Kur përkujtohej Beteja e Tendës së Qypit

711
Tomorr SHASHO

Duke vështruar pikturën e betejës së “Tendës së qypit”, u riktheva në ato ditë janari të vitit 1974… Do përkujtohej 30-vjetori i kësaj beteje, një nga më të lavdishmet e partizanëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesit gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre balliste-zogiste… Në bashkëpunim me shtëpinë e kulturës”Riza Cerova” të qytetit Çorovodë, do të shfaqej montazhi letraro – artistik në kujtim të kësaj beteje. Përgatitjet kishin kohë që kishin filluar. Sa më shumë afrohej dita e 21 Janarit, në përkujtim të kësaj beteje, aq më shume rritej shqetësimi. Drejtori i shtëpisë së kulturës, Asqeri Jaubelli, ishte në kontakt të vazhdueshëm me veteranët, të cilët do të flisnin mbi këtë betejë, por shqetësimi më i madh ishte për veteranin, rreth të cilit ishte montuar i gjithë aktiviteti në përkujtim të kësaj date. Mosardhja e tij bënte që të dështonte i gjithë aktiviteti. Ishte një veteran i dëgjuar, pjesëmarrës në këtë betejë, po drejtpërsëdrejti nuk kishim komunikuar ndonjëherë me të. Gjallëri i jepnin montazhit letraro – artistik këngët që këndonin pionierët, por, sidomos, kënga kushtuar këtij veterani e kompozuar nga muzikanti Hajri Xhamëni, kënduar bukur nga pionierja Ermira Idërshaj, shoqëruar nga kompleksi i pionierëve. Çdo gjë ishte gati. Salla ishte mbushur plot. Si zakonisht, merrnin pjesë drejtuesit e partisë e pushtetit në rreth. Pritej të hapej perdja e të fillonte shfaqja e këtij montazhi, vënë në skenë nga regjisori Edmond Agolli e drejtues muzike Durim Shishmani. Skena në qetësi. Ne që ishim pas kuintave, të rritur e pionierë, prisnim sinjalin e regjisorit. Oshtiu boria si në atë betejë 30 vjet më parë. Salla ngriu. Shikoja nga kuintat, kur hapej perdja. Spektatorët vetëm sa merrnin frymë. Perdja u hap plotësisht. Kur panë borizanin e rrethuar nga pionierët, i cili vazhdonte t’i binte borisë, pjesëmarrësit u ngritën në këmbë e shpërthyen në duartrokitje, të cilat nuk kishin të mbaruar. Me dy gishtat e dorës së majtë borizani kish zënë fytin si dikur në atë betejë, kur zuri vrimat që i hapi plumbi i armikut. Ishte vet borizani, Haki Kapaj. Ishte po ai djalë që është pikturuar aq bukur në tablo. Ishte ai djalë, po tani veteran, të cilit plumbi i armikut i shpoi tejpërtej fytin e bëri që boria të pushojë për pak sekonda, por ushtoi përsëri me sinjalin e sulmit mbi armikun. Borizani i vogël Haki, po më shpirt të madh, bllokoi me dy gishtrinjtë rrjedhjen e gjakut. Ndërsa partizanët përlesheshin trup më trup me armikun, boria ushtonte fort. Sinjali i saj përhapej maleve e luginave të Skraparit, lajmëronte ditën e fitores, ditën se çlirimi i atdheut ishte afër. Ai që nuk derdhi lot, kur plumbi i armikut i shpoi fytin tejpërtej, derdhi lot, kur dëgjoi këngën e pionierëve kushtuar atij. Ndërsa heroi i asaj beteje puthte fëmijët me radhë e lotët nuk i pushonin, salla oshtinte nga duartrokitjet. Asnjë nuk lëvizte, edhe pse shfaqja mbaroi, po vazhdonin e vazhdonin duartrokitjet. Largoheshin duke përshëndetur me dorë heroin e asaj beteje. Veterani Haki, i rrethuar nga pionierët, përshëndeste pjesëmarrësit, po nga sytë e tij vazhdonin t’i rridhnin lotët e mallëngjimit, lotët e mikpritjes përzier me lotët, duke kujtuar shokët e rënë në këtë betejë. Perdja e skenës filloi të mbyllej, ndërsa veterani Haki zbret në sallë e rrethohet nga veteranët e të rinjtë. Nisin të tregohen kujtimet, po tani pa skenar, po rrjedhshëm si ujët e Osumit, i cili, edhe pse dimër, ishte i pastër si kristali.
Sigal