‘Kumanova’, mbyllet pa marrëveshje takimi mes liderave të Maqedonisë

480
Edhe takimi i dytë mes liderëve të partive politike Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi përfundoi pa asnjë përafrim të qëndrimeve mes partive politike. Në tavolinë është propozimi për vendosjen e parimeve dhe kornizës për bisedime politike, por LSDM-ja kërkon që para se të bisedohet për këto çështje, duhet të barazohet pozicioni i palëve. Kjo sipas LSDM-së mund të arrihet vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski, sepse sipas tyre, partia në pushtet kontrollon të gjitha institucionet shtetërore.
“Nuk kemi hapur bisedime për temat, sepse para asaj duhet të zgjidhen çështje të caktuara, siç janë parimet rreth propozimeve, barazi në pjesëmarrjen në këto propozime dhe garanci për realizimin e asaj që është akorduar. Qëndrimi ynë është i qartë, ne kërkojmë Qeveri kalimtare, që si term është mjaft i gjerë, jep më tepër alternative, mund të jetë teknokratike, apo e administratës, mund të jetë qeveri ekspertësh, mund të jetë edhe politike”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
LSDM-ja theksoi jo zyrtarisht se VMRO DPMNE-ja, BDI-ja dhe PDSH-ja, janë pozicionuar me qëndrim tërësisht të njëjtë në këto bisedime. Nga PDSH-ja ndërkohë, theksuan se një pjesë e propozimeve që janë biseduar sot janë të pranueshme për partinë e Menduh Thaçit, por nuk e bënë të qartë qëndrimin e tyre për formimin e Qeverisë kalimtare.
“Në këtë takim të sotëm kishte një propozim konkret rreth një kornize, pikave të mundshme që do të mund të diskutoheshin. Një pjesë e këtyre pikave për PDSH-në janë të pranueshme, por gjithsesi se në takimin e radhës, i caktuar të mbahet ditën e martë, më 26 maj, do ti vëmë në tavolinë edhe pikat tona, të cilët mendojmë se duhet të bisedohen”, theksoi Luan Tresi, zëdhënës i PDSH-së.
Kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti u larguan pa u prononcuar para mediave. Ndërkohë Gruevski dhe Zaev udhëtojnë nesër në Strazbur, në takim me 3 euro-deputetët Eduard Kukan, Ivo Uajgëll dhe Riçard Houit. Ata do të takojnë ndaras euro-deputetët, ndërsa varësisht nga këto takime, mund të ketë edhe një takim të përbashkët mes Gruevskit dhe Zaevit. Përflitet për pjesëmarrjen e mundshme edhe të komisarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han, por deri tani nuk ka konfirmim nga Brukseli. Takim të ri liderësh me pjesëmarrjen edhe të Ahmetit dhe Thaçit do të ketë sërish javën tjetër, më 26 maj.
Sigal