Kryeministri nuk takon të papunët, por të punësuarit, flet për 36 mijë vende pune bosh, por të papunë janë 360 mijë

298
Arjan DUKASI
Punësimi është një krizë që thellohet dhe pranohet nga çdo qeveri, por që nuk luftohet nga asnjëra prej tyre 
Shtetarëve nuk u dhimbsen të papunët, mbasi familjarët i kanë në punë shteti, pagat i kanë të larta, 1 dietë ditore e kanë sa 1 pension invalidi, makinat, karburantin dhe telefonat ua paguan shteti, llogaritë bankare i kanë plot, regjistrat e hipotekave i kanë plot me pasuri, bëjnë biznes e nuk paguajnë taksa, brenda orarit të punës, paguhen në 2-3 vende pune… 

Papunësia në Shqipëri është një problem, që lë mijëra familje dhe individë pa bukë, pa shërbim mjekësor, pa energji elektrike, pa arsimim, pa transport dhe pa shërbime të tjera jetike. Shumica e këtyre familjeve, përballojnë jetesën nëpërmjet lypjeve të fëmijëve e të rriturve, nëpërmjet punëve ditore në “të zezë”, nëpër vend-grumbullimet dhe koshat e plehrave, ose me kursimet që u dërgohen nga emigracioni. Punësimi është një krizë që thellohet dhe pranohet nga çdo qeveri, por që nuk luftohet nga asnjëra prej tyre, pasi ata janë në krye të pushtetit, familjarët i kanë në punë shteti, pagat i kanë tepër të larta, 1 dietë ditore shërbimi e kanë sa një pension invalidi, makinat i kanë të shtetit, qiratë e banesave, karburantin dhe telefonat ua paguan shteti, banesat që blejnë ua jep shtetit me kredi pa interes (blejnë edhe me miliardat që kanë), llogaritë bankare personale i kanë plot, regjistrat e hipotekave i kanë plot me pasuri, regjistrat e QKB e QKR i kanë të mbushur me logo biznesesh që fitojnë e nuk paguajnë taksa, brenda orarit të punës, paguhen në 2-3 vende pune paralele e nëpër borde ndërmarrjesh e shumë trajtime të tjera. Ndaj dhe mbajnë vetëm fjalime elektorale për papunësinë e nuk krijojnë mundësi për hapje vendesh pune! Në çdo fushatë zgjedhore të 12 viteve të fundit, nga çdo parti që vjen në qeveri janë premtuar nga 300 mijë vende pune të reja, që nëse do të krijoheshin, do të ishin 1.2 milionë vende pune. Realiteti tregon të kundërtën, madje më ekstrem: Në këto vite janë mbyllur shumë vende pune, për shkak të politikave të rënduar fiskale ndaj bizneseve, për shkak të pasigurisë së aktiviteteve private, për shkak të presionit të shtetarëve për ryshfete dhe monopoleve në shumë sektorë prodhimi e shërbimesh! Tre ditë më parë, kryeministri Rama, zhvilloi një takim për nxitjen e punësimit, ridimensionimin e rolit të zyrave të punës. Por takimin e bëri me të punësuarit në zyrat e shtetit, me disa nëpunës të firmave private të shtetarëve, të cilëve u foli për punësimin. Në fakt, takimin duhej ta bënte me të papunët, se ata kanë nevojë për informacion, për mbështetje dhe politika punësimi! 
Shqipëria ka 36 mijë vende pune bosh, të papunë zyrtarisht janë… 360 mijë
Në çdo fushatë zgjedhore të 12 viteve të fundit, janë premtuar nga 300 mijë vende pune, që nëse do të krijoheshin vërtetë, do të ishin 1.2 milionë vende pune. Sipas llogarisë së premtimeve partiake, do të mbeteshin 600 mijë vende pune tepër, mbasi sipas INSTAT, në Shqipëri ka vetëm 360 mijë të papunë. kryeministri, në takimin që bëri me të punësuarit, për të “qarë” hallin e të papunëve, deklaroi se në 4 vitet e mandatit të parë të “Rilindjes”, 8000 nëpunësit e Zyrave të Punës, kanë punësuar 80 mijë persona, por asnjë zyrë pune nuk deklaron listat e firmave apo zyrave shtetërore, se ku janë punësuar, ndërkohë që në këto zyra, sipas statistikave që disponon gazeta “Telegraf”, janë bërë afro 3 milionë aplikime për punë, nga 169 mijë persona, nga të cilët thuhet se janë punësuar vetëm 1.4%. Po kështu, kryeministri deklaroi se në Shqipëri janë 36 mijë vende pune bosh, që presin. në fakt, po presin njerëzit për vend pune, dhe jo vendet e punës për punonjës. Se ku janë këto vende pune, këtë e di qeveria, ne dimë faktin që shqiptarët e lodhur me falsitete e sorollatje nëpër Zyrat e Punës, kanë nisur të largohen masivisht nga Shqipëria. U premtuan 300 mijë vende pune në fushatën e qershorit 2013, por ikën 200 mijë shqiptarë. U premtuan 200 mijë vende pune në fushatën e qershorit 2017, por ikën edhe 300 mijë shqiptarë. tani thuhet se janë 36 mijë vende pune bosh, ndërkohë që sipas INSTAT-it i cili deklaron 13.9% papunësi, llogaria e krahasuar me numrin e mbetur 2.8 milionë banorë (CENCUSI), rezulton se në Shqipëri janë 360 mijë të papunë!