KLSH kallëzon ish-rregjistruesin dhe 4 punonjës të hipotekës Fier

640
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në prokurori ish-regjistruesin dhe 4 specialistë të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier për shpërdorim detyre.
Kallëzimi i KLSH lidhet me auditin që ky institucion ka realizuar në hipotekën e Fierit për periudhën janar 2013 -maj 2015.
“Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi përsa i përket procedurave ligjore lidhur me pranimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, duke sjellë për pasojë; regjistrimin e pasurive të përfituara me leje legalizimi në zona ku ndalohet zhvillimi i ndërtimit dhe nuk lejohet legalizimi i objekteve/blerja e truallit, regjistrimin e pasurive me leje legalizimi për ndërtime të ngritura mbi prona/objekte shtetërore, regjistrimin e tokave bujqësore ku titulli i pronësisë (AMTP) nuk është sipas aktit të fitimit të saj por sipas kërkesës, si dhe regjistrimin e AMTP me tepër se norma për frymë”thuhet në njoftim.
Në lidhje me shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për ish-Regjistruesen A.M dhe 4 Specialistë të këtij institucioni, E.V. me detyrë Juriste, R.N me detyrë Jurist, K.R. me detyrë Hartograf dhe E.A. me detyrë Hartografe, të cilët në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Gjithashtu KLSH i ka kërkuar Kryeregjistruesit, marrjen e masave disiplinore për 9 punonjës të ZVRPP Fier.
Ja shkeljet e konstatuara nga auditimi i KLSH-së
-Në 11 raste me sipërfaqe totale 12304 m2, janë regjistruar prona dhe lëshuar çertifikata pronësie me AMTP të pa plota dhe të pa rregullta, duke krijuar mbivendosje ndërmjet pronarëve dhe me pronat shtet.
-Në 10 raste me sipërfaqe totale prej 3811 m2, regjistrimi i pasurisë së paluajtshme është bërë në kushtet e mungesës së dokumentacionit teknik ligjorë, si dhe Akt i Kolaudimit nuk është hartuar sipas kërkesave ligjore, duke mos pasqyruar elementët kryesorë të gjendjes së objektit pa leje ndërtimi dhe është hequr kufizimi pa patur dokumentacion ligjorë justifikues për kryerjen e këtij veprimi.
-Në 3 raste me sipërfaqe totale prej 1437 m2, janë regjistruar e lëshuar çertifikata pronësie për oborre në përdorim dhe pa dokumentacion tekniko ligjor për të përcaktuar origjinën e pronës dhe bazueshmërinë e regjistrimit të pronës.
-Në 2 raste, është regjistruar pasuria truall ndërtesë me sipërfaqe 860 m2 e 15 m2, ku për objektin e parë ZVRPP kishte regjistruar 1 kat papafingo më shumë se leja zhvillimore, ndërsa për objektin e dytë rezultojë të ishte 1 kat dhe jo shtesë pallati 2 kat.
-Në 1(një) rast, është regjistruar pasuria ngritje 1 kat mbi objektin ekzistues me sipërfaqe prej 490.60 m2, ndërsa sipas vërtetimit hipotekor sipërfaqja e truallit është 292 m2 më e vogël se sipërfaqja e sheshit të ndërtimit, sipërfaqe e cila nuk është pasqyruar në Akt kolaudimin e objektit.
-Në 34 raste, është bërë regjistrimi I lejeve të legalizimit duke regjistruar më shumë 474.7 m2 sipërfaqe ndërtesë se miratuar me VKM “Për miratimin e kalimit të pronësisë së disa parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale”.
-Në 3 raste, është bërë regjistrimi i pasurive me sipërfaqe të përgjithshme 774 m2, duke kaluar truallin në përdorim në pronësi.
-Në 12 raste me sipërfaqe 35400 m2 të përfituara me AMTP, janë regjistruar 12 pasuri të paluajtshme, ku Kryetari i Komisionit të ndarjes së tokave në fshat ka nënshkruar për vete dhe njerëz të afërt, që kishin lidhje të ngushta midis tyre. Për më tepër në lidhje me këtë pasuri ekzistonin mangësi në dokumentacionin e administruar, si dhe nuk ishin përcaktuar kufizimet.
-Në 2 raste, janë regjistruar pasuri të paluajtshme të përfituar me AMTP të pa nënshkruara nga Kryetari i Komisionit të ndarjes së tokave në fashat dhe nga vetë përfituesi.
-Në 8 raste, janë regjistruar pasuri të paluajtshme me leje legalizimi, duke mos u përputhur numërim i pasurisë dhe Zona Kadastrale, të pasqyruara në lejen e legalizimit me VKM dhe kontratën e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore e si rrjedhojë, duke pasur zhvendosje të pasurisë së paluajtshme që legalizohet.
Sigal