Kadri Muka/ Diagrami i trajtimit të ushtarakëve, më keq se ish-të përndjekurit e diktaturës

679
(Vijon nga numri i kaluar)
Edhe pse ushtaraku betohet se nuk do kursej as jetën e tij për mbrojtjen e atdheut, zyrtarët të gjithë thonë: “ç’kërkojnë ushtarakët”, “ç’kanë bërë ata që të trajtohen ndryshe nga të tjerët”?! Ajo që kërkojnë ushtarakët është që shteti u ka borxh t’u respektohet pozita kushtetuese e FA (neni 12 i Kushtetutës), si dhe vendi, roli dhe misionit kushtetues i ushtarakut përcaktuar nga neni 167 i Kushtetutës. T’u respektohet gjithashtu pozita juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore si dhe të drejtat që u garanton statusi i ushtarakut. Po ashtu shteti ka detyrimin t’i vlerësojë e trajtojë në përputhje me statusin që u ka garantuar me 3 korrik 1991 dhe 23 mars 2004. Ushtarakët nuk kanë për detyrë të shkaktojnë luftëra, por janë garancia për të mos patur konflikte të armatosura. Ndryshe nga administrata publike, ushtaraku punon me rregullore dhe urdhra të rrepta ku i duhet të bindet dhe vetëm të bindet; në vend të pronës private ka pasuri repartin; në vend të fitimit ka sakrificën; në emër të qetësisë sociale është gjithmonë në gatishmëri; në vend të përkatësisë partiake e fetare ka tempull Atdheun. Kur punonjësit e politikës, pushtetit dhe administratës publike në kryerje të detyrës kanë në përdorim e përdorin libra, lapsa, fletore, blloqe, regjistra, formularë, dokumentacione të ndryshme, kopjutera etj., ushtaraku ka në duar armë, granata, predha, mortaja, topa, lëndë plasëse dhe eksploziva të ndryshëm si dhe lëndë helmuese luftarake që bartim në vetvete rrezikun për jetën. Jeta e tyre dhe vartësve që komandojnë në çdo moment qëndron në fije të perit. Ushtaraku dihet që shkon në vendin e shërbimit por nuk dihet nëse do kthehet gjallë, vdekur apo gjymtuar e sakatuar. Kur të tjerët flenë ata janë e qëndrojnë në gatishmëri, të shkojnë e kryejnë operacione për përballimin e emergjencave të ndryshme dhe në ndihmë të shoqërisë e qytetarëve, pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve për jetën e tyre pa asnjë lloj shpërblimi dhe trajtimi suplementar për këtë. Kur çdo punonjës për mbikohën e punës mbi orarin zyrtar është paguar e paguhet, ushtaraku jo vetëm që nuk paguhet, por edhe nuk i njihet vjetërsi shërbimi. Pavarësisht se pjesa e madhe e ushtarakëve gjatë kohës së monizmit brenda vitit kalendarik kryenin një vit e një çerek, një vit e gjysmë apo edhe më shumë kohë reale shërbimi, atyre në vjetërsi shërbimi u është llogaritur vetëm viti kalendarik. Mbikoha e shërbimit u është shumëzuar me zero ndërkohë që të dënuarve politikë një vit burgim u llogaritet një vit e gjysmë dhe për çdo ditë heqje lirie janë paguar me 40 00 lekë muaj (120 000 lekë muaji) dhe pasardhësit e tyre paguhen me 2 000 lekë dhe 60 000 lekë muaji. Të përndjekurit politikë për çdo ditë u është paguar 3 000 lekë (90 000 lekë muaji), pasardhësve të tyre 1 000 lekë dita (30 000 lekë muaji). Ndërsa ushtaraku që ka qenë në shërbim të atdheut, merr 400 lekë pension në ditë (12 000 lekë në muaj). 
Antishteti 
Nga 3 korriku 1991 kur u miratua dhe hyri në fuqi statusi i ushtarakut, për 22 vjet e gjysmë shteti demokratik, ligjor i së drejtës i ka njohur dhe garantuar ushtarakut trajtimin me status të veçantë të ushtarakut. Fatkeqësisht në shumë aspekte antishteti, që ka dalë mbi shtetin ua ka mohimit total apo të pjesshëm të disa të drejtave nëpërmjet ndryshimeve ligjore, apo keqinterpretimin e keqzbatimin e tyre praktik. Të drejta të ligjit organik, statusit të ushtarakut dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë dhunuar, cenuar, transformuar e tjetërsuar me ligje në zbatim të statusit të ushtarakut, apo me vendime të qeverisë dhe udhëzime të Ministrisë së Mbrojtjes apo Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Për shkak të veprimit intensiv e permanent të antishtetit që ka zëvendësuar shtetin, ushtaraku sot kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe pret të marr stausin e anëtarësimit në BE, janë më të keqtrajtuar e keqvlerësuar se nga prilli 1934 deri në 4 prill 1939, me keq se nga 1945 deri në korrik 1991.
Hapat mbrapsht
1. Përparësinë në pagë nuk e ka më. Përkundrazi, paga e tij është sa 2/3 e pagës të policit kufitar, burgjeve, zjarrfikës, gardisti, pse jo edhe më e ulët se e punonjësve të aparatit shtetëror. Më konkretisht kur ushtaraku e ka pagën 42400 lekë, punonjësi i rendit, burgjeve, zjarrfikëse e ka 57340 lekë shto kësaj edhe 25% të shtesës së fundit dhe mësuesi 54828 lekë. Vetëm ¼ e ushtarakëve trajtohen me vështirësi vendi pune e shërbimi e cila varion nga 2000 lekë deri në 8000 lekë, ndërkohë që punonjësi policisë shtetit e ka nga 5500 deri 40000 lekë; punonjësi i SHKB nga 6500 në 20000 lekë, punonjësi policisë burgjeve nga 4000 në 1000 lekë dhe punonjësit e sektorëve publikë nga 3000 deri 89800 lekë. Ushtaraku zero leke për diplomë civili nga 10000 deri 13000 lekë.
