Kadare ishte mospërfillës,e ndjente që ishte absolut që në gjimnaz

739
Gëzim Llojdia

Miliano Stefa, një zë i bekuar në poezinë tonë,aty nga fillimi i viteve ‘80 u zhduk nga radhët e librarive. Orët për Miliano Stefën u ngurosën pa pasur më parë një dekret shtetëror ose të fshehtë. Njeriu i mësuar me gjuhën e poezive, me fjalët e bukurisë hyjnore e parandjeu se orët e territ do të binin në dyert e shtëpisë së vetme botuese, nga shenjat paralajmëruese që solli koha dhe poezia e tij nuk do të gjente më vend. Cikli i lodhur me redaktorët e kohës nuk mund të kapërdiheshin me aq lehtësi. Nganjëherë koha sillet pa mëshirë me poetët. Miliano Stefën edhe sot e mbajë mend pasi ai nuk jeton më. Kur ishte 76 vjeç më priste tek bar LePetit, një vend i rehatshëm në rrugën e portit, aty shkojnë e kthen emigrantët. Në buzë ndizte një cigare. Një ditë të tërë zumë këtë bisedë: Kam lindur në Varosh. Në një ditë të shënuar, 16 gusht 1933. Në Manastirin e Zvërnecit kjo ditë është e ngjarje që shënohet në çdo kalendar, të çdo stine vere. Banesa ku unë linda, ishte dy kate e lartë, ishte banesë e Irfan Shukes. Një banesë që, ndonëse kohët i kanë perënduar vajtueshëm, ende qëndron. Tek vendi që sot është kapela ishte shtëpia jonë dy kate, me gurë, me moshë 250 vjeçare. Në katin e parë ishin dyqanet. Një dyqan ishte rrobaqepësi, tjetri fotograf dhe i fundit pastiçeri. Nga prindërit, kujtoj tim atë që ishte shkolluar tek gjimnazi “Zosimea” aty ku mësuan edhe frashëllinjtë. Ime më kishte bërë shkollë italiane. Në këtë ngrehinë qëndruam gjatë periudhës së vitet 1933-44. Një ditë aty mëritën me dy makina të zeza motrat e Zogut, Sanie, Mexhide dhe Rukie të veshura me uniforma ushtarake. Ato i priti poeti dhe kryetari i bashkisë Ali Asllani. Ndaluan tek sheshi i Flamurit. Imë atë Panajoti kishte miqësi me Ali Asllanin, Harilla Kucullin, Jani Mingën, Xhevdet Kofinën. Tri klasat e para i bëra italisht aty në “Muradie” tek Banka di Napoli. Me ndihmën e Jani Mingës dhe Mustafa Luçit babai mësoi shqip dhe nëna madje punoi edhe si mësuese. Im atë ka qenë fanolist. Por çfarë dua të them. Im atë luftonte në manastirin e Ardenicës,vëllai tjetër i tij ishte në krahun e Zogut, kur u takuan e pyetën njeri-tjetrin: Ku ishe ti, tek manastiri, po ti edhe unë, ndonëse kundërshtarë dhe njeri godiste me mitraloz e tjetri hidhte ujë për t’u ftohur mitralozi.

Si ratë në kontakt me poezinë dhe, më qartësisht, përse zgjodhët të futeshit në letrat shqipe?
Qyteti ynë detar ka emër në fushën e letrave. Gjurmë të thellë, ndoshta brazdë emocionale më kishte hapur në thellësi Petro Marko. Im atë e kishte mik. Ai njeri i jashtëzakonshëm, shkrimtar i madh, më thërriste, poet. Çudi dhe kënaqësi për mua, ndonëse unë botoja që në vitet ’50 në të gjitha gazetat që kishte koha. Dashamirësinë e Petro Markos e zbulova kur shkrova poemën: “Një ngjarje në gjimnaz”.

Çfarë do të thotë pikërisht kjo ngjarje ne qytetin e Gjirokastrës?
Përpara ardhjes së mëngjesit të shifruar të ëndrrës për shkollim. I hipa një autobusi të vjetër. Në dorë mbaja një valixhe druri. Veshur luks. Kur mbërrita në dyert e konviktit një afër A. V më pa shtrembër. Unë kam ardhur për studime.

