Vazhdon avazi i vjetër, në autobusët urban të linjës “Tirana e Re”

954
Qytetarët denoncojnë në “Telegraf”
Bashkia e Tiranës, 1 vit më parë nisi operacionin e disiplinimit të shërbimit urban në Tiranë e në këtë kuadër rriti edhe çmimin e biletës në 40 lekë ose sa gjysmë buke! Qytetarët e përshëndetën ndërhyrjen e bashkisë, duke pranuar rritjen e çmimit, në shkëmbim të cilësisë së shërbimit, që duhej thënë se deri para 1 viti ishte një tmerr, që të stresonte dhe krijonte konflikte të shumta deri edhe fizike me fatorinot dhe shoferët e autobusëve të krejt linjave. Përveç shtimit të linjave të shërbimit urban deri në zonat skajore të ish-komunave, shumë linja ekzistuese të shërbimit urban në Tiranë, kanë përmirësuar këtë shërbim, duke nisur që nga etika e punonjësve, uniforma e shërbimit, norma e shpejtësisë së ecjes, intervali i autobusëve sipas fraksioneve të minutave nga stacioni në stacion, kualiteti i autobusëve dhe higjiena brenda tyre! Por ka ende disa linja të shërbimit urban, në të cilat shërbehet si në “xhungël”. Një nga këto linja është “Unaza e re”, në të cilën shërbehet ende me “avazin e vjetër” të para vitit 2015. Çfarë ndodh me shërbimin në këtë linjë? Po publikojmë një përmbledhje të shkurtër të shumë ankesave të ardhura në Gazetën “Telegraf”, nga qytetarë që udhëtojnë përditë me këtë shërbim transporti publik. Fatorinot sillen në mënyrë brutale me qytetarët, kur këta kërkojnë që të zbatohen standardet. Autobusët ecin si në kortezh morti. Autobusët vijnë në stacione, jo sipas intervalit kohor të publikuar nga bashkia e Tiranës, por sipas dëshirës, deri në 30-40 minuta me vonesë. Pas orës 21.00, autobusët vijnë në stacione në çdo 1 orë. Ditët e shtuna dhe të diela, autobusët shërbejnë deri në orën 22.10. Çdo ditë, shërbimi nis në orën 05.55, kur sipas kontratës, duhet të nis në orën 05.00. Çdo ditë shërbehet deri në orën 23.20, ndërkohë që orari është deri në orën 24.00. Shpesh, qytetarëve nuk u jepet biletë. Shpesh fatorinot mbledhin biletat e hedhura përtokë dhe ua rihapin qytetarëve. Më shqetësues është fakti, që shoferët pinë cigare në autobus, reagojnë me brutalitet ndaj ankesave dhe kërkesave të qytetarëve, ndërkohë që autobusët janë “rrangallë” dhe nuk pastrohen asnjëherë pas çdo turni, aq sa kundërmojnë edhe erë të qelbur! Këto shqetësime, mendojmë se duhen verifikuar dhe ndryshuar urgjent! .
Sigal