2. Trajtimi me uniformë falas.
3. Bursa e plotë e fëmijëve, kur ushtaraku humbet jetën në detyrë.
4. Shpërblimi i menjëhershëm në masën e aq pagave mujore sa vjetërsi shërbimi ka ushtaraku që del në rezervë a lirim dhe nuk plotëson vjetërsinë e shërbimit 12 vjet femra dhe 15 vjet mashkulli, vijon e zëvendësuar me pagën kalimtare nga 50% e pagës së muajit të fundit me pagën mesatare neto e dhënien e kësaj pagë 2 muaj pas daljes në rezervë, lirim.
5. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% të pagës mujore për 12 vjet vjetërsi shërbimi femra dhe 15 mashkulli dhe një shtesë 2% të pagës mujore për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm, deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Kjo e drejtë e fituar me status të ushtarakut që më 3 korrik 1991 e rikonfirmuar me statusin e 23 marsit 2004 duke filluar nga 1 korriku 2009 është ulur më 1.5% për vit shërbimi të pagës mesatare neto referuese të të gjithë vjetërsisë së shërbimit. Nga 1994 deri në fund të 1998 ky pension u mohua dhe trajtimi me të filloi më 1 janar 1999 duke e kufizuar gjithë masën e pensionit sa pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi. (Që në prill 1934 ky pension ka qenë 40% e pagës së muajit fundit për 10 vjet vjetërsi shërbimi dhe 80% për 20 vjet vjetërsi shërbimi). Kur vendimi Nr.33, datë 24.06.2010 i Kushtetueses nuk përligj zvogëlimin dhe kufizimin e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi me interesin e rëndësishëm publik, me aktin normative Nr.5, datë 10.11.2010 të miratuar me ligjin Nr.10367, datë 23.12.2010, masa e këtij pensioni që më 1934 ishte 40% e pagës mujore për 10 vjet vjetërsi shërbimi dhe 80% për 20 vjet, për 15 vjet u ul nga 50% të pagës referuese të çastit të lindjes të së drejtës në 27.5% të pagës mesatare neto referuese, për 20 vjet nga 60% në 30%, për 25 vjet nga 70% në 37.5%, për 30 vjet nga 80% në 45%.
6. Trajtimi i bashkëshortes (bashkëshortit) me pagë papunësie në rast transferim të ushtarakut dhe ndërrim i vendbanimit dhe humb vendin e punës, në pamundësi të punësimit në vendbanimin e ri, si derdhje të kontributeve nga buxheti i shtetit. Kjo pagesë nga 14 maj 2004 nga 15 vjet u kufizua në 7 vjet dhe nga 150% e pagës u ul në 120%. Kontributet nga buxheti i shtetit me udhëzim të MM u pagua nga përfituesit/sit.
7. Kredia për strehim nga buxheti i shtetit si për ushtarakët aktiv dhe ata në rezervë,lirim a pension, është aplikuar vetëm për aktivet në mënyrë selektive.
8. E drejta e parablerjes për objektet së bashku me trojet funksionale, të cilat dalin të lira nga ristrukturimi i FA dhe mbeten pronë e shtetit, sipas nevojave për strehim. Masivisht objektet u nxorën të lira dhe u vunë në dispozicion privatizimi jashtë sistemit të FA.
9. Ndihma mjekësore falas.
10. Kompensimi i barnave mjekësore nga 80 deri në 100%, është aplikuar dhe aplikohet vetëm për barnat e rimbulsueshëm sipas listës dhe kjo në masën 50%. 
11. Varrimi me ceremoni ushtarake të ushtarakut aktiv, në rezervë, lirim e pension kur vdes dhe përballim i shpenzimeve të varrimit nga shteti. Kjo e drejtë pothuajse është bërë nul veçanërisht për ushtarakët në rezervë, lirim e pension, por përjashtim nuk është bërë edhe për ata aktiv të përhershëm të gradave të ulëta e të mesme pa përjashtuar edhe të gradave të larta.
12. Përfitimi suplementar për paaftësi të përkohshme në punë në masën 100 % e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë; 20 % e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim; 10 % e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim, është konceptuar dhe realizuar jo si përfitim mbi pagesën bazë, por si një pagesë bazë.
13. Indeksimi i pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pensionit suplementar të pleqërisë; pensionit suplementar të invaliditetit; pensionit suplementar familjar; pensioni suplementar familjar për personat që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj; pensioni suplementar për ushtarakët në pension nuk është bërë në asnjë vit. Ai është quajtur i ezauruar me rritjet sipas VKM ndër vite. Për 25 vjet nga 1991 i statusit të parë të ushtarakut dhe kur kanë kaluar 7 vjet nga anëtarësimi në NATO, ushtaraku nuk ka mundur të gëzojë ato çka shteti i së drejtës i garanton me kushtetutë. Është detyrë e qeverisjes së sotme të bëjë atë që nuk ka dashur ta bëjë për 25 vjet: Të zbatojë statusin e ushtarakut, si një domosdoshmëri për t’i rikthyer më së fundi dinjitetin e nëpërkëmbur dhe për t’i dhënë autoritetin dhe personalitetin e një vendi anëtarë i NATO-s, i barabartë jo në detyrime por edhe në të drejta.
Sigal