Kujtesa dhe harresa sociale. Ringritja nga shërbimi që i vlen kombit

723
MSc. Albert HABAZAJ*/ studiues/
Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, Lufta e Vlorës, 1920 dhe heronjtë e saj
1. Lufta e Vlorës, vlerë heroike e lirisë (vështim etnohistorik)
Kjo verë që po kalojmë përkon me 97 vjetorin e Luftës së Lavdishme të Njëzetës. Dhe për tre vjet dhe shqiptarët do të kujtojnë me nderim 100 vjetorin e Luftës Çlirimtare të Vlorës, në të cilën, për çlirimin e trojeve amtare nga pushtuesit, “bijtë e varfër të rigonit”, të mbështetur kryesisht nga shtresa e mesme e popullsisë, u shndërruan në “shqiponja që fluturonin”. Jo vetëm labët, vlonjatët, tepelenasit e mallakastriotët, por të gjithë shqiptarët u bënë vëllezër ideali. Orteku i lirisë u mbush me shpirtin e zjarrtë të skraparllinjve, beratasve, kolonjarëve, delvinjotëve, gjirokastritëve, përmetarëve, çamëve, myzeqarëve, elbasanasve, kavajasve deri edhe nga Kruja, Tirana e Kukësi. Edhe shpirtbarotët për Shqipëri të Bandës “Vatra” nga Amerika e largët erdhën e u bënë një me Trupën çlirimtare të krahinave të pushtura nga imperialistët italianë. Shqiptarët, pa dallim feje, krahine dhe gjinie, të krishterë e myslimanë, burra e gra, si rrallë herë më parë, u ngritën të mobilizuar, të organizuar në çeta e të frymëzuar nga fuqia që të jep amaneti i Atdheu i të parëve, të ndihmuar edhe nga banorë të komuniteve të tjera etnike, sidomos nga vllehët, (mbahen mend e vlerësohet sidomos kontributi i vllehëve të Selenicës, me karvanët e ngarkuar me ndihma materiale e ushqime për Luftën). Ata, “dyfeqelidhurit me gjalmë” luftuan heroikisht, gremisën një perandori të re në det dhe bënë histori. Në kujtesën historike të shqiptarëve, Lufta e Vlorës e verës së vitit 1920 (29 maj-3 shtator) klasifikohet ngjarje historike me rëndësi kombëtare, sepse, ndër të tjera, dha ndihmesë shumë pozitive për Luftën e Koplikut (27 korrik 1920-14 shkurt 1921, 203 ditë) dhe të Dibrës (15-17 gusht 1920, luftë 48 orëshe), duke luajtur kështu një një rol vendimtar në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe në rivendosjen e pavarësisë së saj.

2. Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”
Forumi nismëtar i Luftës së Vlorës dhe organizatori i asaj epopeje, që për nga bëmat i përket historisë legjendare, ishte “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, i cili përbëhej nga 12 përfaqësuesit më me influencë të krahinës së Vlorës, burra me emër, atdhetarë, me shkollë, të njohur dhe me kapital. 12 anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” të Luftës së Vlorës, 1920, ose “12 komisjonë”, siç i mban mend kujtesa sociale e komunitetit e siç u këndohet kënga, tashmë janë të mbarënjohur. Emrat e tyre janë të nderuar dhe të vlerësuar. Osman Haxhiu, kryetar; Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari, Myqerem Hamzaraj hijeshojnë emblemën e Luftës Çlirimtare të Vlorës. Vlera historike e dy komandantëve të Luftës së Vlorës: major Ahmet Lepenica (nga fillimi i saj deri në marrjen e garnizonit të Kotës) dhe kapiten Qazim Koculi (nga Kota deri në fitoren e epopesë së Njëzetës) është e padiskutueshme në ballë të forcave vullnetare organizuar në çetat e fshatrave e krahinave me komandantë heronjtë e pavdekshëm të kësaj lufte termopiliane për shporrjen e pushtuesit italian nga trojet dhe vatrat shqiptare. Emrat e Sali Muratit (apo Sali Vranishtit, qysh njihet në popull), të Selam Musa Salarisë, Kanan Mazes, Sado Koshenës, Selman Hysenit, Hodo Zeqirit, Muharrem Rushitit,… janë firma e lirisë, janë simbolika popullore e një populli të vogël, që në të drejtë të tij u bë i madh e hodhi në det një perandori… Emrat e tyre, në ballë të uruganit popullor janë historia jonë me këngë epike. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare (KMK) diti të organizonte dhe të drejtonte luftën që e prinin komandantët popullorë, të shquar dhe në luftrat e mëparshme për liri e pavarësi. Nuk dolën spontanisht Sali Vranishti, Selam Musai e kapedanët e tjerë në ballë të trimave të lirisë. Për ta ka shkruar e shkruan historia, për ta janë kënduar e këndohen këngë.

