që të me jepet ujë i pijshëm për nevojat e familjes time, kam dërguar dhjetëra kërkesa në këshillin e komunës, asnjë zgjidhje, herë më jepet uji e herë më hiqet, ndeshem me presione nga më të ndryshmet nga drejtuesit e komunës dhe administrata e saj. Kam kërkuar vetëm ujë të pijshëm për fëmijët e mi. Askush nuk me jep, madje shumë herë kërkesat e mia janë hedhur në kosh dhe së fundmi u detyrova të bëj kërkesën me Postën Shqiptare me rekomande dhe kjo kërkesë ka humbur në zyrat e kësaj komune. Kërkesa ime e fundit është e datës 27.12.2012, me numër 193651, e postuar në Postën Shqiptare Librazhd, por për çudi ka humbur. Ndërkohë që të tjerë njerëz të lidhur në aparatin e Komunës Qendër përfitojnë në mënyrë të pandershme duke shfrytëzuar ujërat sipas dëshirës. I kanë dhënë ujë një personi tjetër në Komunë, J. Qoshkut, pasi ky ka motrën në punë në komunë, arkëtare.

Po më pas çfarë ndodhi?

Unë i mbetur pa ujë u detyrova t’i shkruaj Kryeministrit Edi Rama, Avokatit të Popullit, Prefektit,etj.. Kam besim te kryeministri dhe organet e larta shtetërore se do të më zgjidhin hallin dhe problemin. Në të kundërt bashkë me fëmijët do të futëm në grevë urie në Zyrat e Komunës. Ndërkohë që kërkoj publikisht dhe organeve shtetërore, prokurorisë, të hetojë për procedurën e dhënies së lejes për ujë të pijshëm J. Qoshkut, kush ka firmosur dhe sa janë zbatuar rregullat në fuqi. Kërkoj dhe njëherë publikisht t’i jepet ujë të pijshëm familjes time dhe fëmijëve të mi.

Ligji

Sipas ligjeve Shqiptare Komuna është përgjegjëse për furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm

Nr.8652, datë 31.7.2000

Neni 40

Përdorimi i lirë i burimeve ujore

1. Kushdo ka të drejtë të përdorë lirisht burimet ujore sipërfaqësore për të pirë dhe për nevoja të tjera shtëpiake e të blegtorisë, pa tejkaluar nevojat, sasitë e nevojshme për plotësimin e nevojave individuale dhe familjare të përdoruesit dhe në përputhje me ligjet dhe planet përkatëse të këshillave të baseneve.