Mesazhi i tij: “Ke ardhur si një cjap i lëpirë”. Ke këpucë me shollë, këtu janë me opinga. Unë do të bëjë terbiet, më tha. Në qytetin e gurit zhvilloheshin zgjedhjet. Javën e parë nuk më kapën, por javën e dytë nxënësit që kishin ardhur nga mali mbanin ende pistoletat në brez. U bë një mbledhje, ata thërrisnin: “Kriminelët në litar…!” Një shoku im N. Kokalari më tha: “Këta do të të shqyejnë, por pas teje është një deriçkë, dil prej andej dhe valixhen e ke tek sofati i Qadhimajve. Ika, në të vërtetë kjo ikje shprehte kohë-ndryshimin tim. Atje në atë gjimnaz njoha Kadarenë, sepse Agolli pritej të nisej jashtë. Njohja me Kadarenë më ka befasuar. Ismaili ishte i njohur, sapo kishte botuar “Frymëzime djaloshare”.Ai ishte diku në vitin e dytë, unë në maturë. Në njërën nga ditët isha ulur në një parvaz kur pashë Ismailin duke lexuar një libër kimie. I thashë: -Çfarë po mëson? Ai ma ktheu: “Ja këto formulat e shpifura!” Po ti kush je më pyeti? I tregova emrin dhe më tha se më kishte lexuar. Me Kadarenë kemi folur për letërsinë e Rilindjes. Ai e njihte mirë. Flisnin për letërsinë e viteve ’30, ai e njihte mirë, por nuk kishte ndonjë konsideratë. Na lindi pikërisht një ide, për të bërë letërsi të re moderne. Kadareja vishej pastër. Mbante xhaketë dhe këpucë të bukura. Nuk mbante kollare, unë mbaja. Ishte mospërfillës kundrejt të gjithëve. Kur pimë një herë kafe në Gjirokastër ai më tha: “Shënoje në ditarin tënde, se ke pirë një kafe me njeriun më të madh të kombit”. Kadare e ndjente se ishte absolut. Mësuesit e donin shumë. Shokët e ngacmonin se ishte i dobët dhe i shëmtuar. Flokët nuk i krihte asnjëherë. Ismaili buronte poezi. Ai shoqërohej me Agim Shehun, Bekim Harxhin. Por më tepër qëndronte i vetmuar. Kur ishte i vogël kishte bërë një mulli, për të bluar kallëzat e grurit. Në oborrin e shtëpisë, një pjesë e miellit e merrnin, ata që sillnin miell, dy pjesë, kuptohet thotë me të qeshur: “millonai”, këtu besoj se lindën edhe këngët e millonait dhe poema “Ëndërrime”. 

Këtu poeti Stefa mbyll një kapitull nga guaska e rëndë e harresës, nga qyteti u gurtë kur iku mëngjesin e parë që e përgjonin me një kamion qymyri deri në Memaliaj, ndërsa shoferi nuk i mori paratë, por i tha: “Ik lahu se je bërë arap.” Dhe priti sa erdhi korrieri për të zbritur në qytetin e tij buzë detit.

Shkuat në universitet, por atëherë, çfarë ndodhi me poetin?
Shkova në Universitetet për veterinari. Universiteti gjendej diku aty në Laprakë, ku ka qenë Shkolla e Partisë deri në vitet ’90. Atje gjeta njeriun e mirë A. Xoxa, vëllai i shkrimtarit Jakov Xoxes. Jakovi u kthye nga Bullgaria dhe u vendos tek fleta letrare. Në vitin 1959 botova poemën “Ushtarët”. Për këtë poemë mora medaljen e artë “N. Frashëri klasi i parë” dhënë nga Qendra e Ushtrisë. Ndonëse kisha shkuar në veterinari në vitin e tretë, fillova vitin e parë për letërsi. Me financat, që më dhanë nga poema bleva kostum, këpucë, kollare, dhe latat e tre muajve. Rreth fillimit të viteve ’60 përfundova shkollën.

Rastësisht në Konferencën e Tiranës
Në Konferencën e Tiranë, hyra rastësisht si korrespodent i jashtëm i “Luftëtarit”. Aty dëgjova çfarë ishte kulti i individit dhe se si E. Hoxha e shtypi atë. Nga figurat, që tash njihen më shfaqet përpara Xhemal Broja, drejtori i Teatrit të Shtetit, që u ngrit kundër. Kur erdhi E. Hoxha gojët u kyçën, u ndje një lloj mpirje. Të gjithë u tulatën. Dhimbshëm i lanë të presin, përderisa i burgosën.