2. 1. Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” nëpër fletët e teksteve të historisë
Teksti i Historisë së Shqipërisë, vëll. 2, 1965, na informon me gjuhën e kohës, se disa rrethe politike të vendit, të bindura se bisedimet shqiptaro-italiane nuk po jepnin ndonjë rezultat, kërkonin të organizohej një veprim energjik, që mund të arrinte deri në luftë të armatosur kundër ushtrive italiane në Shqipëri. Zëdhënësit më aktivë të kësaj rryme ishin Qazim Koculi dhe Spiro G. Koleka, deputetë të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Sipas tyre, një veprim i tillë, jo vetëm do t’i tregonte opinionit publik botëror vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të atdheut të tyre, por, po të realizohej me sukses, do t’u jepte shqiptarëve një armë më të fortë për të kundërshtuar pretendimet tokësore jugosllave e greke në kurriz të Shqipërisë. Përkrahës të kësaj rryme ishin dhe vetë kryeministri Sulejman Delvina (1884-1933) me shumicën e anëtarëve të qeverisë. Por S. Delvina nuk pranonte të merrte si kryetar qeverie përgjegjësinë e një veprimi të tillë, pasi e konsideronte gjendjen e brendshme akoma të pakonsoliduar. Veç kësaj, ai u trembej pasojave që do të rridhnin në rast se ky veprim, që kërkonte forca të mjaftueshme ushtarake, do të dështonte. Duke i kuptuar arsyet që e shtynin kryeministrin t’i shmangej një konflikti të hapur shtetëror midis Shqipërisë dhe Italisë, në rrethet patriotike të vendit dhe, në mënyrë të veçantë, në ato të krahinave të pushtuara, lindi nevoja e organizimit të një veprimi të armatosur joqeveritar kundër ushtrive italiane, gjë që do ta çlironte qeverinë nga çdo përgjegjësi zyrtare. Kjo ide gjeti një terren të përgatitur qysh më parë nga aktivistët e lëvizjes kombëtare. 

Për të drejtuar këtë lëvizje, në prill u krijua përsëri brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, në të cilin hyri dhe Q. Koculi. Deputeti tjetër S. Koleka u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri e aprovoi programin e komitetit. Për të fituar kohë deri në përgatitjen e kryengritjes, u vendos të vazhdoheshin bisedimet e Durrësit. Në të njëjtën kohë, qeveria bëri përçapje për të normalizuar marrëdhëniet me shtetet fqinje ballkanike. Në fund të prillit ajo dërgoi një përfaqësues të saj (Sejfi Vllamasin: shën. im – AH) me mision të fshehtë në Beograd, për të kërkuar ndihmë në armë e municione për veprimin e armatosur që po përgatitej kundër ushtrive italiane. Qeveria jugosllave dha disa premtime, gjë që i dha të kuptonte qeverisë së Tiranës se ajo, në rast të një konflikti të armatosur me Italinë, mund të mos shqetësohej përsa u përkiste kufijve lindorë e veriorë. Qeveria shqiptare mori me rrugë gjysmëzyrtare sigurime për mosndërhyrje edhe nga Greqia, e cila në këtë kohë ishte e zënë me aventurën e saj në Azinë e Vogël. Përveç kësaj, bisedimet italo-shqiptare, që filluan në Palanca më 11 maj 1920, për shkak të krizës qeveritare që plasi në Itali, u ndërprenë. Kjo e shtynte për më vonë edhe vendimin e Fuqive të Mëdha (FM) në lidhje me Çështjen e Adriatikut (ÇA). Ky ishte një fitim i ri kohe për shqiptarët, të cilët po përgatiteshin për kryengritjen e armatosur. Në këtë kohë, vetë Anglia dukej se nuk po e përkrahte më projektin për t’i dhënë Italisë mandatin mbi Shqipërinë, për arsye se po flitej gjithnjë e më shumë për pasuritë e mëdha vajgurore të zbuluara gjatë luftës në Shqipëri nga ekspertët italianë dhe austriakë, mbi të cilat ajo synonte të vinte dorë. 

