Ja si mund të punësoheshe tek magazina e drogës në Rrëshen

Një ndërtesë e vjetër në qendër të qytetit të Rrëshenit ishte kthyer në një fabrikë droge, ku përpunohej kanabisi. Aksioni i befasishëm i policisë së Lezhës kapi në flagrancë 31 persona që po punonin me hashashin. Nga peshimi rezultoi se në magazinë kishte 4.2 ton kanabis, ndërsa mes të arrestuarve ishin edhe gra e fëmijë, por që u lanë të lirë për t’u hetuar në gjendje të lirë.

Në këtë fabrikë kishte të punësuar persona nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, ndërkohë që ishte punësuar edhe një ekspert kanabisi nga Lazarati, Ramo Gaba.

Pjesa më e madhe e punëtorëve që u gjetën brenda janë banorë të lagjes.

Bashkë me 10 gra të tjera, Marte Ndoj po hetohet në gjendje të lirë, ndërkohë që bashkëshorti është arrestuar.

“I rashë derës së magazinës. Më doli një djalë, që nuk e njihja dhe i thashë që kam ardhur për punë. Mora gërshërët dhe fillova punën. Kemi qenë nja 10 gra, të gjitha të lagjes. Kam edhe burrin brenda, punonim bashkë me të”, thotë Marte Ndoj për Top-Channel.

Ndërkohë, një tjetër grua, Suzana Ukaj u arrestua bashkë me vajzën shtatzënë dhe dhëndrin. Ishte dita e saj e parë në punë.
“Shkova vetëm për copën e bukës se nuk kisha. Duke shkuar gjithnjë tek njerëzit e mi për të marrë nga një qese miell, u bë e padurueshme. Nuk e di për pagesën, por me aq sa folëm me ato gratë e tjera, thanë 20 mijë lek”, rrëfen Suzana. 

Hetimet për këtë aktivitet kriminal vazhdojnë, ndërsa “peshqit e mëdhenj” nuk janë arrestuar.