Kosova dhe Shqipëria tashmë me treg të përbashkët të energjisë

71

PRISHTINË – Shqipëria dhe Kosova do të kenë grupe të përbashkëta pune pas themelimit të tregut të përbashkët energjetik. Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri e ka nisur vizitën zyrtare sot në Prishtinë me një takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, gjatë të cilit thanë se “studimet që i kanë paraprirë këtij tregu të përbashkët të energjisë, kanë dëshmuar se themelimi i tij përpos që është teknikisht i mundshëm është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja shtetet”.

“Kosova ka kapacitete termike, kurse Shqipëria kapacitete hidrike. Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese në Kosovë dhe Shqipëri janë edhe domosdoshmëri e kohës, prandaj duke pasur parasysh objektivat tona për krijimin e një tregu të hapur e konkurrues, si dhe rëndësinë e iniciativave të bashkëpunimit rajonal për bashkimin e tregjeve kombetare, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë burimet më të lira të energjisë, po e themelojmë edhe tregun tonë të përbashkët të energjisë elektrike”, theksoi ministri Stavileci.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë themeluar edhe Komitetin Drejtues të përbashkët të udhëhequr nga ministritë përkatëse dhe të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.

Në këtë komitet të drejtë vote do të ketë ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, kryesuesi i Bordit të ZRRE së Kosovës, kryesuesi i Bordit të ERE së Shqipërisë, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT të Kosovës dhe administratori i OST të Shqipërisë. Ndërsa, pa të drejtë vote në përbërje të Komitetit Drejtues do të jenë edhe udhëheqësi i Departamentit të Energjisë i MZHE së Kosovës dhe udhëheqësi i Departamenti të Energjisë i MEI të Shqipërisë.

Ministri Gjiknuri sot në Kosovë për themelimin e tregut të përbashkët
Ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilon sot një vizitë në Kosovë.

Ministri Gjikonuri do të pritet në takim nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në ora 10:00.  Ndërsa, në orën 10:30, në sallën e takimeve do të mbahet edhe mbledhja e parë e Komitetit Drejtues për themelimin e tregut të përbashkët Kosovë-Shqipëri për energjinë elektrike, ku do të marrin pjesë ministri Stavileci dhe ministri Gjiknuri, së bashku me përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe përfaqësuesit e operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.

Lidhur me themelimin e tregut të përbashkët të energjisë, në orën 11:30, në objektin e MZHE-së, ministri Stavileci dhe ministri Gjiknuri do të mbajnë konferencë për media. Ndërsa, pas konferencës për media, në orën 12:00, ministri Stavileci dhe ministri Gjiknuri do ta vizitojnë edhe nënstacionin 440/220 kV në termocentralin “Kosova B” në Kastriot. 

Marrë nga ATSH