Këtu e kishte burimin vendimi që mori komisioni i punëve të jashtme të parlamentit britanik për t’i kërkuar kryeministrit englez që ky të kujdesej për çlirimin dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë në kufijtë e 1913-s dhe për vënien e saj nën mbrojtjen e FM. Të bindur tanimë se rruga e shpëtimit mbetej vetëm në kryengritjen e armatosur, anëtarët e KMK zhvilluan një veprimtari të gjerë organizative në krahinat e pushtuara. Autoritetet italiane të pushtimit të cilat, duke e ndjerë rrezikun, kishin shpallur në Vlorë qysh në prill gjendjen e jashtëzakonshme, kryen më 9 maj një varg arrestimesh brenda në qytet. Nga ana tjetër, duke përdorur si preteks humbjen e një topi në Durrës, reparti italian që qëndronte në Skelë e pushtoi qytetin përsëri më 10 maj. Një javë më vonë, kur autoritetet qeveritare hynë në Tepelenë për të marrë në dorëzim qytetin, që ndodhej jashtë zonës së pretenduar për aneksim nga qeveria e Romës, ushtarët italianë grisën flamurin e Shqipërisë, dëbuan komisionerin qeveritar dhe e shpërndanë brutalisht popullsinë që ishte grumbulluar për të kremtuar kthimin e qytetit në gjirin e Atdheut. Si pasojë, marrëdhëniet shqiptare-italiane u acaruan edhe më shumë. Ato ditë KMK e vuri në dijeni qeverinë mbi gatishmërinë për të filluar kryengritjen. 

Kryeministri i premtoi komitetit ndihma materiale me kanale jozyrtare. Me urdhër të tij u ndërprenë bisedimet shqiptare-italiane. Ndërsa popullsia e krahinës së Vlorës ndodhej në pragun e shpërthimit të kryengritjes, gjendja në krahinën e Korçës u duk se u keqësua përnjëherësh. Autoritetet ushtarake franceze, që i mbanin gjithnjë nën kontrollin e tyre Korçën dhe rrethin e saj, po përgatiteshin për t’u larguar nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë, matanë kufirit një brigadë greke nën komandën e gjeneralit Nikolaos Trikupis, që ndodhej në Follorinë, filloi të lëvizte drejt kufirit të Shqipërisë, me qëllim që të shtinte në dorë Korçën. Qarqet patriotike korçare, ashtu si edhe qeveria e Tiranës, të shqetësuara nga afrimi i ushtrisë greke, organizuan me të shpejtë forca vullnetarësh dhe më 26 maj 1920 ngritën atje flamurin kombëtar, shpallën bashkimin e krahinës së Korçës me qeverinë e Tiranës dhe vendosën të mbronin me armë në dorë krahinën e tyre nga invazioni grek. 