Dhimbja ishte në Zagor të Shkodrës 
Shkolla në Zagorë ishte fillore ,më vonë më transferuan mësues gjimnazi në Patos. Jepja letërsi në vitin e parë të gjimnazit të sapo krijuar. Atje, në atë qytet që ende thirrej Patos vinin gazetat ruse si: Kosmolskaja pravda”, “Pravda”, “Literaturnaja gazeta”,”Ogonjen”, nëpërmjet këtij shtypi mësuam idetë e Hrushovit. Sekretar i naftës ishte djali i Riza Cerovës, një ditë më kujtohet kur më tha: “Mos e mpreh kalemin se do të vesh në të sat’ëme!”, nuk ishte ekstremist më dha dhomë, radio, kolltukë, shkruaja nëpër gazetat e Tiranës. ‘E priti mëma te birin’, mund të quhet kthimi im pas dy vitesh në qytetin tim, Vlorë, pas një mërgimi nëpër shkollime dhe punësime nga veriu dhe në qendrën e naftës. Më kanë pyetur shpesh, se më dinin dramaturgun teatrit, por unë asnjëherë nuk kam punuar si rrogëtar. Mësues ishte punësimi im deri te dalja në pension te shkolla:”Jani Minga”.

Konflikti me kritikët e poezisë
Në hapësirat që lejonin, poezia nuk mund të ecte, në një kuptim më të qartësuar, vështirë e kisha të çaja. Kisha ndihmën e një njeriu brilant si Jakov Xoxe, por konfliktohesha përherë me Razi Brahimin. Në vitin 1960 isha anëtar i Lidhjes me një kontribut 3 libra në poezi dhe një dramë. Gradualisht po më viheshin në skenën teatrove profesionistë, dramat në Vlorë, Fier, Durrës, Korçë, Elbasan. Me një bilanc të këtillë shprehet M. Stefa,16 drama në teatrot profesionistë. Dhjetëra drama të tjera u shkruan dhe u vunë në skenat e teatrove amatore, të tillë kishte çdo ndërmarrje. Si lindi konflikti? Ftohtësi e akullt e këshillit artistik, aspak profesionist, por mediokër dhe jashtë çdo profesionizmi. Asnjëherë dhe asgjë nuk i lidhte me dramën dhe artin e të shkruarit dramaturgji. Në Vlorë, këshilli artistik që u jepte udhë dramave dhe pjesëve që viheshin në skenë përbëhej nga: “1 punëtor i fabrikës së çimentos”, marangozi i teatrit A. P.(anëtar partie). kryetari i BP i teatrit (këpucar). Drejtori i teatrit A. P (anëtar partie Sekretari i partisë (llogaritar), ardhur si aktor nga lëvizja amatore. Konfliktet plasën kur dramën “Vëllezërit” ma quajtën me gabime ideore. Këtë dramë e shpura në teatrin e Elbasanit, të cilët e vunë menjëherë në skenë dhe çuditërisht pati sukses të madh ,ndërkohë Ministria e Arsimit e bllokoi dhe pas një muaji u rilejua me një kalvar historish tepër qesharake, ndalime e lejime, më në fund edhe teatri i Vlorës e vuri në skenë. Në vitin 1980, libri: “Nëse gdhend varg” u ndalua në shtypshkronjë, përmbante rreth 200 faqe poezi. Në këtë kohë kërkova divorcin me autoritetet e regjimit komunist, që në një farë mënyre ishte një vetë-përjashtim, kisha lënë pas copëra mendimesh, copëra mashtrimi, zhgënjimin pa masë, në shpirtin tim kisha tashmë gjithçka në copëra. Shkova në Lidhjen e shkrimtarëve. Në katin e parë ishim ulur Dritëroi, Dalan Shapllo, Endri Keko. Dritëroit në prani të tyre i thashë: “Me dëshirën time largohem nga Lidhja e Shkrimtarëve, duke i dorëzuar triskën, lejet krijuese etj, ndërhyri Dalani, po dale ta shikojmë këtë punë, ndërsa Endri tha: “Do të iki ,le të iki në punë të vet!”. Humba të gjitha lidhjet, ngriva të gjitha marrëdhëniet. Nga viti 1980 .deri në vitin 2008 nuk botova asnjë germë. Në vitin 2008 gjithë prurjen time, malin me poezi dhe krejt krijimtarinë time e botova në 12 vëllime. Kolana quhet “Shtrati i Prokursit”, 10.000 vargje poezie. Duke më pyetur, a u ndëshkuat për vetë përjashtimin tim, sigurisht që jo, ndonëse poezinë time e fshehëm mirë për të mos e gjetur askush deri në vitet 90. Një pjesë e stivosëm në shpirt, tjetrën e kallëm nëpër ca vende kolltukësh për të mos e zbuluar, sepse punonte frika më shumë se kushdo.
Sigal