Krishtlindjet motor për tregtinë me pakicë, tregtia online shënon rritje

175
Bizneset e vogla dhe të mesme gjermane të kënaqura me shitjet gjatë periudhës së Krishtlindjeve.Tregtia online po shënon rritje.
Bilanci paraprak i Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë është “i përzier”. “Paratë që shpenzuan klientët për dhurata për Krishtlindjet në Gjermani qenë pak më shumë se një vit më parë”, tha përfaqësuesi i kësaj shoqate, Stefan Genth. Por sipas shoqatës pritet që gjatë ditëve pas Krishtlindjeve të ardhurat për sipërmarrjet e tregtisë me pakicë pritet të shtohen, sepse shumë njerëz dhurojnë para dhe për këtë shumë vetë blejnë ato çfarë duan pas Krishtindjeve.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë, Stefan Genth, “kompanitë e mëdha janë më të kënaqura se bizneset e vogla dhe të mesme”. Po ashtu sipas tij edhe tregtia online po rritet në mënyrë dinamike dhe pritet që sipërmarrjet që i shesin mallrat e tyre nëpërmjet internetit të shënojnë gjatë Krishtlindjeve një rritje prej dhjetë për qindësh.
Dhuratat më të preferuara
Dhuratat më të preferuara janë sipas Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë librat, lodrat dhe veshjet, si dhe artikujt sportivë dhe kozmetikë. “Sidomos të rriturit i dhurojnë njëri-tjetrit para ose çeqe”, tha drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë, Stefan Genth.
Kjo shoqatë vlerëson se prej çeqeve të dhuruara gjatë sezonit të Krishtlindjeve pritet të gjenerohen rreth tre miliardë euro.
Për periudhën nëntor dhe dhjetor Shoqata e Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë kishte parashikuar se shitjet me pakicë do të ishin rreth 94.5 miliardë euro, pra tre për qind më shumë se një vit më parë. Më shumë se dymbëdhjetë miliardë euro nga kjo shumë janë gjeneruar nga tregtia përmes internetit. Për vitin 2017 Shoqata e Sipërmarrjeve të Tregtisë me Pakicë pret që sasia e përgjithshme e shitjeve të arrijë një shifër prej 501 miliardë euro.