Shembullin e Korçës e ndoqën edhe Pogradeci me Bilishtin. Qeveria e Athinës, e cila shpresonte se marshimi i trupave greke, në saje të befasisë, do të bëhej pa patur qëndresë, u shqetësua nga kundërveprimi i shqiptarëve. Duke mos dashur të hapë një front të ri, në një kohë kur vazhdonte luftën në Azinë e Vogël, gjë që do të ishte në përfitim të Italisë, dhe i këshilluar nga qeveria angleze, kryeministri grek Eleftherios Venizellos e urdhëroi gjeneralin N. Trikupis të ndërpriste marshimin në tokën e Shqipërisë dhe të lidhte me autoritetet shqiptare një marrëveshje të përkohshme. Më 28 maj në fshatin kufitar Kapshticë u nënshkrua protokolli, sipas të cilit ushtria greke e ndalte marshimin e vet “për ta bërë më të lehtë – sikurse thuhej në këtë protokoll, – marrëveshjen midis qeverisë greke dhe shqiptare”. Ky protokoll do të mbetej në fuqi deri sa çështja të rregullohej qoftë nga Konferenca e Paqes, qoftë nga një marrëveshje e drejtëpërdrejtë midis qeverive greke dhe shqiptare. Gjatë kësaj kohe ushtritë greke do të mbanin 26 fshatrat kufitare, që kishin pushtuar gjatë marshimit. Protokolli i Kapshticës pati rëndësi të veçantë për qeverinë shqiptare, pasi largoi konfliktin prapa shpine me Greqinë, në një kohë kur ishte vendosur fillimi i kryengritjes kundër ushtrive italiane në Vlorë.

Është për t’u vënë në dukje fakti që, historia parashtron kushtet dhe parapërgatitjet për fillimin e Luftës së Vlorës, flet për Kongresin e Durrësit (1918), për Qeverinë e Përkohshme të Durrësit (1918-1920), për Kongresin e Lushnjës, për Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, për Luftën e Vlorës dhe për jehonën e saj brenda dhe jashtë vendit, për zgjerimin e lëvizjes në Veri (Lufta e Koplikut deri në tërheqjen e trupave jugosllave nga Malësia e Shkodrës me zbrazjen e Kastratit e tërë ato fshatra të djegura lënë pas, apo Lufta e Dibrës dhe bën konkluzionet e tërheqjes së forcave jugosllave në kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913). Luftërat e vitit 1920, si ajo e Vlorës, e Koplikut dhe e Dibrës, përbëjnë, sipas historianëve shqiptarë, tri piketa të pathyeshme të qëndresës heroike që sollën fitore të merituara të luftëtarëve vendas mbrojtës ndaj agresorëve të huaj sulmues, që, me dyndjet e armatosura, bënë zaptime të padrejta të tokave që shqiptarët i kishin trashëguar nga brezi në brez dhe i kishin mbrojtur me gjak. Luftërat e vitit 1920 plotësojnë pragun kohor dhe kurorëzimin e rinjohjes ndërkombëtare të pavarësisë, ku padyshim Lufta çlirimtare e Vlorës, sipas historianëve shqiptarë, renditet ndër ngjarjet më të mëdha të historisë kombëtare të shek. XX, që pati një rol vendimtar në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe në rivendosjen e pavarësisë së saj. Historianët përcaktojnë si një ndër momentet më të rëndësishme të Luftës së Vlorës mbështetjen dhe përkrahjen me të gjitha mjetet, por në mënyrë të fshehtë zhvillimit me sukses të Luftës së Vlorës) që i dha Qeveria e Kongresit të Lushnjës, quajtur ndryshe qeveria e Tiranës, nga që më 11.02. 1920 u vendos në Tiranë, e cila u caktua përkohësisht kryeqytet i Shqipërisë nga organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës. Në përmasa të zgjeruara, në vija të përgjithshme, edhe historia, sipas kriterit shkencor shkruan se ç’peshë zë fakti historik i ngjarjeve e personazheve të Luftës së Vlorës në rrafshin e historisë kombëtare. Historia Luftën e Vlorës e pasqyron si pjesë të historisë kombëtare, jo si histori lokale edhe pse lufta u bë në lokalitetet e pushtuara, pra në hapësira lokale, nga që nuk u shtri në gjithë vendin, ajo pati rëndësi jetike për vijimin ekzistencial të kombit, për vetë pavarësinë konkrete të Shqipërisë. Historia i ka dhënë vendin e merituar kësaj lufte. Botimi akademik i Historisë së Popullit Shqiptar shkruan që komiteti vlonjat “Mbrojtja Kombëtare” thirri një kuvend përfaqësues nga qyteti dhe nga fshatrat e zonës së pushtuar të vlorës , që u mblodh ilegalisht në 29 maj 1920 në Barçalla, në jug të Vlorës, mbi Dukat, në një faqe mali me mbrojtje natyrore.

Vijon në numrin e ardhshëm
Sigal